Lajm8 Jan 2019

Projekti i Rimëkëmbjes Energjetike me pullë të kuqe

Banka Botërore vlerësoi progresin drejt realizimit të objektivave të reformës energjetike si "relativisht të pakënaqshme", pasi reduktimi i humbjeve ka ngecur dhe disa projekte të mëdha investimesh janë vonuar.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri dhe drejtori i OSHEE, Ardian Çela, duke dalë nga një mbledhje e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste më 7 tetor 2017. Foto: Malton Dibra

Banka Botërore vlerësoi ecurinë e projektit të Rimëkëmbjes Energjetike si “relativisht të pakënaqshëm” duke vendosur shenjën e kuqe në vlerësimin e fundit të kryer në dhjetor 2018, për shkak se reduktimi i humbjeve në rrjet është shumë larg objektivit fillestar ndërsa disa investime të rëndësishme janë vonuar në zbatim. [Link]

Ky është raporti i dytë radhazi i BB që vlerëson negativisht ecurinë e projektit që parashikon borxhe me vlerë 150 milionë euro dhe që është edhe projekti i disatë i BB në këtë sektor që përfundon me “rezultate të pakënaqshme”.

“Komponenti më i madh “Përmirësimi i Infrastrukturës së Shpërndarjes” vijon të përjetojë vonesa në zbatim dhe nuk do të realizojë objektivat e caktuara deri në nëntor 2019, data e mbylljes së projektit,” shkroi BB në vlerësimin e fundit.

“Për rrjedhojë, progresi në zbatim vijon të vlerësohet si relativisht i pakënadshëm. OSHEE ka nevojë të trajtojë problemet në zbatim, veçanërisht në punimet e instalimit të pajisjeve të blera dhe që aktualisht janë në magazinë si dhe në plotësimin e sistemit të ri të faturimit sa më parë të jetë e mundur,” vijon më tej BB.

Programi i Rimëkëmbjes Energjetike parashikonte kryerjen e investimeve në përmirësimin e infrastrukturës si dhe luftimin e vjedhjeve me synimin e reduktimit të humbjeve në 14% të totalit të energjisë së hedhur në rrjet deri në fund të këtij viti. Afro 11 muaj nga afati i përcaktuar, humbjet vlerësohen nga BB në masën 26% sipas të dhënave të datës 14 dhjetor 2018, dhe e pandryshuar nga maji 2018. Në fakt, reduktimi i humbjeve jo vetëm që nuk ka reflektuar planin fillestar, por duket se ka ngecur që nga vera e vitit 2017.

Shqipëria hedh në rrjet afërsisht 7 miliardë kWh në vit ndërsa çdo 1% humbje është e barazvlefshme me miliona euro kosto shtesë që përballohen nga konsumatorët shqiptarë.

Në një raport të vitit të kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehu shqetësimet mbi atë që e quajti “ngecje” të reformës si dhe u ankua për mungesën e transparencës së qeverisë dhe një pjese të kompanive publike të sektorit mbi gjendjen e tyre financiare.