Lajm11 Jul 2019

Problemet me pasurinë vënë në pikëpyetje karrierën e gjyqtarit Ilir Mustafaj

Kandidati për në Gjykatën Kushtetuese Ilir Mustafaj, u përball me një sërë dyshimesh mbi pasurinë, përfshi edhe një transaksion brenda familjes në të cilin ai i shet bashkëshortes një makinë në bashkëpronësi. Mustafaj kundërshtoi gjetjet e KPK. 

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari Ilir Mustafaj, pas seancës në KPK. Foto:Edmond Hoxhaj/BIRN.

Hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ilir Mustafaj i cili kandidon për në Gjykatën Kushtetuese, zbuloi ndër të tjera edhe një transaksion “kontravers” brenda familjes.

Relatorja vuri në dukje se Mustafajt i ishte kaluar barra e provës pasi një makinë e deklaruar në bashkëpronësi me bashkëshorten me vlerë 400 mijë lekë, i ishte shitur prej tij kësaj të fundit për 500 mijë lekë. KPK vuri në dukje se “shkaku i shitjes” nuk ishte i qartë. Analiza financiare rezultoi negative për një vlerë prej rreth 6 milion lekësh.

Mustafaj i cili u përball të enjten me vetingun në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK vetëm në kriterin e pasurisë, kundërshtoi gjetjet e KPK. Ai tha se makina i ishte kaluar bashkëshortes në pronësi pasi ai nuk kishte kohë të merrej me fëmijët dhe familjen dhe ishte deklaruar vlera reale e saj. Ai tha se nuk i ishin marrë parasysh të ardhurat nga mësimdhënia në universitete private dhe pretendoi se analiza financiare ishte me bilanc pozitiv.

Kjo ishte hera e dytë që Mustafaj ftohej në KPK, pasi seanca e mëparshme e parashikuar për tu zhvilluar më datë 14 qershor u shty m e kërkesë të  gjyqtarit për përjashtimin e relatores Xhensila Pine.

Trupa gjykuese e KPK që hetoi Mustafajn përbëhet nga Lulzim Hamitaj kryesues, Xhensila Pine Reltore dhe Valbona Sanxhaktari anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Hans Kijlstra.

Ilir Mustafaj ka përfunduar fakultetin e Drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar deri në vitin 2000 si ndihmësgjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Ai ushtron funksionin e gjyqtarit në Gjykatën e Tiranës prej vitit 2000, ndërkohë që ka qenë edhe anëtar Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Paralelisht me punën si gjyqtar, Mustafaj ka punuar edhe si pedagog i jashtëm në fakultetin e Drejtësisë në Tiranë si dhe në disa universitete private në vend.

Në fillim të seancës dëgjimore, kryesuesi i trupës, Lulzim Hamitaj u shpreh se kërkesa e Mustafajt për përjashtimin e relatores Pine ishte rrëzuar nga trupa tjetër gjykuese e KPK-së si e pabazuar në ligj e në prova. Ai shtoi se për gjyqtarin Mustafaj është përfunduar rivlerësimi vetëm për kriterin e pasurisë. “Duhet të theksojmë se, ky veprim nuk ëshë i pakthyeshëm. Trupi gjykues pasi të dëgjojë subjektin, ka të drejtë të vlerësojë hapjen e hetimit edhe për dy kriteret e tjera”, tha ndër të tjera Hamitaj.

Ndërkohë Mustafaj kontestoi vendimin e trupës gjykuese të KPK-së për rrëzimin e kërkesës së tij për përjashtimin  erelatores Xhensila Pine. Ai tha se në vendim thuhej se “është marrë mendimi i relatores me telefon”. Ai tha se kishte kërkuar transkriptin e kësaj bisede, por nuk i ishte vënë në dispozicion. “Kjo provë është marrë në kundërshtim me ligjin. Marrja e provës me anë të telefonit, është një mënyrë ekstra ligjore dhe nuk njihet nga Kodi i Procedurës në Shqipëri”, tha gjyqtari. Ai pretendoi se megjithëse kishte sjellë prova, qëndrimi i relatores nuk kishte ndryshuar.

