Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare urdhëroi kompanitë e sigurimit të derdhin në “fondin e kompensimit” një shumë prej 566 milionë lekësh për vitin 2019, shumë kjo që u jep fund borxheve të akumuluara nga mosfunksionimi i Byrosë së Sigurimeve përgjatë dekadës së fundit.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare urdhëroi kompanitë e sigurimit të derdhin 566.5 milionë lekë në të ashtuquajturin “Fond Kompensimi” nga 100 milionë të propozuara nga Byroja e Sigurimeve, me synimin që diferenca të përdoret për të shlyer detyrimet e prapambetura dhe të akumuluara prej vitesh. Vendimi, i miratuar në mbledhjen e bordit të AMF-së më 28 dhjetor dhe i publikuar në buletinin e AMF të hënën, sanksionon që kompanitë e sigurimit të shlyejnë 100 milionë lekë për dëme të pritshme që mund të shkaktohen gjatë vitit 2019 dhe 466.5 milionë lekë për dëmet e krijuara vite më parë, por të papaguara. Ky është vendimi i tretë i AMF në trajtim të problemit të detyrimeve të pashlyera nga kompanitë e sigurimeve.
Një investigim i BIRN i kryer në janar 2018, raportoi se për periudhën 2001-2018, Byroja e Sigurimeve kishte akumuluar detyrime të pashlyera ndaj shqiptarëve që ishin viktima të aksidenteve të kryera nga automjete të pasiguruara në masën 1.8 miliardë lekë. [Link investigimi]
Problemi krijohej nga një detyrim i kompanive të sigurimit për të kompensuar përmes një institucioni përfaqësues të kompanive të njohur si Byroja e Sigurimeve, dëmet e shkaktuara në aksidente me fajtorë shoferë automjetesh të pasiguruara. Por pavarësisht detyrimit ligjor, kompanitë e sigurimeve në përgjithësi nuk paguanin kuotacionet që duhej të paguanin te Byroja, e cila nga ana e saj nuk shlyente viktimat, pavarësisht se këto të fundit shpesh dispononin edhe vendime gjyqësore të formës së prerë.
Një vendim i dhjetorit 2017, urdhëroi kompanitë të shlyejnë 1.2 miliardë lekë dëme të regjistruara në vitet 2005-2007 ndërsa vendimi i fundit plotëson detyrimet totale të akumuluara.
Pajtim Melani, kryetar i bordit mbikëqyrës të AMF i tha BIRN se përveç detyrimit të kompanive për të paguar faturat e prapambetura, AMF ka propozuar pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave ndryshime ligjore që synojnë të ristrukturojnë mënyrën e funksionimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimit si dhe të vendosin një sistem ndëshkimi dhe favorizimi për siguruesit e automjeteve në varësi të historikut të tyre me aksidente me dëm të njohur si “bonus malus“.
Sistemi “bonus malus” mundëson uljen e pagesës së sigurimeve për drejtuesit e automjeteve që nuk kanë shkaktuar aksidente gjatë vitit apo viteve paraardhëse si dhe rritjen e pagesës për atë pjesë të drejtuesve që kanë shkaktuar aksidente dhe rrjedhimisht dëme, si një mekanizëm edukues që supozohet se i jep incentivë ekonomike të sjellurit me kujdes në timon.
“Bordi i AMF ka rritur në mënyrë progresive detyrimet e shoqërive të sigurimit ndaj BSHS për fondin e kompensimit dhe ka ndjekur në baza mujore procesin e shlyerjes së dëmeve të prapambetura për të garantuar që qytetarët e dëmtuar të kompensohen,” tha Melani.
Tregu i sigurimeve në Shqipëri u krijua në fillim të viteve 2000 kur kompani private të sigurimeve u shfaqën në treg ku vepronte më herët në formën e monopolit shtetëror INSIG. Që nga ajo kohë, tregu ka qenë shumë problematik, me kufizime të ndjeshme të konkurrencës dhe hetime të shpeshta nga Autoriteti i Konkurrencës si dhe me shqetësime të vazhdueshme mbi korrektësinë e sjelljes së kompanive ndaj qytetarëve të dëmtuar në aksidente. Për vitin 2017, shqiptarët paguan 16.2 miliardë lekë sigurime, (rreth 130 milionë euro), ndërsa dëmet e paguara për aksidente të ndodhura ishin në masën 5.5 miliardë lekë, duke i lejuar kompanive të sigurimit norma të larta fitimesh bruto.