Devedesete.net, një faqe e re e ndërtuar me historianë nga Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia, synon të ndihmojë arsimëtarët të japin mësime mbi luftërat e viteve 1990 në ish-Jugosllavi dhe të promovojnë pajtimin.
Shoqata e Arsimëtarëve Europianë të Historisë, EUROCLIO, në bashkëpunim me shoqatat e mësuesve dhe edukatorëve të historisë nga rajoni i ish-Jugosllavisë, kanë prezantuar një faqe të re interneti që përmban materiale që synojnë të ndihmojnë lëndët që kanë lidhje me luftërat e viteve 1990.
Faqja e internetit Devedesete.net është rezultat i një projekti dy vjeçar me titull “Të Mësosh Historinë që s’është Ende Histori”.
“Kjo është një periudhë që mbahet mend në mënyra të ndryshme dhe shpesh shumë kontradiktore dhe ekskluzive,” thotë faqja e internetit.
Historia e luftërave të viteve 1990 është një çështje e ndjeshme në të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë dhe ndërsa temat e kohës së luftës trajtohen në mësimet në disa vende, në disa vende të tjera ato trajtohen pjesërisht ose nuk trajtihen fare, shton faqja e internetit.
“Kroatët jetojnë ende në vitet 1990, serbët pretendojnë se vitet 1990 nuk ndodhën fare, derisa situata më kaotike ekziston në Bosnje dhe Hercegovinë për shkak të një numri të madh të kurrikulash dhe planeve mësimore”, tha Aleksandar Todosijeviç i Shoqatës për Historinë Sociale të Serbisë, EUROCLIO, e cila ishte e përfshirë në dizenjimin e faqes së internetit.
“Ideja jonë ishte t’u tregojmë mësuesve se ka materiale përtej kurrikulës mësimore që mund të përdoren për të dhënë mësime për luftërat e viteve 1990 në një mënyrë moderne dhe të përgjegjshme. Këtu përfshihen baza të ndryshme të dhënash, literaturë, dokumentarë dhe filma, ekspozitë në muze, memoriale si edhe projekte të ndryshme OJQ-sh,” shtoi Todosijevi[.
Ndër materialet përfshihen edhe vendime të Gjykatës së Hagës dhe dy dokumentarë të realizuar nga BIRN në Bosnjë dhe Hercegovinë – “Më mungon”, mbi të afërmit e personave të zhdukur, dhe “Ulërimë e heshtur” që tregon për traumat që përjetojnë ende viktimat e abuzimeve seksuale të kohës së luftës në Bosnjë.
Todosijevi[ tha se duke përdorur materialet në faqen e internetit, mësuesit doo të mund t’i mësojnë fëmijët për pajtimin.
“Në publik njerëzit ende flasin për viktimat “e tyre”, secila palë mendon se ata vuajtën më shumë. Nëse ne i mësojmë fëmijët në këtë mënyrë, kjo do të shkaktojë zemërim ose ndonjë lloj urrejtjeje midis fëmijëve që do të ishte një bazë e përsosur për konflikte të reja,” shpjegoi ai.