Hetimi për pasurinë

Relatorja Xhensila Pine, gjatë leximit të rezultateve të hetimit, vuri në dukje se nga hetimi i komisionit janë gjetur disa probleme në deklarimet e pasurisë së gjyqtarit Ilir Mustafaj.

Lidhur me apartamentin 121 metra katrorë në Tiranë, Mustafaj ka deklaruar si burim krijimi një kredi bankare marrë në 2006, në vlerën 40 mijë euro dhe 7 mijë euro detyrim personave të tretë. Pine tha se nga krahasimi i deklarimeve periodike me atë veting dhe prej dokumentacionit të siguruar nga Komisioni gjatë hetimit administrativ janë konstatuar mospërputhje lidhur me mënyrën e përfitimit të kësaj pasurie.

“Në deklaratën veting deklarohet apartament banimi me sipërfaqe 121 m2 ndodhur në rrugën Siri Kodra mbi bazën e kontratës së vitit 2007. Ndërsa në deklarimin e vitit 2007 nuk deklarohet fitimi i pronësisë për apartamentin në fjalë si dhe nuk deklarohet kontrata e shitblerjes”, pohoi Pine.

Ajo shtoi se është gjetur mospërputhje edhe për çmimin e paguar për këtë apartament, pasi në deklaratën veting deklarohet e blerë për 46 mijë euro për shkak të sipërfaqes më të vogël dhe disa punimeve të pakryera. Ndërsa në vitin 2007 çmimi ishte 54.6 mijë euro.

Sipas Komisionit, në deklarimin e vitit 2007 nuk pasqyrohen ndryshime në vlerë apo në sipërfaqen e tij. Pine theksoi se punimet e pakryera nga shoqëria dhe zvogëlimi i sipërfaqes të cilat kanë shërbyer si shkak për uljen e vlerës së apartamentit në shumën 8660 euro nuk janë të shoqëruara me asnjë dokumentacion ligjor provues për kryerjen e tyre apo për zvogëlimin e sipërfaqes. Pine vuri në dukje se nuk kishte qartësi mbi pagesën e shumës prej 7 mijë euro.

Relatorja po ashtu vuri në dukje problemet mbi përfitimin e 30 mijë eurove nga një kompani ndërtimi në vitin 2001. Shuma që ishte përdorur për të shlyer kredinë për apartamentin e përmendur mësipër ishte përfituar nga një kontratë sipërmarrje mes babait dhe vëllait të gjyqtarit dhe shoqërisë së ndërtimit.

“Bazuar në kontratën e sipërmarrjes së qershorit 2011 midis shoqërisë ndërtuese dhe babait e vëllait të subjektit është vendosur të vihen në dispozicion të shoqërisë së ndërtimit një truall prej 332 m2 dhe një banesë dy katëshe e palegalizuar prej së cilës do të përfitohej, një njësi parkimi, një njësi tregtare me sipërfaqe 50 m2 dhe 701 m2 sipërfaqe banimi, duke përfshirë edhe sipërfaqe të përbashkëta”, tha relatorja. Ndërsa u vu në dukje se në kontratë përfitoheshin edhe 150 metra katror apartamente si kompensim për shtëpinë dykatëshe.

Pine vuri në dukje se Mustafajt ishte përfshirë në një aneks të kontratës si përfitues, i shumës 30 mijë euro e cila do jepej në këmbim të sipërfaqes 50 m2 që përfitohej nga kjo kontratë. Ajo tha se shuma ishte paguar në korrik 2011, por për të nuk ishin paguar taksa dhe ajo  nuk ishte përmendur në deklarimet periodike te rubrika e të ardhurave.

Pine tha se nga analiza financiare për periudhën 2003-2016, gjyqtari ka rezultuar me bilanc negativ për tre vite: në 2009-ën në vlerën – 1.15 milionë lekë; në vitin 2011  me -4. 5 milionë lekë dhe në vitin 2013, me – 463 mijë lekë.

Komisioni ka konsideruar si persona të tjerë të lidhur edhe babain dhe vëllain e Mustafajt dhe ka kryer hetim lidhur me mënyrën e blerjes së një trualli në Yzberisht të Tiranës dhe ndërtimin e një objekti dykatësh aty.

