Analize7 Jan 2016

Procedura të dyshimta pas koncesionit të fundit të madh energjetik në Shqipëri

Plot 37 vite më parë, në një zonë mes Dibrës dhe Kukësit, pranë fshatit Skavicë, u projektua një hidrocentral që do të plotësonte kaskadën e Drinit, duke rritur prodhimin elektroneergjetik të vendit me mbi 30 për qind dhe duke krijuar një rezervë energjetike të konsiderueshme. Së fundmi, ideja e hidrocentralit u shfaq sërish, me një emër tjetër dhe me procedura shumë të dyshimta

Autor: Bashkim Shala BIRN Kukës
Printo

Diga e hidrocentralit të Fierzës mbi lumin Drin. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Diga e hidrocentralit të Fierzës mbi lumin Drin. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Qeveria shqiptare i ka akorduar më 23 dhjetor 2015 një bashkimi kompanish turke, “Suzer Group” dhe “Nurol Holding”, një bonus në masën 8 pikë për ndërtimin e një koncesioni të quajtur Katundi i Ri. Vendimi i qeverisë nuk u publikua në faqen e saj zyrtare kryeministria.al, bashkë me vendimet e tjera të marra në të njëjtën mbledhje, një praktikë tashmë e njohur kjo e publikimit selektiv të vendimeve të qeverisë, duke fshehur ato vendime që mbartin potencial për debat publik.

Partia Demokratike në opozitë e denoncoi vendimin si një “aferë korruptive”.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë reagoi duke e konsideruar denoncimin e opozitës si “fabrikim dhe shpifje”, por pranoi se me të vërtetë, më 23 dhjetor 2015, qeveria e ka dhënë një bonus për një kompani turke.

Vendimi i qeverisë u publikua sot (7 janar 2015), në Fletoren Zyrtare. Vendimi, për të cilin nuk u publikua relacion shoqërues, mjaftohet vetëm duke thënë se jepet bonusi “për ndërtimin e hidrocentralit “Katundi i Ri”, mbi lumin Drini i Zi, në kuotën maksimale të ujit, 445 m.m.n.d, në kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë”.

Ende pa u dhënë lajmi nga qeveria shqiptare, kompania turke Suzer publikoi në faqen e saj të internetit lajmin se hidrocentrali i ri do të jetë me kapacitet 57 MW dhe pritet të kushtojë 110 milionë euro.

Qeveria thotë se në fakt, dhënia e bonusit është hapi i parë i koncesionit, i cili do të duhet t’i nënshtrohet gjithsesi një tenderi, sipas kuadrit ligjor ekzistues. Por kompania Suzer deklaron sakaq në faqen e saj të internetit se “punimet do të nisin në fund të vitit 2015” dhe se pritet që hidrocentrali të përfundojë së ndërtuari pas 30 muajsh nga nisja e punimeve.

Ndërkohë, Partia Demokratike thotë se në fakt, marrëveshja për koncesionin është arritur në mënyrë sekrete në prill të vitit të kaluar gjatë një vizite të kryeministrit Edi Rama në Stamboll. “I kërkuam Ramës të përgjigjej po bënte apo jo negociata të fshehta e të paligjshme për të dhënë pa garë e pa transparencë projektin më të rëndësishëm energjitik në Shqipëri, ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës,  një kompanie turke, Suzer & Nurol Group”, deklaroi Grida Duma, sekretare për marrëdhënien me publikun në Partinë Demokratike. Sipas saj, koncesioni është dhënë sakaq, aq sa Ministri i Ekonomisë, i vënë nën pyetjen se pse nuk ka investime të huaja në emisionin Zonë e Lirë, e deklaroi qartazi se koncesioni i Skavicës i është dhënë Suzer Group.

Ministria e Ekonomisë dhe Industrisë, nga ana e saj vijon të këmbëngulë se koncesioni është dhënë sipas procedurave të ngritura nga qeveria paraardhëse.

Qeveria paraardhëse në fakt krijoi modelin e dhënies me koncesion të pakërkuar të qindra hidrocentraleve në të gjithë Shqipërinë, model shumë i kritikuar edhe nga Partia Socialiste, në atë kohë në opozitë, si skema korruptive dhe në dëm të interesit publik.

