Lajm29 Oct 2021

Presidenti Vuçiç mohon të ketë kërcënuar me vrasje të burgosurin kroat të luftës

Presidenti Aleksandër Vuçiç mohoi pretendimet se ai kërcënoi se do të vriste një të burgosur gjatë luftës kroate në vitin 1991, duke i quajtur “gënjeshtra brutale dhe të neveritshme" akuzat e një dëshmitari krimesh lufte.

Autor: Milica Stojanovic BIRN Beograd
Printo

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç. Foto: Facebook/Aleksandar Vucic.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç hodhi poshtë të premten pretendimet se ai mori pjesë në një krim lufte në Kroaci në vitin 1991, pasi një gazetë kroate raportoi se një dëshmitar gjyqi dëshmoi se Vuçiç e kërcënoi me vdekje.

Vuçiç u tha mediave në Beograd se ai ishte në Kroaci disa herë në vitet 1970 dhe 1980 kur ka qenë fëmijë dhe adoleshent, por jo në vitin 1991.

Ai tha se nuk shkoi në Kroaci gjatë luftës “deri në fund të vitit 1994 ose 1995, kur shkova si zyrtar i Partisë Radikale Serbe, për dy ditë, kur shkuam në një fushatë zgjedhore në Krajinën serbe të mbajtur nga rebelët serbë”.

Ai tha gjithashtu se “nuk kishte qenë kurrë në Petrinjë (ku u kap i burgosuri) gjatë gjithë jetës sime, kurrë”.

Gazeta kroate Vecernji List raportoi të enjten se një dëshmitar që ajo e quajti Kosta D. tha në një gjyq për krime lufte në Zagreb se Vuçiç ishte i pranishëm kur ai u kap në shtator 1991 dhe e kërcënoi se do ta vriste.

Dëshmitari tha se “Më kujtohet kur presidenti aktual i Serbisë, Vuçiç, sikur ta shikoja tani, erdhi tek ne dhe tha se do të më vriste dhe do të më therte”, raportoi Vecernji List.

“Vuçiç më tha se, si serb, e kisha tradhtuar popullin serb dhe se do të më therte të fundit”, shtoi ai.

Dëshmitari po dëshmonte në gjyqin e ish-luftëtarëve serbë Dusan Joviç, Milo Paspalj, Vlado Cupoviç dhe Marko Vrcelj, për krime lufte kundër civilëve dhe robërve të luftës në vitin 1991 në zonën e Glinës, ku ndodhet Petrinja. Ata po gjykohen në mungesë.

Vuçiç tha se gjatë kësaj periudhe ka qenë student dhe se karriera e tij politike ka filluar vetëm në vitin 1993 kur iu bashkua Partisë Radikale Serbe.

Ai argumentoi se në Kroaci, “disa njerëz gjykohen në bazë të dëshmive të dëshmitarëve të tillë. Imagjinoni se si do të përfundojnë këta njerëz, në bazë të gënjeshtrave të tilla brutale dhe të neveritshme”.

Dëshmia e akuzuesit të tij u raportua nga një gazetë tjetër, Jutarnji List, e cila gjithashtu publikoi një deklaratë të një dëshmitari tjetër, i cili tha se kishte parë një nga të pandehurit, si dhe dëshmitarin Kosta D., ndërsa mbahej rob, por se nuk e kishte parë Vuçiçin atje.

Gjatë gjysmës së parë të viteve 1990, Partia Radikale Serbe ishte aktive në përhapjen e retorikës nacionaliste, por disa nga anëtarët e saj u përfshinë gjithashtu në konfliktin në terren, në Kroaci dhe më vonë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Udhëheqësi i Partisë Radikale Serbe Vojisllav Shesheli u dënua në vitin 2018 për nxitje të krimeve me fjalime nacionaliste që ai mbajti në rajonin e Vojvodinës të Serbisë gjatë luftës në 1992.

Vuçiç, së bashku me nënkryetarin e partisë Tomislav Nikoliç, u larguan nga Partia Radikale Serbe në vitin 2008 dhe formuan Partinë Progresive Serbe, e cila është në pushtet që nga viti 2012.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *