Lajm22 Apr 2015

Projektligji për mediat online hap debatin mbi lirinë e shprehjes në Shqipëri

Deputetja demokrate, Majlinda Bregu ka dorëzuar një projektligj në Kuvend për disiplinimin e komenteve në median online, por ndryshimi ligjor rrezikon të shtojë autocensurën.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Media online | Ilustrim nga Mhkmarketing/Flickr

Media online | Ilustrim nga Mhkmarketing/Flickr

Një nismë ligjore, e dorëzuar në Kuvend nga deputetja demokrate, Majlinda Bregu pritet të hapë një debat mbi lirinë e shprehjes në Shqipëri. Projektligji synon të bllokojë komentet fyese dhe denigruese në median online, ndërsa ngarkon me përgjegjësi administratorët e këtyre faqeve për publikimin e tyre.

Nisma ligjore, e ndërmarrë nga Aleanca e Grave Deputete parashikon të shtojë një nen dhe një dispozitë tranzitore në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë. Përmes tyre, administratorët e mediave online detyrohen të pengojnë publikimin e çdo komenti “që cenon nderin, personalitetin apo reputacionin e një personi”.

Sipas projektligjit që disponohet nga BIRN, publikimi i këtyre komenteve ngarkon me përgjegjësi administratorin e portalit elektronik për dëmin e shkaktuar. Projektligji parashikon gjithashtu që administratorët e portaleve janë të detyruar të heqin komentet me natyrë fyese nga faqet online, menjëherë sapo marrin një ankesë.

“Ky projektligj propozohet në një moment ku media sociale po merr gjithnjë e më shumë terren dhe hapësirat e lëna pas çdo artikulli shoqërohen nga komente, të cilat në pjesën më të madhe janë denigruese dhe fyese, duke tejkaluar normat e etikës,” thuhet në relacionin e deputetes Bregu, që shoqëron projektligjin.

“Liria e shprehjes së mendimit nuk mund të shkelë mbi dinjitetin dhe personalitetin e një individi,” thuhet më tej në relacion.

Në propozimin e saj, deputetja Bregu i është referuar një vendimi të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e njohur si çështja 64569/09 Kompania Delfi AS kundër Republikës së Estonisë.

Gjykata e Strasburgut e ka konsideruar përgjegjës portalin estonez për komentet e përdoruesve, të cilat shkojnë përtej kufijve të kriticizmit. Vendimi nuk ka marrë ende formë të prerë.

Megjithatë, vendimi i dhënë në Strasburg është kundërshtuar nga një numër i madh juristësh ndërkombëtarë dhe çështja pritet të marrë një tjetër kthesë në Dhomën e Lartë të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

“Ky projektligj bazohet tek një vendim i Gjykatës së Strasburgut, i cili nuk ka marrë ende formën e prerë. Ndaj do të ishte e udhës të pritej vendimi përfundimtar i kësaj gjykate,” i tha BIRN Theodoros Alexandidis, ekspert i të drejtave të njeriut në qendrën Res Publica.

Projektligji “Bregu” ka hyrë tashmë në procedurat parlamentare, ndërsa të premten ai pritet të debatohet me përfaqësues të medias në Komisionin e Ligjeve. Megjithatë, pika më e debatueshme pritet të jetë neni që detyron Autoritetin e Komunikimeve Elektronike të ndalojë aksesin publik të një portali, në rast se në të nuk publikohen të dhënat e administratorit.

“Projektligji parashikon që AKEP mund të mbyllë një portal, nëse në të nuk publikohen të dhënat e administratorit. Kjo masë është ekstreme dhe joporpocionale,” thotë eksperti i të drejtave të njeriut.

Media online në Shqipëri u pa si një mënyrë alternative për të konkurruar median tradicionale, e cila vuante shpesh nga mungesa e lirisë dhe e paanshmërisë. Por projektligji i propozuar nga deputetja Bregu rrezikon të shtojë autocensurën edhe në median online.

“Autocensura e mediave dhe e gazetarëve në Shqipëri është një problem i madh. Ky projektligj mund ta thellojë atë,” përfundon eksperti Alexandidis.