Ndërsa politikanët e opozitës bëjnë thirrje për qetësi, disa ekspertë ligjorë po e nxisin parlamentin të shpërfillë veton e presidentit dhe të krijojnë një qeveri.
Ekspertët maqedonas të ligjit thanë se presidenti Ivanov i ka tejkaluar fuqitë e tij duke refuzuar t’i japë mandatin për formimin e qeverisë liderit të social demokratëve Zoran Zaev, ndërsa sugjeruan se ka mënyra për të kapërcyer vendimin e tij.
Sipas tyre presidenti Gjorge Ivanov nuk ka të drejtë të bllokojë formimin e një koalicioni qeveritar dhe nëse ai e bën këtë, shumica parlamentare duhet ta anashkalojë atë.
Duke kujtuar se Maqedonia është një demokraci parlamentare, jo presidenciale, ku presidenti përfaqëson sovranitetin e popullit, ata thonë se kreu i shtetit nuk mund ta dominojë vullnetin kolektiv të deputetëve.
Profesori i së drejtës kushtetuese Osman Kadriu tha se shumica parlamentare ka të drejtë të zgjedhë një qeveri të re, duke iu referuar 67 firmave të mbështetjes nga deputetët që Zaevi mori. Parlamenti ka 120 deputetë gjithsej.
Kadriu tha se kryetar i përkohshëm, Trajko Veljanoski, duhet të thërrasë një seancë për të zgjedhur një kryetar të ri. “Të nesërmen, duhet thirrur një seancë për të zgjedhur një qeveri të re,” shtoi ai.
Nëse Veljanoski, i cili i përket partisë nacionaliste VMRO DPMNE refuzon ta bëjë këtë, Kadriu thotë se ka një tjetër mundësi.
“Shumica [e deputetëve] mund të thërrasë një sesion të vetin, të zgjedhjë deputetin më të vjetër si kryetar dhe të zgjedhë një qeveri. Këto opsione janë si kushtetuese dhe të mundshme”, tha Kadriu.
“Parlamenti është në krye të zgjedhjes së një qeverie të re, jo presidenti” dhe “vullneti i presidentit duhet tejkaluar” në këtë situatë, shtoi ai.
Një profesor tjetër i kushtetueses, Svetomir Skariç, është i një mendje dhe tha se Ivanov duhet të mbahet përgjegjës për tejkalim e afateve ligjore.
“Të gjitha elementet për formimin e një qeverie nëpërmjet një mazhorance në parlament ekzistojnë; Parlamenti duhet të mbajë menjëherë një seancë për të zgjedhur një kryetar të ri dhe pastaj të zgjedhë një qeveri të re,” tha ai.
“Pas kësaj, ligjvënësit duhet të krijojnë një çështje për të vënë para përgjegjësisë [Ivanovin] për shkelje të kushtetutës”, tha Skariç nga portali i lajmeve Faktor.
Presidenti Ivanov të mërkurën refuzoi t’i jepte mandatin Zaevit, edhe pse ky ka një shumicë parlamentare, duke pretenduar se një qeveri e tillë kishte potencialin “të shkatërronte vendin”.
Kjo për shkak se Zaev kishte pranuar më herët kërkesat e partive etnike shqiptare në vend të cilat ishin në formën e një “platforme” të rënë dakord.
Zaev e akuzoi Ivanov për përpjekje të një grushti shteti.
Duke i mohuar mazhorancës vullnetin, Ivanov e ka shtyrë Maqedoninë në një krizë kushtetuese dhe kombëtare më të thellë, shtoi ai, duke e nxitur Ivanov të tërhiqet nga vendimi.
Maqedonia nuk ka formuar ende një qeveri të re pavarësisht se zgjedhjet e përgjithshme u mbajtën më shumë se dy muaj më parë, më 11 dhjetor.
Votimi përfundoi me një rezultat të ngushtë mes VMRO DPMNE dhe LSDM dhe nuk ia doli të zgjidhë krizën e gjatë politike.
LSDM bën thirrje për qetësi
Sekretari i përgjithshëm i LSDM, Oliver Spasovski, të mërkurën hodhi poshtë pretendimet se marrëveshja e koalicionit me partitë shqiptare kishte shkelur kushtetutën dhe do të çonte në shpërbërjen eventuale të Maqedonisë.
Ai tha se pranimi i një ligji të ri për zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe do të forcojë shtetin duke zgjeruar të drejtat themelore të qytetarëve.
I pyetur në lidhje me hapat e ardhshëm të LSDM pas bllokimit nga presidenti Ivanov, Spasovski këshilloi të ruhej qetësia. Partia do të “lajmëroi lëvizje e ardhshëm, kur ne të gjykojmë se është koha e duhur” tha ai.
Shqiptarët nxiten t’i rezistojnë konfliktit etnik
Në reagimet e tyre liderët e partive shqiptare në Maqedoni paralajmëruan për të moslejuar krizën të degradonte në konflikt etnik.
Ali Ahmeti, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI, u bëri thirrje për qetësi të gjithë shqiptarëve etnikë për të mos e kthyer një krizë të sistemit dhe brenda bllokut etnik maqedonas, në një konflikt më të gjerë ndëretnik.
Ahmeti, partia e të cilit ka mbështetur kërkesën e Zaevit për të formuar qeverinë e re, hodhi poshtë pretendimet e Ivanovit se kërkesat shqiptare, si dhe platforma e përbashkët, “vinin nga një vend i huaj”, referim për Shqipërinë dhe se ishin në këtë mënyrë të papranueshme.
“Platforma e përbashkët u ideua dhe u shkrua në Shkup dhe i ka bazat te platformat zgjedhore të të gjithë kandidatëve shqiptarë në zgjedhjet e 11 dhjetorit,” tha Ahmeti.
“Kjo platformë nuk rrezikon në asnjë mënyrë shtetin, ka karakter unitar, nuk parashikon federalizim apo përçarje,” shtoi ai.
Kryeministri shqiptar Edi Rama reagoi të mërkurën ndaj Ivanov.
“Zoti Ivanov, gjuha shqipe s’është e armikut po e një populli shtetformues në Maqedoni. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni i dashur President!” shkroi Rama.
Lëvizja e presidentit shqetëson diplomatët
Diplomatët kanë shprehur ndërkohë alarmin për rrugën qorre të Maqedonisë si rezultat i vendimit të Ivanovit.
Ambasada e SHBA-së të enjten postoi se ishte “e shqetësuar se Maqedonia [është] duke u larguar nga parimet e demokracisë dhe sundimit të ligjit, [të cilat janë] vlerat thelbësore të NATO-s”.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zannier gjithashtu shprehu shqetësim, duke postuar se rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit 11 ishin një bazë e fortë për formimin e një qeverie të re dhe njoftoi një vizitë në vend javën e ardhshme.
Komisioneri i BE për Zgjerim, Johannes Hahn deklaroi të mërkurën në mbrëmje se BE-ja “ka përsëritur vazhdimisht se të gjithë liderët në vend, përfshirë presidentin, duhet të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve të fundit”.
“Në një demokraci, duhen njohur shumicat parlamentare, edhe nëse dikujt nuk i pëlqejnë. Prandaj pres që të gjithë liderët politikë dhe institucionet të lënë procesin demokratik të vazhdojë – në interes të shtetasve të vendit,” shkroi Hahn në deklaratë.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, e cila mbërrin në Shkup të enjten, pritet që të ruajë të njëjtën retorikë kur të takohet me Ivanov dhe liderët e tjerë politikë.