Lajm13 Sep 2018

Presidenti i Kosovës paralajmëron qeverinë për planet e saj për ushtrinë

Presidenti Hashim Thaçi ka shprehur mosmiratim për një lëvizje të qeverisë për të miratuar një projektligj për zgjerimin e mandatit dhe kompetencave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, FSK.

Autor: Die Morina BIRN Prishtinë
Printo

Forcat e Sigurisë së Kosovës. Foto: Wikimedia Commons/ SUHEJLO.

Qeveria e Kosovës të enjten miratoi një projektligj të ri mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës, FSK, duke zgjeruar kompetencat e saj, por duke shmangur nevojën për ndryshime kushtetuese të kërkuara për ta kthyer atë në një ushtri të rregullt.

Propozimi erdhi nga Rrustem Berisha, Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe parashikon transformimin gradual të FSK-së.

“Parashikohet një transformim gradual i FSK-së në një organizatë, misioni i të cilës është të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës,”  thotë një memo e projektligjit e parë nga BIRN.

Qeveria gjithashtu miratoi një projektligj për shërbimin në FSK dhe një rekomandim për miratimin e projektligjit për organizimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

“Projektligji për FSK-në përcakton kompetencat, organizimin dhe funksionimin e FSK-së si një forcë multietnike, profesionale, duke mbrojtur integritetin territorial të interesave të qytetarëve të Kosovës,” tha Berisha gjatë takimit të qeverisë.

Megjithatë, presidenti Hashim Thaçi, vetëm pak minuta përpara vendimit të qeverisë, deklaroi se ai nuk ishte informuar për propozimin dhe do të duhej të konsultohej me partnerët strategjikë të Kosovës.

“Gjithashtu nuk besoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja janë informuar, sepse atëherë do të isha i informuar edhe unë,” tha Thaçi.

Thaçi e mirëpriti idenë e formimit të një ushtrie të rregullt, por vetëm në partneritet me NATO-n dhe aleatët e vendit.

Ai shprehu keqardhje “për një veprim tonin për të izoluar dhe dëmtuar seriozisht misionin multietnik të qeverisë”.

“Mendoj se është gabim të vazhdojmë sot me këtë çështje sepse nuk kemi nevojë t’i dërgojmë një mesazh të tillë aleatëve tanë,” tha Thaçi.

Propozimi i miratuar nga qeveria nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese, por ka nevojë thjesht për një shumicë votash në parlament.

Kosova ka kërkuar tashmë prej kohësh të krijojë një ushtri të rregullt kundër kundërshtimit të hidhur nga Serbia dhe nga pakica serbe në Kosovë.

Ideja gjithashtu nuk ka pasur mbështetje nga partnerët perëndimorë të Kosovës të cilët mendojnë se është provokuese përpara një zgjidhjeje përfundimtare me Serbinë.

Gjatë vitit të kaluar, institucionet e Kosovës u përpoqën më kot të ndryshonin mandatin e FSK-së dhe ta inkorporonin atë në një ushtri të rregullt.

Megjithatë, këto plane kanë rezultuar kundër një detyrimi kushtetues që kërkon një “shumicë të dyfishtë” në parlament – që do të thotë mbështetjen e dy të tretave të të gjithë deputetëve dhe dy të tretat e 20 deputetëve jo-shqiptarë etnikë.

Deputetët serbë të Kosovës, të cilët mbajnë 10 nga 20 vendet e rezervuara për komunitetet joshqiptare, e bllokuan nismën.