Lajm10 Jan 2019

Prokurorët e Hagës “thërrasin të dëshmojë ish-luftëtaren e UÇK-së”

Ish-anëtarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Raimonda Rreci tha se Prokuroria e Specializuar në Hagë, e cila po gjykon krime lufte dhe paslufte, i ka kërkuar asaj ta marrë në pyetje – e fundit në sërën e ish-luftëtarëve të ftuar të bëjnë këtë.

Autor: Die Morina BIRN Prishtinë
Printo

Stema e UÇK-së. Photo: SGT Craig J. Shell, Marinsat amerikanë/Wikimedia Commons.

Raimonda Rreci, një ish-pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, tha të mërkurën në mbrëmje se ishte ftuar nga Prokuroria e Specializuar në Hagë që të merrej në pyetje.

Rreci shkroi në Facebook se e lajmëruan me një telefonatë më 4 dhjetor se është ftuar si dëshmitare, edhe pse ftesa nuk specifikonte nëse ajo po thirrej si dëshmitare apo si e dyshuar.

Nuk kam asgjë për të fshehur, mbase deklaratat e mia nuk do ju pëlqejnë, por unë do i përgjigjem. Mbetem krenare me luftën tonë, ne nuk bëmë asgjë më shumë sesa mbrojtëm pragun e derës,” tha ajo.

Rreci, e cila aktualisht është në SHBA, është ish-luftëtarja e fundit e UÇK-së që thirret për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Specializuar.

Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Prokuroria e Specializuar janë pjesë e sistemit ligjor të Kosovës, por ndodhen në Holandë dhe kanë për detyrë të hetojnë dhe të gjykojnë të dyshuarit për krimet e kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës, 1998-2000.

E ashtuquajtura Gjykatë Speciale pritet të padisë figurat e larta të UÇK-së për krimet e dyshuara, përfshirë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale. Ajo ende nuk ka bërë publike asnjë akuzë.

Të tjerë që janë thirrur të merren në pyetje në Hagë përfshijnë ish-komandantët e UÇK-së Rrustem Mustafa dhe Sami Lushtaku, ish-kreu i gjykatës ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, ish-figura e UÇK-së Nazif Mehmeti, ish-anëtarët Safet Syla dhe Sabahajdin Cena dhe ish-komandanti i njësisë së UÇK-së, Remzi Shala, i njohur gjatë kohës së luftës si “Molla e Kuqe”.

Të gjithë, përveç Shalës, shprehën gatishmërinë për t’u marrë në pyetje nga prokurorët, duke thënë se lufta e UÇK-së ishte mbrojtëse dhe jo kriminale.

Aktualisht, vendndodhja e Shalës nuk dihet.

Pasi u thirr nga prokurorët në dhjetor, Shala shkroi në Facebook “nuk do t’i përgjigjem kësaj ftese”.

Ai duhej të merrej në pyetje në Hagë më 17 janar, por të mërkurën kur ai duhej të paraqitej në një gjykatë të Kosovës ku është në gjyq që nga viti 2017, ai nuk u paraqit.

Sipas gjykatës, nëse Shala nuk do të paraqitet në gjyq herën tjetër që do të thirret, Policia e Kosovës do të përpiqet ta gjejë atë.

Shala po gjykohet për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës duke rrëmbyer dhe ndaluar një civil shqiptar etnik të dyshuar për bashkëpunim me Serbinë gjatë luftës së viteve 1990. Burri më vonë u gjet i vdekur në fshatin Dulje në komunën jugore të Suharekës.

Një ish-figurë e lartë e UÇK-së, që raportohet se është thirrur të flasë me prokurorët e Hagës, është ish komandanti i UÇK-së Sylejman Selimi, ish-ambasadori i Prishtinës në Shqipëri dhe ish-kreu i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Por avokati i tij Tome Gashi ka insistuar se klienti i tij nuk ka marrë ende ndonjë ftesë.

Megjithatë, në një postim në Facebook më 8 janar, Gashi shkroi se “ne, ekipi i avokatëve, po negociojmë me Prokurorinë e Specializuar që z.Sylejman Selimi të merret në pyetje në Prishtinë në një datë të paspecifikuar, kur gjendja e tij shëndetësore të jetë normalizuar”.

Selimi aktualisht po vuan një dënim me burg në një burg të Kosovës pasi u gjet fajtor për torturimin e një të burgosuri civil në një qendër të improvizuar paraburgimi të UÇK-së në fshatin Likovc në komunën e Skenderajt në vitin 1998 dhe fillim të vitit 1999.

Por tre ditë më parë, ai u dërgua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po trajtohet në klinikën ORL-së.

Ai u dënua me tetë vjet burg në maj 2015, por Gjykata e Apelit në Prishtinë e uli dënimin në shtatë vjet burg në tetor 2016.

Në qershor, Gjykata Kushtetuese vendosi që çështja duhej të rigjykohej nga Gjykata e Lartë, duke përmendur shkelje të së drejtës së të pandehurve për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.