Sipas Komisionit, babai i gjyqtarit Mustafaj rezulton që me kontratën e vitit 1998 të ketë blerë një sipërfaqe tokë arë-me sipërfaqe 1000 m2 në vlerën 2 milionë lekë në zonën e Yzberishtit në Tiranë, por vuri në dukje se ai nuk kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për të ndërtuar banesën edhe nëse nuk merreshin në në konsideratë shpenzimet jetike.

Komisioni ngriti dyshime edhe sa i përket kontratës së sipërmarrjes në vitin 2011, duke vënë në dukje se për truallin 332 m2 në pronësi të familjarëve të gjyqtarit Mustafaj, ata përfitonin si kompesim 105% sipërfaqes që kishin në zotërim. “Sipërfaqja e përfituar rezulton se është në vlerën 787 m2 ose 76% e ndërtimit”, tha relatorja Pine.

Komisioni evidentoi probleme edhe me dy kontrata noteriale për shitjen e truallit nga ana e babait të Mustafajt. Pine tha se Komisioni thirri si dëshmitare noteren lidhur me egzistencën e dy kontratave me numër të njëjtë, por përmbajtje të ndryshme. “Subjekti ka deklaruar se nuk e di arsyen pse noterja ka hartuar dy akte të ndryshme për të njëjtin objekt dhe me të njëjtin numër”, sqaroi Pine.

Komisioni ka gjetur mospërputhje edhe mes dy vërtetimeve bashkëngjitur deklaratës veting për tokën bujqësore në Ersekë me sipërfaqe 27 mijë m2 të përfituar nga Ligji “Për Tokën”.

Ndërkohë Pine identifikoi një rast kur gjyqtari Mustafaj i ka shitur bashkëshortes makinën e tyre që e kishin në bashkëpronësi. Sipas relatores, rezulton se një autoveturë tip Benz e blerë në dhjetor 2003 në vlerën 400 mijë lekë ka qenë në bashkëpronësi me bashkëshorten, po një vit më pas Mustafaj ja ka shitur atë së shoqes për 500 mijë lekë. Sipas relatores në deklaratën periodike të vitit 2004 nuk është deklaruar kalimi i pronësisë në emër të bashkëshortes.

“Gjithashtu nuk del i qartë shkaku i shitjes së makinës bashkëshortes, pasi më parë del në bashkëpronësi, 50% me 50%. Edhe për këtë i është kaluar barra e provës subjektit për të shpjeguar të kundërtën me prova e shpjegime të cilat do të vlerësohen”, tha Pine.

Qëndrimi i Mustafajt

Në fillim të fjalës së tij të enjten, gjyqtari Ilir Mustafaj theksoi se kishte sjellë edhe disa prova të reja për të mbrojtur argumentet e tij. Ai u ndal në ligjshmërinë e procesit duke thënë se kërkonte respektimin e të drejtave kushtetuese, të drejtave të njeriut si edhe paanshmëri.

“Kam kërkuar në mënyrë të vazhdueshme plotësimin e detyrimit kushtetues që të më bëni të njohur rezultatin e të gjithë kritereve. Jam shprehur se kam sjellë një numër shumë të madh provash…, për ju mund të jenë fletë…, por për mua janë jeta ime. E them me bindje se ekspertiza ime e përmbys konkluzionin tuaj”, pohoi Mustafaj.

Më tej kandidati për në Gjykatën Kushtetuese tha se pasuria e tij ishte vetëm një apartament 121 m2 për shlyerjen e të cilit kishte marrë kredi, një makinë e blerë për 430 mijë lekë dhe një tokë bujqësore e përfituar me ligjin 7501. “E gjithë kjo pasuri, vlen 6.4 mln lekë, duke futur edhe 1.1 mln lekë mobilim, shkon me vlerën 7.5 mln lekë”, pohoi Mustafaj. Ai shpjegoi se apartamentin e kishte marrë nga një mik i familjes i cili e kishte blerë në vitin 2004.

