Azem Syla, një ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është thirrur për t’u marrë në pyetje nga prokurorët e Hagës, të cilët po hetojnë krimet e luftës dhe pasluftës.
Një avokat që përfaqëson Azem Sylën tha të hënën në mbrëmje se ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është ftuar për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, e cila po heton shkeljet e pretenduara nga luftëtarët e UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas luftës së viteve 1998-1999.
Avokati i Sylës, Besnik Berisha, tha për Radion Europa e Lirë se “nuk dihen ende detaje” nëse ish-komandanti është ftuar në cilësinë e dëshmitarit apo si një i dyshuar i mundshëm.
Syla është gjithashtu ish-deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, e cila u themelua nga presidenti aktual Hashim Thaçi.
Zyra e Prokurorit të Specializuar është e ngarkuar të hetojë vrasjet, rrëmbimet, ndalimet e paligjshme, dhunën seksuale dhe krime të tjera që dyshohet se janë kryer nga anëtarët e UÇK-së nga fillimi i vitit 1998 deri në fund të vitit 1999.
Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë priten të gjykojnë ata që paditen nga prokurorët. Sidoqoftë, asnjë aktakuzë nuk është bërë ende publike.
Që prej vitit të kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ftuar të marrë në pyetje më shumë se 100 ish-luftëtarë të UÇK-së.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dha dorëheqjen në korrik pasi u kërkua të merrej në pyetje si i dyshuar nga prokurorët.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe funksionojnë sipas ligjit të Kosovës, por është gjyqtarët dhe prokurorët e saj janë ndërkombëtarë.
Kjo gjykatë nuk shihet me sy të mirë në Kosovë, ku shumë njerëz e shohin UÇK-në si një forcë çlirimtare që e çliroi vendin nga sundimi armiqësor serb.