Prokuroria e Specializuar me bazë në Hagë ka marrë në pyetje ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Sylejman Selimi – i cili së fundmi u lirua nga burgu pas një dënimi për krime lufte – si i dyshuar, thanë avokatët e tij.
Sylejman Selimi, ish-komandant guerilas i kohës së luftës i cili tani është këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, u mor një pyetje të mërkurën si i dyshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila po heton krimet e luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Avokatët e Selimit, Gregor Guy-Smith dhe Tome Gashi, thanë për mediat se kjo ndodhi në Prishinë në zyrat e EULEX-it.
“Ai u ftua si i dyshuar,” tha Guy-Smith.
Ai shtoi se “mbetet e paqartë” me të cilat krime të dyshuara prokurorët po kërkojnë ta lidhin Selimin.
Gashi tha se ata nuk mund të japin detaje për rastet për të cilat Selimi është marrë në pyetje.
“Le ta themi në këtë mënyrë pa shkelur ligjin se ishte një marrje në pyetje në përgjithësi dhe se të tilla ishin edhe përgjigjet,” shtoi Gashi.
Selimi ishte anëtar i “Grupit të Drenicës” i UÇK-së, i cili ishte burimi i shumë liderëve politikë të Kosovës pas luftës, duke përfshirë edhe presidentin aktual Hashim Thaçi.
Pas luftës, Selimi u emërua si komandant i Gardës së Kosovës, më pas komandant i Korpusit Mbrojtës të Kosovës.
Ai më pas u bë komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës deri në vitin 2011, kur u emërua ambasador në Tiranë.
Selimi u lirua me kusht më 25 janar pasi kreu më shumë se pesë vjet nga dënimi i tij me shtatë vjet burg për krime kundër civilëve serbë gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Ai u gjet fajtor për torturimin e një të burgosuri civil në një qendër të improvizuar burgimi të UÇK-së në fshatin Likovc në komunën e Skenderajt në vitin 1998 dhe fillim të vitit 1999.
Pas lirimit të tij nga burgu muajin e kaluar, ai u emërua si këshilltar politik i kryeministrit Haradinaj – një veprim që u kritikua të martën nga OJQ-ja Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.
“Njerëzit që kanë kryer krime lufte nuk i përkasin institucioneve shtetërore të Kosovës. Vendimi për të emëruar Selimin si këshilltar politik tregon mungesën e seriozitetit dhe mungesën e angazhimit të qeverisë ndaj drejtësisë, pajtimit dhe paqes,” tha YIHR në një deklaratë.
Zyra e Prokurorisë së Specializuar ka detyrë të hetojë të dyshuarit për krimet e kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës, nga viti 1998 deri në vitin 2000. Krimet besohet të përfshijnë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.
Dhomat e Specializuara të Kosovës me bazë në Hagë do të gjykojnë më pas të dyshuarit e akuzuar, të cilët priten të përfshijnë figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.