“Sipas kontratës që e ka blerë personi i tretë, apartamenti figuronte me sipërfaqe 129 m2 dhe i blerë në vlerën 54 600 euro. Kur mora të drejtat dhe detyrimet e këtij aprtamenti, kredia që mund të përfitoja me vlerën e tij ishte në shumën 40 mijë euro”, shpjegoi Mustafaj.

Ai shtoi se kur ishte njohur me kontratën kishte konstatuar se apartamenti ishte 121 m2 dhe se nuk ishin kryer punime që në total shkonin rreth 8860 euro duke bërë që vlera të shkonte 46640 euro. Mustafaj pohoi se ka paraqitur prova për situatën e apartamentit dhe se vlerën 8860 euro shoqëria ja ka kthyer blerësit të parë të kësaj banese.

Lidhur me dyshimet e favorizimit nga shoqëria ndërtuese, gjyqtari Mustafaj i paraqiti Komisionit disa kontrata akt-shitblerje në vlera më të ulta.

Gjyqtari Mustafaj dha edhe versionin e tij për përfitimin e vlerës 30 mijë euro nga shoqëria që ndërtoi në tokën e babait e të vëllait. “Në kontratën për këtë pronë, thuhet në një aneks që djali do të marrë 30 mijë euro. Çdo gjë është e pastër, si në vitin 2011 kur është marrë kjo shumë, si në deklaratën veting, edhe pse nuk është pasqyruar tek rubrika e të ardhurave, gjendet tek pronat si në deklaratën e vitit 2011 ashtu edhe në 2017-ën”, deklaroi Mustafaj.

Ndërsa për mospagimin e detyrimeve tatimore të vlerës 30 mijë euro, ai tha se ky ishte një detyrim që i takonte shoqërisë ndërtuese dhe jo atij apo familjarëve që ishin pronarët e truallit.

Lidhur me bilancet negative të konstatuar në analizën financiare, gjyqtari Mustafaj tha se ai ka munduar edhe si pedagog në Universitetin e Tiranës dhe në universitete private. Ai tha se duhej të merreshin parasysh e të konsideroheshin të ligjshme edhe të ardhurat e përfituara nga mësimdhënia pranë ish-Universitetit Kristal, ndonëse për disa vite nuk mund të siguronte dokumentacion. Mustafaj pohoi se në deklartat e viteve 2010 dhe 2011 thuhej se kishte marrë pagesa për mësimdhënie dhe honorare për udhëheqjen e diplomave dhe se kishte sjellë deklaratat e disa studentëve.

Mustafaj kundërshtoi edhe gjetjen e komisionit për përllogaritjen e vlerës së blerjes e të shitjes së tokës në Yzberisht nga babai duke thënë se trualli 332 m2 ishte blerë në vlerën 664 mijë lekë dhe jo 2 milionë sa është konkluduar nga KPK.

Gjyqtari Mustafaj tha se nuk ishte ndjerë mirë lidhur me përfundimet e Komisionit për kontratat e kryera nga noterja lidhur me shitjen e tokës nga babai i tij.  “Gjëja që duhet të kishit bërë ishte të kallëzonit në prokurori noteren. Dua të vleresoni këto prova”, i kërkoi Mustafaj KPK-së.

Për diferencat e tokës bujqësore të përfituar në vitin 1992 nga Ligji “Për Tokën”, Mustafaj tha se ishte problem i institucioneve të pushtetit vendor që në vertetimet e tyre shënonin sipërfaqe të ndryshme.

Ndërsa për makinën ai shpjegoi se duhej që t’i vendoste një vlerë kur kishte bërë kalimin në pronësi të bashkëshortes. Në vitin 2004 ja kam kaluar bashkëshortes se nuk kisha kohë të merresha me familjen e fëmijeve. Ja kalova bashkeshortes dhe duhej vendosur një vlere, ajo reale. E kam deklaruar se është pasuri bashkëshortore…”, pohoi Mustafaj.

Në fund të fjalës së tij, Mustafaj tha se ishte përpjekur që gjatë punës së tij 23 vite si gjyqtar të sillte një shembull pozitiv. Ai tha se e linte çmimin e trupës gjykuese nëse e kishte krijuar besimin në publik. KPK do të shpallë vendimin më datë 18 korrik, në orën 08:45 minuta.