Lajm14 Sep 2020

Presidenti Thaçi punëson si konsulent diplomatin amerikan

Presidenti Hashim Thaçi ka punësuar si konsulent ish-kritikun e tij William Walker, një diplomat veteran amerikan i cili ishte shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë gjatë kohës së luftës, me një kontratë me vlerë 35,000 euro.

Autor: Taulant Osmani BIRN Prishtinë
Printo

Presidenti Hashim Thçi dhe diplomati amerikan William Walker. Foto: Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Fondacioni Walker, një organ i ngritur nga William Walker, ish-kreu i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, kanë nënshkruar një kontratë me vlerë 35,000 euro, e cila do të financohet nga buxheti i shtetit, ka mësuar BIRN.

Marrëveshja pesë-mujore për shërbime konsulence midis zyrës së presidentit të Kosovës dhe Fondacionit Walker, të cilën BIRN e ka parë, filloi në gusht të vitit 2020 dhe kushton 7,000 euro në muaj, një faturë e paguar nga taksapaguesit e Kosovës.

Procedura nuk përfshiu një proces prokurimi publik.

Fondacioni ka për detyrë të sigurojë ekspertizë mbi imazhin ndërkombëtar të Kosovës, përpjekjet e saj diplomatike dhe integrimin e saj Euro-Atlantik.

Në kontratë thuhet se “ofruesi i shërbimit do të ofrojë ekspertizë të avancuar në çështjet që përfshijnë, por nuk kufizohen, si në vijim: Përfaqësimi brenda dhe jashtë vendit i Republikës së Kosovës, zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet e tjera, forcimin e funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe avancimin e nismave ekonomike dhe integrimin e Kosovës në strukturat Euro-Atlantike”.

Marrëveshja skadon në dhjetor 2020, me mundësinë e zgjatjes së saj edhe për gjashtë muaj të tjerë.

Kontrata përmban edhe marrëveshje të rrepta konfidencialiteti. “Gjatë kontratës dhe pas skadimit të saj, ofruesi i shërbimit nuk lejohet të zbulojë informacione konfidenciale në lidhje me detyrat, subjektin e kësaj kontrate, ose aktivitetet e zyrës së presidentit të Kosovës, pa një miratim me shkrim nga Kabineti i Presidentit”, thuhet në të.

Kur u kontaktua nga BIRN, Fondacioni Walker nuk pranoi të komentojë më tej mbi shërbimet që po i ofron presidentit Thaçi.

“Kushtet e kontratës na detyrojnë ta mbajmë këtë informacion konfidencial”, tha Hasan Salihu, drejtor ekzekutiv në fondacion.

Megjithatë, Salihu tha se Walker shpesh përfshihet drejtpërdrejt në konsulencën e dhënë nga fondacioni.

“Zakonisht, të gjitha raportet, këshillat dhe aktivitetet e tjera profesionale përgatiten nga ambasadori William Walker”, tha ai.

Walker më parë nuk ka pasur marrëdhënie të mira me Thaçin. Në vitin 2010, ai e akuzoi Thaçin se kishte përfituar nga korrupsioni gjatë mandatit të tij si kryeministër dhe mbështeti publikisht partinë e opozitës Vetëvendosje.

Në një intervistë për RTV Dukagjini në vitin 2017, Walker tha se Thaçi “është një burrë i pashëm, por unë nuk e admiroj – e vetmja gjë që Thaçi di të bëjë mirë është të mbajë të lumtur ndërkombëtarët”.

Walker e viziton shpesh Kosovën në janar për të përkujtuar masakrën e Reçakut, të cilën ai e deklaroi një krim kundër njerëzimit në vitin 1999 pasi vizitoi skenën e vrasjeve një ditë pasi ato kishin ndodhur.

Pas përkujtimores së këtij viti, ai u takua me Thaçin dhe falënderoi publikisht dhe shtrëngoi duart me presidentin, ndërsa Thaçi deklaroi se kritikat e Walker-it ishin gjithmonë me qëllime të mira.

“Sigurisht që ambasadori Walker ka qenë një kritik i neve që merremi me politikë, por kritikat e tij kanë qenë gjithmonë të mirëpritura, pasi ato na kanë përmirësuar, madje edhe mua personalisht”, tha Thaçi.

“Prandaj, edhe kur ai na kritikonte, ne e donim, respektonim dhe vlerësonim punën dhe angazhimin e tij për popullin dhe shtetin e Kosovës”, shtoi ai.