Lajm30 Sep 2021

Prindërit kërkojnë shfuqizimin e vendimit për mësim të shkurtuar dhe me turne

Në disa shkolla të kryeqytetit po firmoset nga prindërit një peticion që kërkon shfuqizimin e udhëzimit të Ministrisë së Arsimit për mësimin me orare të shkurtura dhe turne në shkollat e Tiranës. Prindërit paralajmërojnë bojkot të mësimit dhe protesta.

Autor: Blerina Gjoka BIRN Tiranë
Printo

Iva Çaushaj, një nga organizatoret e peticionit pranë shkollës “Emin Duraku” në Tiranë. Foto: Blerina Gjoka.

Në shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” në zonën e ish-Bllokut, dhjetëra prindër firmosën të enjten një peticion që kundërshtonte mësimdhënien me orë të shkurtura dhe me turne për fëmijët e tyre.

Peticioni i formuluar dhe shpërndarë në disa shkolla të kryeqytetit nga një grup prindërish, synon të nxisë Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë që të shfuqizojë udhëzimin për mësimin e shkurtuar në shkolla.  Në formulimin e dokumentit prindërit kanë parashikuar bojkot të mësimit dhe më pas protesta para ministrisë, nëse kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh në një afat kohor 5-ditor nga dorëzimi i peticionit.

Iva Çaushaj, një prej iniciatorëve të këtij organizimi, i tha BIRN se kjo që po ndodh me fëmijët në shkollat e Tiranës është e papranueshme. Ajo shprehu keqardhjen se shumë prindër e përkrahin nismën, por nuk e firmosin peticionin nga frika për punën në administratë.

“Kërkesa jonë është një e vetme; zhvillimin e progamit lëndor me orare të plota 45 minutëshe. Është e pafalshme që fëmijët tanë penalizohen për shkak të pandemisë, kur këto masa nuk zbatohen në asnjë aspekt tjetër të jetës sociale të qytetit,” tha ajo. Sipas Çaushajt, kjo nuk është vetëm një çështje e prindërve, por e gjithë qytetarëve.

Peticioni citon si bazë ligjore nenin 57, pika 1 të “Kushtetutës së Shqipërisë” me argumentin se po shkelet e drejta themelore kushtetuese për arsim, si dhe ligjin “Për arsimin parauniversitar” për cënimin e të drejtës së prindërve për konsultim në vendimmarrje.

Rigerls Xhemollari nga Qendresa Qytetare, një organizatë joqeveritare për çështje të arsimit, i tha BIRN se vendimi për orare të shkurtuara është diskriminues, pasi prek vetëm një pjesë të nxënësve ose rreth 370 shkolla në të gjithë vendin. “Shteti nuk ofron barazi për të gjithë fëmijët dhe shkel të drejtën për arsim cilësor, duke e bërë mësimin joefektiv me oraret e shkurtuara,” theksoi ai. Sipas tij, janë afro 60-70 mijë nxënës që preken nga mësimi me turne.

Aneo Hilaj, prind i dy fëmijëve që ndjekin arsimin 9-vjeçar, tha se këto masa të ministrisë po penalizojnë jo vetëm fëmijët, por dhe prindërit. “Duhet që një prej prindërve të mos punojë në mënyrë që të jetë në gatishmëri për të çuar e marrë fëmijët nga shkolla me turnet dhe oraret e shkurtuara të mësimit,” tha ai.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, tha të mërkurën, se oraret e shkurtuara dhe mësimi me turne prekte vetëm 22 për qind të shkollave, të cilat kanë densitet të lartë nxënësish për klasë, ndërsa 78 për qind e tyre zhvillon mësimin normal.

Prindërit paralajmërojnë se do të dalin në protestë së bashku me fëmijët, nëse shteti nuk reagon për të zgjidhur problemin.

Prindër të nxënësve në shkollën “Emin Duraku” firmosën të enjten një peticion për shfuqizimin e mesimit me orar të shkurtuar. Foto: Blerina Gjoka.