Lajm7 Nov 2019

Prokurorët e Hagës thërrasin Kadri Veselin

Kadri Veseli, një ish-figurë kryesore e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili drejton Partinë Demokratike të Kosovës, është thirrur për t’u marrë në pyetje nga prokurorët e Hagës të cilët ppo hetojnë krimet e kryera gjatë luftës dhe pas saj.

Autor: Përparim Isufi BIRN Prishtinë
Printo

Kadri Veseli, kryetari i PDK. Foto: Facebook.

Kadri Veseli tha të enjten se ai është ftuar për t’u marrje në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, e cila po heton shkeljet e pretenduara nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë dhe menjëherë pas luftës 1998-1999.

“Si një nga drejtuesit e UÇK-së, mora një ftesë sot nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për t’u marrë në pyetje më 4 dhjetor në Hagë”, tha Veseli në një konferencë për shtyp në Prishtinë, i cili ka qenë kryetar i parlamentit të Kosovës deri në zgjedhjet e fundit.

Veseli, i cili ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e UÇK-së, tha se periudha e tij me organizatën guerile që luftoi kundër forcave serbe ishte “pjesa më krenare e jetës sime”.

Ai tha se do t’i përgjigjet thirrjes për t’u marrë në pyetje nga prokurorët, të cilët po hetojnë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme, dhunë seksuale dhe krime të tjera që dyshohet se janë kryer nga anëtarët e UÇK-së nga fillimi i vitit 1998 deri në fund të 1999.

“Jam i bindur se Gjykata Speciale e Kosovës me bazë në Hagë do të dëshmojë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe do të ndalojë sulmet ndaj të vërtetës së popullit tonë dhe UÇK-së”, shtoi ai.

Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë priten të gjykojnë ata që paditen nga prokurorët. Sidoqoftë, asnjë aktakuzë nuk është bërë ende publike.

Që prej vitit të kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ftuar të marrë në pyetje më shumë se 100 ish-luftëtarë të UÇK-së.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dha dorëheqjen në korrik pasi u kërkua të merrej në pyetje si i dyshuar nga prokurorët.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe funksionojnë sipas ligjit të Kosovës, por është gjyqtarët dhe prokurorët e saj janë ndërkombëtarë.

Kjo gjykatë nuk shihet me sy të mirë në Kosovë, ku shumë njerëz e shohin UÇK-në si një forcë çlirimtare që e çliroi vendin nga sundimi armiqësor serb