Lajm11 Jan 2017

Prodhuesi boshnjak i këpucëve befasohet nga ftesa për në inaugurimin e Trump

Pronari i fabrikës boshnjake të këpucëve, që i dërgoi një palë këpucë speciale Melania Trump, ka “mbetur pa gjumë” pasi mori një ftesë për një nga ballot e inaugurimit të presidentit të ri në Uashington.

Autor: Danijel Kovacevic BIRN Banja Luka
Printo

Çifti Trump shpreson të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Foto: Flickr/Marc Nozell.

Çifti Trump shpreson të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Foto: Flickr/Marc Nozell.

Marinko Umiceviç, drejtor i fabrikës me bazë në Banja Luka, Bema, i tha BIRN të mërkurën se atë nuk po e zinte gjumi pasi mori një ftesë në një nga festat e inaugurimit për presidentin e ri amerikan, Donald Trump më 20 janar.

“Të hënën në mbrëmje, mora një telefonatë nga agjencia që tha se po organizonte ballon e inaugurimit. Ata më thanë se i kisha shkaktuar telashe. Mesa duket, isha ftuar në ballon VIP por ata kishin harruar të më çonin një ftesë më herët,” tha Umiceviç.

Ai tha se nuk kishte fjetur gjithë natën për shkak të telefonatës, që kishte sjellë një grup problemesh të tjera.

“Duhet të gjej se çfarë lloj dhurate t’i çoj Melanisë, çfarë të blej për të. Nuk më intereson shumë Trumpi. Por duhet t’i dërgoj asaj diçka të këndshme,” tha Umiceviç.

Ai tha se e kishte pyetur agjencinë nëse mund të merrte dikë me vete dhe kur mori përgjigjen pozitive, ai tha se do të pëlqente të merrte Milorad Dodik, presidentin e entitetit serb të Bosnjës, Republika Srpska.

“Gruas sime nuk i pëlqeu kjo. Ajo është e mërzitur tani dhe nuk do të m’i hekurosë më kamishat,” tha Umiceviç me një buzëqeshje.

“Nuk është e thjeshtë të shkosh në Amerikë, duhet të përgatis shumë gjëra,” tha Umiceviç që e kaloi një pjesë të mirë të së martës duke përgatitur dokumentet për një vizë amerikane.

Aplikimi i Dodik për të shkuar në Uashington për eventin ishte refuzuar nga ambasada amerikane.

Por duket se prodhuesi i këpucëve do të afrohet më shumë me presidentin e ri dhe Zonjën e Parë sesa presidenti i Republika Srpska.

Përpara se viza e tij të refuzohej, Dodik u mburr se mori disa ftesa për inaugurimin e presidentit të ri.

Më vonë rezultoi se ftesat ishin për evente të tjera që do të ndodhnin në Uashington në ditën e inaugurimit, por jo në ceremoni.

Në fund të gushtit, ndërsa gara presidenciale ishte në vazhdim dhe shumica e sondazheve favorizonin demokraten Hillary Clinton, Bema i dërgoi dy palë këpucë Melania Trump të projektuara nga dizajnerët më të mirë të fabrikës: një palë këpucë të rehatshme me sfungjer dhe taka lëkure.

Ndërsa shumica e europianëve duket se mbështesnin Clintonin në fushatë, shumica e sërbëve ishin pro Trump, kryesisht për shkak të thirrjeve të tij të përmirësimit të marrëdhënieve me aleatin e vjetër të Serbisë, Rusinë.

Një tjetër faktor i interesit të serbëve ishte se Melania është një sllave. Ajo ka lindur në qytetin Sevnica të Sllovenisë.

“Këpucët për Melania Trup janë përgjigjja jonë ndaj komenteve të ndyra që ajo ka marrë si nënë dhe grua,” tha Umiceviç në atë kohë.

Umiceviç nuk është i sigurt nëse Zonja e Parë do t’i vesë këpucët e tij në ditën e inaugurimit.

Më herët, ai i tha BIRN se nuk do të zhgënjehej nëse nuk merrte një telefonatë për të shkuar në inaugurim.

“Ato këpucë e kanë përmbushur qëllimin e tyre sepse znj. Trump vjen nga kjo zonë. Me të dhe bashkëshortin e saj në Shtëpinë e Bardhë, ne presim një lloj dege ulliri nga Amerika,” tha ai.

Në dhjetor 2016, Bema dërgoi këpucë për të dyshuarit për krime lufte në Bosnje-Hercegovinë, të cilët janë aktualisht në paraburgim në gjykatën e Hagës.

Nëntë të pandehurit, katër serbë dhe pesë kroatë, morën nga një palë këpucë nga Bema.

Në vitin 2010, Bema i dërgoi një palë këpucë speciale me lëkurë dhie si dhuratë Krishtlindjesh 33 minatorëve nga Kili, të cilët u shpëtuan pasi kaluan 69 ditë në një minierë të shembur.