Një peticion online ka nisur në Moldavi, ku prindërit i kërkojnë qeverisë të instalojë sisteme mbikëqyrjeje në kopshte për të mbrojtur fëmijët nga abuzimi.
Organizata moldave Prindërit në Solidaritet startuan të martën një peticion online duke u kërkuar autoriteteve të instalojnë kamera mbikëqyrjeje në kopshte.
Peticioni nisi pas postimeve në mediat sociale të videove të ngarkuara nga prindërit, që i kishin regjistruar fshehurazi përmes fëmijëve të tyre, ku dyshohej se ata abuzoheshin nga stafi në kopshte.
“Është një problem sistematik, i vjetër që nuk është zgjidhur deri më tani”, tha Iuliana Zaharia, kryetare e “Prindërve në Solidaritet”, e cila po mbledh firmat për peticionin.
“Shumë flitet për dhunën, por pak po bëhet nga autoritetet. Ata lëshojnë disa udhëzime që rrinë në rafte, bëjnë disa konferenca, por asgjë nuk ndryshon në realitet”, shtoi Zaharia.
Ajo shtoi se më parë i kanë dhënë një peticion kryeministrit Pavel Filip dhe ministres së arsimit Monica Babuc por kanë marrë përgjigje.
Disa orë nga krijimi, peticioni i ri mblodhi mbi 1,000 firma online. Prindërit kërkojnë kushte më të mira pune për personelin në çerdhe, si dhe ndëshkime për ata që janë përgjegjës për abuzime.
Drejtorja ekzekutive e prindërve në solidaritet, Ala Revenco, tha për BIRN se në shumicën e rasteve në kopshte ku janë regjistruar abuzime, drejtuesit kanë dijeni, por përpiqen ta mbulojnë.
“Çdo herë kur ndodh një rast dhune, prindërit e kuptojnë se nevoja [për mbikëqyrje] është e ngutshme”, tha Revenco.
Mariana, një nënë 30-vjeçare, vajza tre-vjeçare e të cilës filloi kohët e fundit frekuentimin e një çerdheje shtetërore, tha se survejimi me kamera do të ishte më shumë se i mirëpritur.
“Për një vit, vajza ime frekuentoi një kopsht privat, aty kishte kamera dhe ne ishim shumë të qetë, çdo ditë mund të shihja videon dhe të ndiqja çfarë po bënte atje fëmija im atje. Po, tarifat ishin më të shtrenjta, por qetësia mendore është më e rëndësishme”, tha ajo për BIRN.
Ajo shtoi se ajo dhe prindërit e tjerë propozuan të mbledhin paratë për të instaluar një sistem mbikqyrjeje për të monitoruar fëmijët në kopshtin shtetëror dhe drejtori i kopshtit po përpiqet të gjejë një mënyrë ligjore për ta zbatuar atë.
Peticioni nisi pasi disa raste të abuzimeve në kopshte të kapura në video u bënë virale në mediat sociale.
Qeveria dhe partia në pushtet janë në presion për të vepruar për të zgjidhur shqetësimet e prindërve përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Moldavia po përballet me probleme serioze me depopullimin, ku shqetësimi kryesor është largimi i të rinjve që kërkojnë një jetë të mirë në vendet e Europës Perëndimore.