Organizata Ndërkombëtare për Migracionin prezantoi një projekt për krijimin e fjalorit në internet shqip-serbisht, i cili synon të lehtësojë komunikimin midis dy komuniteteve më të mëdha të Kosovës, të cilët rrallë mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit.
Ditën e hënë Organizata Ndërkombëtare për Migracionin prezantoi në Prishtinë projektin për të realizuar një fjalor në internet shqip-serbisht me rreth 20,000 fjalë, me qëllim që të ndihmojë shqiptarët dhe serbët etnikë të vendit të komunikojnë më mirë.
IOM planifikon ta përfundojë projektin e fjalorit në internet shqip-serbosht, i cili besohet të jetë i pari i këtij lloji, deri në shtator 2019.
Shqipja dhe serbishtja janë dy gjuhët zyrtare të Kosovës. Gjuhë të tjera si turqishtja dhe ajo rome janë në përdorim zyrtar në komunat ku njerëzit që i flasin ato përbëjnë të paktën pesë për qind të popullatës lokale.
Pesë komuna të Kosovës – Kamenica, Mamusha, Dragashi, Mitrovica e Veriut dhe Mitrovica e Jugut- kanë përfituar tashmë nga një projekt IOM, i mbështetur nga ambasada britanike në Kosovë, i cili ofron kurse falas në gjuhën shqipe dhe serbe.
Koordinatorja e projektit e IOM-it Svetlana Rakiç tha se për projektin e fjalorit janë rekrutuar ekspertë nga Kosova dhe Serbia.
“Ne kemi identifikuar pengesën që përbëjnë gjuhët, kështu që kemi filluar ndërtimin e një platforme online, Vocup, me mbështetjen e ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK,” tha Rakiç.
Gazetarja nga Prishtina Una Hajdari tha se në dekadat e fundit, shqiptarët dhe serbët e vendit nuk po mësojnë gjuhët e njëri-tjetrit.
“Ndryshe nga kolegët e mi, unë flas dhe raportoj në dy gjuhë, në shqip dhe serbisht. Ka gjithashtu mangësi në përkthimet e të dy gjuhëve përkatëse për faktin se që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999, nuk ka pasur asnjë iniciativë, as nga pala serbe dhe as nga ajo shqiptare, që të mësonin gjuhën e tjetrit,” tha Hajdari.
Ajo shtoi se fjalori i fundit dygjuhësh shqip-serbosht në Kosovë u botua në vitin 1985.
Slavisa Mladenoviç, Komisioneri i Gjuhëve të Kosovës, është i bindur se fjalori do të ndihmojë në lehtësimin e bashkëjetesës midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.
“Ne presim që kjo do të përmirësojë marrëdhëniet midis dy komuniteteve. Për herë të parë pas 30 vjetësh, ekspertë nga Prishtina dhe Beogradi u ulën në një tavolinë për të punuar për këtë projekt,” tha Mladenoviç.
“Kjo do ta lehtësojë shumë punën në administratën publike dhe do të përfaqësojë një aspekt të rëndësishëm në pajtimin e dy komuniteteve,” shtoi ai.