Lajm16 Mar 2020

Prokurori Agim Dilka kërkoi dorëheqjen pasi KPK nisi procesin e vetingut

Dilka nuk ka preferuar të paraqitet në seancë dëgjimore dhe ka kërkuar ndërprerjen e procedurës së rivlerësimit të tij.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Anëtaret e Trupës Gjykuese, Xhensila Pine, Suela Zhegu, Olsi Komici, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto : LSA 

Prokurori i Prokurorisë së Elbasanit, Agim Dilka i kërkoi dorëheqjen nga detyra Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP më datë 27 janar 2020, rreth dy javë pasi u njoftua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK për anëtarët e trupës gjykuese që po kryenin procesin e rivlerësimit kalimtar.

Pasi është njohur me vendimin e datë 31 janar të KLP për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit, Komisioni i ka bërë me dije prokurorit Agim Dilka të drejtën e tij për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore. Në vendim thuhet se Dilka i ka kthyer përgjigje KPK ku sqaronte se, nuk do ta shfrytëzonte këtë të drejtë dhe se kërkonte ndërprerjen e procedurës së rivlerësimit të tij.

Më datë 11 mars, trupi gjykues i KPK i përbërë nga Xhensila Pine kryesuese, Olsi Komici relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare, ka vendosur të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për prokurorin Agim Dalka dhe të së drejtës së tij për t’u emëruar në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Prokurori Agim Dilka ka ushtruar funksionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gramsh në periudhën shtator 1995 – dhjetor 1998, ndërsa më pas ka shërbyer pranë Prokurorisë së Elbasanit.

Që nga fillimi i procesit të rivlerësimit 6 prokurorë kanë dhënë dorëheqjen.