Prodhime kinematografike rumune dhe bullgare po konkurrojnë në European Film Awards, fituesit e të cilit do të shpallen në dhjetor në Berlin.
Katër filma me pjesëmarrje bullgare dhe rumune janë përzgjedhur në katër kategori të ndryshme për prestigjozet European Film Awards.
“Mbreti i belgëve”, një bashkëprodhim i Belgjikës, Holandës dhe Bullgarisë, po konkurron në Kategorinë e Komedisë Europiane, ndërsa drama bullgaro-daneze-franceze “Pa zot” është zgjedhur si një nga pesë filmat e prezantuar në kategorinë Zbulimi Europian.
Dy të tjerët – “Postieri i Mirë” nga regjisori bullgaro-finlandez Tonislav Hristov dhe “I shkruar / I pashkruar” nga regjisori rumun Adrian Silisteanu – janë përzgjedhur respektivisht për kategoritë e Dokumentarit dhe të Filmit me Metrazh të Shkurtër.
Konkurrentët për çmimet European Film Academy 2017 u njoftuan në Festivalin Europian të Filmit në Sevilje të hënën në mbrëmje dhe do të vonohen nga më shumë se 3,000 anëtarë të European Film Academy para ceremonisë së ndarjes së çmimeve më 9 dhjetor në Berlin.
Hyrje të tjera
Hyrje të tjera të reja përfshijnë dramën romantike hungareze “Me trup dhe shpirt” nga regjisori Ildiko Enyedi, “Sheshi” i Rubens Ostlund (një prodhim i përbashkët nga Suedia, Gjermani, Franca dhe Danimarka) si edhe “Loveless” nga regjisori i famshëm rus Andrey Zvyagintsev, që janë të gjithë të përzgjedhur për disa kategori.
Por cilat janë historitë e produksioneve ballkanike që arritën nivelin e filmave më të mirë të Europës, sipas akademisë?
Mbreti i belgëve
“Mbreti i belgëve” është pjesërisht dokumentar, pjesërisht film që tregon një udhëtim, në të cilin një monark i fjetur që kalon përmes Ballkanit për në Stamboll zgjohet nga lajmi se vendi i tij është shpërbërë.
Ai duhet të rikthehet në shtëpi për të shpëtuar mbretërinë e tij, por stuhitë diellore anulojnë të gjitha fluturimet dhe prishin të gjitha mënyrat e komunikimit. Ai arrin të arratiset nga kufiri turk me ndihmën e një regjisori britanik dhe një grupi këngëtarësh folklorik bullgarë, duke filluar një odise nëpër Ballkan, duke u lidhur me botën reale të cilës ai zakonisht i qëndron larg dhe për pasojë edhe me veten e tij.
Realizuar dhe me regji nga Peter Brosens dhe Jessica Woodworth, filmi është përshkruar nga Variety si “një humor i butë satirik me baza më të thella”.
Pa Zot
Kjo dramë nga regjisori bullgar Ralitza Petrova fitoi çmimin Leopardi i Artë në Festivalin e Filmit në Locarno në vitin 2016 dhe fitoi vëmendjen e publikut në disa festivale të tjera filmi, përfshirë ato në Sarajevë, Reikjavik dhe Varshavë.
Personazhi kryesor është një infermiere nga një qytet i largët bullgar, e cila kujdeset për të moshuarit që vuajnë nga demencia, ndërsa shet kartat e tyre të identitetit në tregun e zi. E nxitur nga varësia e saj ndaj morfinës, asgjë nuk duket se ia shkund ndërgjegjen, as edhe vrasja e një prej pacientëve të saj, që kërcënon të ekspozojë krimet e saj.
Por jeta e saj ndryshon vetëm kur ajo takon një pacient të ri dokumentet e të cilit ajo i kishte shitur më parë. Ndjeshmëria që infermierja ndjen për të moshuarin e shtyn atë të bëjë një ndryshim, por kjo e ka një çmim.
“Rreth 30 vjet pas rënies së tij, pasojat e komunizmit vazhdojnë të kenë kostot e veta, ku ia hedh paq për vrasje pa u ndëshkuar dhe një mundësi për shpresë mund të lindë vetëm kur të ke humbur gjithçka,” tha regjisori i filmit, duke shtuar se ai përshkruan “rënien e një personi të zakonshëm, të detyruar të veprojë kundër dëshirës së tij të mirë”.
Postieri i mirë
Filmi bullgaro-finlandez, i cili tregon historinë e një fshati në kufirin bullgar me Turqinë – i njohur gjerësisht si “Porta e Madhe” për emigrantët dhe refugjatët që kalojnë për në Europë, tashmë ka arritur sukses global.
Filmi, i cili përzien dokumentarin me trillimin, u bë prodhimi i parë bullgarë që përzgjidhet për Konkursin e Filmit Sundance në vitin 2017 dhe e pati debutimin e tij të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar në Amsterdam.
Regjisori nga Finlanda Tonislav Hristov shkaktoi pështjellim me projektin e tij, i cili eksploron ndjenjat e shkaktuara nga kriza e refugjatëve tek njerëzit e zakonshëm në kufi të Europës në një periudhë rritjeje nacionalizmi dhe ksenofobie.
I shkruar/ I pashkruar
I renditur në në Kategorinë e Filmave Europian me Metrazh të Shkurtër, filmi tregon historinë e një familje rumune rome, e cila sapo ka mësuar se vajza e tyre e mitur është bërë nëna e një vajze. Babai i pakënaqur, Pardica, fajëson për këtë gruan e tij.
Për t’i përkeqësuar edhe më shumë gjërat, një punonjës spitali zbulon probleme që kanë lidhje me mjetet e tyre të identifikimit dhe përcakton se ata janë prindër të një nëne në moshë të mitur, që nënkupton se ata rrezikon të ndahen nga vajza e tyre nga autoritetet shtetërore.
Regjisori Adrian Silisteanu thotë se ideja për filmin lindi nga një situatë e vërtetë jetësore ku ai qe vetë dëshmitar.
“Një familje rome që priste që vajza e tyre 15-vjeçare të lindte fëmijën e saj papritur e gjeti veten në një situatë absurde ku rrezikonte ta ndanin nga ajo, për shkak të gabimeve në sistem,” tha ai, duke shtuar se qëllimi i filmit të tij është “të ngrejë një sërë pyetjesh që kanë lidhje me mënyrën sesi shoqëria përpiqet të zgjidhë ndërveprimet midis anëtarëve të saj, duke mos marrë parasysh veçantinë dhe individualitetin e secilit prej tyre”.