Lajm2 Jun 2021

Procedohen penalisht 4 inspektorë të IVMT-së në Bashkinë Dibër, lejuan ndërtime pa leje

Policia e Dibrës njoftoi nisjen e procedimit penal ndaj 4 punonjësve të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Dibër, për shpërdorim detyre. Kryeinspektori mohon akuzat.

Autor: Sami Curri BIRN Dibër
Printo

Godina e policisë së Dibrës. Foto kortezi.

Policia e Dibrës njoftoi të mërkurën nisjen e procedimit penal ndaj 4 punonjësve të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Dibër, për shpërdorim detyre.

“E.Xh., 37 vjeç, me detyrë Kryeinspektor pranë Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Dibër. J.O., 32 vjeç; F.R., 33 vjeç; SH.I., 51 vjeç, të tre me detyrë Inspektor pranë Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Dibër.”, thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Ermal Xheka, Kryeinspektor pranë Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Dibër, që është proceduar penalisht nga policia, në një bisedë telefonike për BIRN mohoi akuzat dhe tha se nuk kishte dijeni për procedimet që ishin bërë. “Të gjitha rastet që unë i kam në kompetencë dhe rastet e ndërtimeve pa leje që unë i kam konstatuar, kam marrë të gjitha masat e nevojshme. Nuk ka pasur asnjë tolerim për çdo rast që është konstatuar”, u shpreh Xheka.

Në një deklaratë për mediat më 18 maj 2021, drejtori i IKMT-së në qarkun e Dibrës, Lutfi Miftari, bënte me dije se njësitë e qeverisjes vendore me strukturat e mbrojtjes së territorit, nuk kanë marrë asnjë masë për frenimin e ndërhyrjeve në territor, pavarësisht se janë njoftuar.

“Janë konstatuar 24 ndërtime, nga të cilat 12 janë pa leje ndërtimi, ndërsa tjerat janë në proces legalizimi. Gjatë ditës së sotme janë marrë 5 masa administrative. Ky aksion do e vazhdojë pa ndërprerje deri në frenimin e plotë të ndërhyrjeve të paligjshme në territor”, thuhej në deklaratën e IKMT Dibër disa ditë më parë.

Shkëlqim Murrja, kryetari në detyrë i bashkisë Dibër, në një bisedë telefonike për BIRN, tha se nuk kishte dijeni për procedimet e DVP Dibër. “Në një moment të dytë kur të kem një informacion më të plotë për atë se çfarë ka ndodhur do të jap një sqarim për mediat”, u shpreh Murrja. Ky i fundit në deklaratat e mëparshme, kishte mohuar që strukturat vendore të mos kenë marrë masa kur janë konstatuar raste të ndërtimeve të paligjshme.

Në njoftimin e DVP Dibër, thuhej se punonjësit e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, duke mos kryer detyrat e tyre funksionale për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundraligjshme, “kanë lejuar qytetarë që të kryenin ndërtime pa leje në territorin e Bashkisë Dibër”.

Strukturat e opozitës në Dibër, vazhdimisht kanë akuzuar drejtuesit e policisë dhe bashkive se kishin lejuar ndërtimet pa leje, në këmbim të votës në zgjedhjet e 25 prillit.