Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara. Në një konferencë për shtyp Thaçi tha se “nuk do lejonte që në gjyq të dilte presidenti”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje të enjten pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara. Siç bën me dije Kallxo.com Thaçi thirri një konferncë për shtyp, pas njoftimit për ngritjen e aktakuzës dhe njoftoi se largohej nga posti i presidentit.
“Ashtu siç kam premtuar, nuk do te lejoj që para gjyqit të dal presidenti. Unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Ftoj forcat politike të dëshmojnë maturinë që kërkon koha dhe të mos lejojnë të thellohemi në krizë kushtetuese e institucionale”, tha Thaçi në konferencën për media në Prishtinë.
Kallxo.com bën me dije se funksionet e presidentit deri në zgjedhjen e një presidenti të ri do i kryej kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani.
Hashim Thaçit iu konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale mëngjesin e të enjtes dhe ai e pranoi këtë në konferencën për shtyp.
Thaçi ka gjatë kohës së luftës ka qenë udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas Jakup Krasniqi, Rexhep Selimit e Kadri Veselit, Thaçi është i katërti drejtues i rëndësishëm politik në Kosovë, për të cilin ngrihet aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi ngritjen e një aktakuze ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të parlamentit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.
Sipas njoftimit në faqen zyrtare, më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Në aktakuzë pretendohej se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.