Lajm23 Feb 2021

Problemet me pasurinë, KPK shkarkon gjyqtaren Mariana Shegani

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi vendimin për shkarkimin e gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Mariana Shegani (Dedi), pas problemeve në kriterin e pasurisë.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Mariana Shegani (Dedi) pas vendimit nga KPK. Foto;Vladimir Karaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të martën vendimin për shkarkimin e gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Mariana Shegani (Dedi), pas problemeve në kriterin e pasurisë.

Shegani, e cila u hetua nga trupa e kryesuar nga Suela Zhegu, me anëtare Firdes Shuli dhe relatorë Brunilda Bekteshi,  u përball të premten në seancë dëgjimore me një relatim i cili i vuri në dukje një sërë problemesh në kriterin e pasurisë.

Gjatë relatimit të gjetjeve të hetimit administrativ, relatorja Bekteshi vuri në pah se Komisioni kishte konstatuar një numër problemesh me deklarimin e pasurisë së subjektit, përfshirë mungesë burimesh të ligjshme për asetet e paluajtshme, mos deklarim të detyrimeve financiare ndaj personave të lidhur, si dhe balanca negative në analizën e burimeve për pasuritë e luajtshme.

Ndërkohë, gjyqtarja që ka një karrierë të gjatë tre dekada në Gjykatën e Tiranës, u vlerësua pozitivisht për sa i përket pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Shegani i cilësoi provat dhe konstatimet e paraqitura nga KPK konform procedurave ligjore, por insistoi se problemet e konstatuara për pasurinë ishin ‘pakujdesi të paqëllimshme.

Shegani e ka filluar karrierën në vitin 1992 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe për gati tre dekada rresht ajo ka vazhduar ta ushtrojë funksionin në këtë gjykatë.