Lajm8 Jun 2019

Presidenti Meta shfuqizon 30 qershorin si ditën e zgjedhjeve lokale

Vendimi kontrovers i presidentit Meta u prit me brohorima nga protestuesit e opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërkohë që kryeministri Edi Rama tha se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Presidenti Ilir Meta duke folur në një konferencë për shtyp në Tiranë më 4 mars 2019. Foto: Malton Dibra/LSA

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi shfuqizimin e 30 qershorit si ditën e mbajtjes së zgjedhjeve vendore në Shqipëri, në kohën kur kryeministri Edi Rama po zhvillonte një takim elektoral në Berat dhe dhjetra mijëra mbështetës të opozitës nisën protestën e tetë kombëtare para zyrës së tij në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” të shtunën.

Vendimi i paprecedentë dhe i paarsyetuar juridikisht u motivua me situatën kritike të krijuar dhe me rrezikun e “përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend”.

“Duke marrë përgjegjësinë e lartë kushtetuese e institucionale, dhe i bindur se mbrojtja e parimeve kushtetuese është më e rëndësishme se çdo afat ligjor…kam vendosur të shfuqizoj Dekretin nr.10928, datë 05.11.2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019,” thuhet në deklaratën e shpërndarë nga Presidenca.

Kodi Zgjedhor e orienton 30 qershorin si afatin e fundit që respekton përcaktimin kushtetues për mbajtjen e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore çdo katër vjet. Por në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, vendimi kontrovers i Presidentit Meta pritet të shoqërohet me debate kryesisht në terrenin politik.

Shfuqizimi i dekretit për mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor u prit me brohorima dhe me thirrje të përsëritura “fitore” nga protestuesit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Por kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se ky nuk është fundi i betejës.

Ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi nga Berati se ky ishte një plan i bërë me kohë, por shprehu bindjen se zgjedhjet do të bëhen më 30 qershor.

“Nuk jam i befasuar, e prisja edhe këtë,” tha Rama nga Berati pas deklaratës së shpërndarë nga Presidenca. “…nuk është asgjë veçse mbyllja e një rrethi të një plani të bërë me kohë, për një arsye të vetme, për arsyen se nuk kërkohet shtyrja e zgjedhjeve, kërkohet marrja zvarrë e qeverisë e varrimi i reformës në drejtësi,” shtoi ai.

Duke argumentuar se Shqipëria nuk mund të shkojë drejt zgjedhjeve njëpartiake, presidenti Meta fajësoi të dyja palët për mungesë përgjegjësie dhe kërkoi rivendosjen urgjente të dialogut politik. Sa për argumentet kushtetuese dhe ligjore pas këtij vendimi, presidenti paralajmëroi se do t’i bënte ato publike në një komunikim të ditës së hënë.