Lajm31 Jul 2021

Pritet riatdhesimi i 14 fëmijëve dhe 5 grave nga kampi famëkeq i Sirisë

Kryeministri Edi Rama njoftoi të shtunën nga Bejruti shpëtimin e 14 fëmijëve dhe 5 grave nga kampi Al Hol në Siri, në të dytin operacion për riatdhesimin e tyre drejt Shqipërisë.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Fëmijë në një kamp të Sirisë. Foto: Wikicommons.

Kryeministri Edi Rama deklaroi të shtunën nga Bejruti se 14 fëmijë dhe 5 gra shqiptare ishin shpëtuar nga kampi famëkeq Al Hol në Siri dhe pritet të kthehen të dielën në Shqipëri.

“Janë 14 fëmijë dhe pesë gra, pengje të kampit të ferrit… Unë jam këtu për t’i marrë fëmijët dhe gratë dhe për t’i kthyer nesër në atdhe,” tha Rama në një intervistë për Top Channel.

Ky është operacioni i dytë i shpëtimit i organizuar nga autoritetet shqiptare, pas riatdhesimit në tetor të vitit të shkuar të një gruaje dhe 4 të miturve nga kampi Al Hol, i drejtuar nga kurdët. Rama e konsideroi operacionin e shpëtimit të gjatë dhe të ndërlikuar dhe falenderoi për ndihmën shefin e sigurisë së Libanit, gjeneralin Abass Ibrahim.

Mbi 100 qytetarë shqiptarë u larguan drejt Sirisë në vitet 2012-2014 dhe u bënë pjesë e konfliktit të armatosur, fillimisht përkrah frontit Al-Nusra të Al-Qaedës dhe më pas në organizatën terroriste ISIS. Mes tyre ishin edhe mbi 13 gra dhe 31 fëmijë.

Me rënien e Shtetit Islamik pranverën e vitit 2019, mendohet se rreth 50 fëmijë dhe gra shqiptare ndodheshin në kampet e pengjeve të ISIS të ngritura në Siri, ku më i madhi është kampi Al Hol.  Prej vitit 2019, familjarët në Shqipëri i kërkojnë qeverisë shpëtimin dhe riatdhesimin e fëmijëve të pafajshëm.

Pas operacionit të fundit, është i paqartë numri i fëmijëve dhe grave shqiptare të mbetur në kampet siriane.

Sipas kryeministrit Rama, marrja e informacionit brenda kampit është shumë e vështirë, pavarësisht angazhimit të shërbimeve inteligjente.

“Tani që flasim, ne kemi mundur të tëheqim të gjithë ata për të cilët kemi informacion,” deklaroi Rama nga Bejruti.