Presidenti i Republikës Ilir Meta dekretoi kthimin për rishqyrtim në parlament të ligjit për miratimin e kontratës së partneritetit publik privat për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Orikum – Dukat.
Presidenti i Republikës ktheu të premten për rishqyrtim në parlament ligjin për miratimin e kontratës koncesionare midis Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës dhe kompanisë së ndërtimit Gjikuria Sh.p.k, për projektim, ndërtim dhe mirëmbajtje të rrugës Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës).
“Ky ligj miraton një kontratë koncesionare ku vullneti i Qeverisë Shqiptare në këtë proces është formuar në kundërshtim të hapur me rregullat që normojnë këtë proces, në shkelje të parimit të konkurrencës së lirë dhe të barazisë përpara ligjit, duke krijuar rrezik për cenim të interesit publik,” tha zyra e presidentit në njoftim për shtyp.
“Kontrata e lidhur mes autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik është formalizuar përgjatë një procesi jotransparent ndaj publikut dhe pa një bazë ligjore konkrete për negocimin e kushteve materiale të saj,” shtoi presidenca.
Ky është ligji i dytë për kontrata koncesionare i kthyer pas për rishqyrtim në parlament nga Presidenti i Republikës gjatë kësaj jave. Të enjten Meta ktheu në parlament ligjin për kontratën koncesionare të rrugës Milot-Balldren.
Kontrata e qeverisë shqiptare me kompaninë Gjikuaria Sh.p.k, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës) për një periudhë 13 vjeçare, kap një vlerë prej 70.1 milionë euro.
Sipas presidentit kontrata koncesionare për këtë segment rrugor nuk ka një vlerësim të qartë ekonomik pasi nuk është dhënë miratimi i projektit nga Ministria e Financave, çfarë krijon rrezik për cënimin e financave të shtetit.
Presidenti gjithashtu evidenton faktin se institucionet financiare ndërkombëtare kanë kërkuar nga qeveria shqiptare, në mënyrë eksplicite, eliminimin në mënyrë të menjëhershme të ofertave të pakërkuara, si oferta me një kosto të rëndë në ekonominë e vendit.
“Nuk rezulton të ketë një studim fizibilteti të plotë dhe objektiv të hartuar dhe të miratuar nga institucionet shtetërore përgjegjëse të ngarkuara me ligj me këtë detyrë,” tha presidenca.
“Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mosevidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit,” përfundoi ajo.