Gjigandi i fjetur

Projekti për hidrocentralin e Skavicës është propozuar fillimisht në mesin e viteve ’80, kur u kryen studimet hidrogjeologjike. Në atë kohë, Shqipëria po përfundonte së ndërtuari hidrocentralin e Komanit, ndërsa Skavica do të shërbente për dy qëllime njëherësh: të prodhonte energji me kapacitet të instaluar prej 350 MW dhe të krijonte një liqen të ri me kapacitet të konsiderueshëm, duke sjellë rritje të prodhimit edhe në tre hidrocentralet më poshtë në kaskadën e Drinit. Hidrocentrali pritej të shtonte prodhimin me mbi 1.8 miliardë kWh në vit, pjesërisht falë prodhimit të vet dhe pjesërisht falë rritjes së eficencës hidrike në hidrocentralet e tjerë.

Projekti hasi fillimisht në një problem ndërkufitar. Nëse do të ndërtohej, ai do të përmbyste një sipërfaqe të konsideruehsme toke të punueshme në Shqipëri si dhe në Maqedoni, (në atë kohë, Jugosllavi). Jugosllavia qe ankuar sakaq në fillim të viteve 1980, kur Shqipëria ndërtoi hidrocentralin e Fierzës, i cili përmbyti një sipërfaqe të vogël toke në territorin e Kosovës.

Rrjedhimisht hidrocentrali mbeti pa u ndërtuar.

Në maj 2005, qeveria shqiptare socialiste ra dakord me një kompani italiane të quajtur TGK (Tassara-Geotecna Progetti-Kinglor srl) për ndërtimin e tij. Kompania italiane e ndryshoi projektin e koncesionit duke hequr dorë nga krijimi i digës dhe hartuar një projekt që do të shfrytëzonte Drinin me rrjedhje të lirë nga kuota 411 metra në kuotën 285 metra, pra në të gjithë lartësinë nga kufiri me Maqedoninë deri pranë Kukësit. Qeveria demokrate e ish-kryeministrit Sali Berisha e pranoi propozimin italian dhe dha “bonus” me 10 pikë. Edhe kësaj here, projekti dështoi. Nga viti 2010, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se qeveria e tij kishte ndër mend ta merrte vetë përsipër ndërtimin e hidrocentralit.

Ministria e Energjisë deklaroi se një studim për këtë qëllim është kryer nga kompania franceze e konsulencës SOGREAH. Studimi nuk është i disponueshëm për publikun dhe koha se kur është kryer studimi nuk jepet. Gjithsesi, qeveria shqiptare është përgatitur në heshtje së paku prej majit të vitit të kaluar, kur vendosi shfuqizimin e vendimit të qeverisë paraardhëse për koncesionin që i qe dhënë kompanisë italiane.

Skavica është projekti i fundit i madh energjetik i mundshëm në lumenjtë shqiptarë. Opsionet e tjera për ndërtim hidrocentralesh mbi lumin Vjosë apo Osum krijojnë mundësi për hidrocentrale më të vegjël. Skavica është gjithashtu një projekt që është themeluar si projekt me rëndësi strategjike, si për shkak të volumit të konsiderueshëm të energjisë që supozohet se do të prodhojë, ashtu edhe për shkak të pozicionit të tij si rregullues i prurjeve në hidrocentralet e Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës dhe Ashtës. Por qeveria nuk ka dhënë shumë sqarime për këtë çështje.

Në kushtet e mungesës së transparencës, qeveria lë gjithashtu të kuptohet se modeli i shfrytëzimit të pjesës së sipërme të kaskadës së Drinit ka ndryshuar dhe se hidrocentrali nuk do të quhet më Skavicë, por do të quhet Katund i Ri. Mbetet e pasqaruar se si do të funksionojë ky koncesion në kuadër të projektit origjinal si hidrocentral strategjik dhe nuk dihet se sa energji pritet të prodhohet dhe se çfarë efekti do të ketë në pjesën tjetër të kaskadës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *