Lajm30 Jul 2019

Prokurori Altin Dumani drejt konfirmimit në detyrë

Prokurori i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, Altin Dumani- njëherazi kandidat për Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, u përball me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjatë seancës dëgjimore.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Seanca dëgjimore në KPK e prokurorit Altin Dumani | Foto nga : Edmond Hoxhaj/BIRN

Drejtues i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, prokurori Altin Dumani, i cili u rendit i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, SPAK u përball të martën me vetingun në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK. Trupa gjykuese e KPK përbëhej nga Firdes Shuli kryesuese, Roland Ilia relator dhe Etleda Çiftja anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Altin Dumani e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 1999, ndërsa në vitin 2000 është emëruar drejtues i Prokurorisë së Tropojës. Në vitin 2004, Dumani u zgjodh prokuror i Krimeve të Rënda ku ka mbajtur edhe pozicionin e zv.drejtusit deri në vitin 2007. Po në këtë vit, u transferua në Prokurorinë e Tiranës në pozicionin e zv.drejtuesit në sektorin e krimit ekonomik.

Në vitin 2010, Altin Dumani u promovua në Prokurorinë e Apelit të Tiranës dhe prej fillimit të vitit 2019 është komanduar si drejtues i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda. Ai është angazhuar gjithashtu në mësimdhënie edhe si ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës.

Në fillim të seancës dëgjimore, kryesuesja e trupës gjykuese të KPK, Xhensila Pine, u shpreh se Komisioni e ka përfunduar rivlerësimin e prokurorit Dumani për të tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizimin.

Pasuria e prokurorit

Relatori Roland Ilia pohoi se sipas raportit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, prokurori Altin Dumani ka kryer deklarim të saktë të pasurisë, ka pasur burime të ligjshme për krijimin e tyre, nuk ka kryer deklarim të rremë apo fshehje si edhe nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.

Relatori Roland Ilia shtoi se Komisioni ka kryer hetim të pavarur për pasurinë, si ato të paluajtshme, ashtu edhe për likuiditetet.

Ilia nuk identifikoi probleme lidhur me blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 127 m2 pranë kompleksit sportiv Dinamo, të porositur nga bashkëshortët Dumani në vitin 2006 në vlerën e 50 mijë eurove. Sipas relatorit të çështjes, në deklaratën veting, Dumani ka pasqyruar si burim krijimi të kësaj pasurie vlerën 9 mijë euro kursime dhe një kredi e marrë në nëntor të vitit 2006 pranë Raiffeisen Bank.

Komisioni ka konstatuar se Dumani ka lidhur kontratë porosie në vitin 2006 në vlerën 50 mijë euro dhe se kësti i parë i paguar ka qenë 9 mijë euro. Ndërkohë, ka rezultuar se ka marrë edhe kredinë në vlerën 5 milionë lekë në vitin 2006. Ilia tha se shoqëria ndërtuese ka deklaruar se është shlyer detyrimi i pagesës së apartamentit. Komisioni ka konstatuar se kësti i parë 9 mijë euro është deklaruar nga gjendja cash në shtëpi e akumuluar ndër vite. Sipas relatorit Ilia, Dumani ka pasur burime të mjaftueshme financiare për krijimin e kësaj shume cash.

Po, ashtu, gjatë relatimit nuk u identifikuan problematika edhe lidhur me dy pasuritë e tjera, një ambient zyre dhe një apartament tjetër në Kashar.

Për zyrën me sipërfaqe 28 m2, të blerë në maj të vitit 2009 në vlerën 28 mijë euro, Dumani ka deklaruar si burim krijimi kursimet në gjendje cash dhe likuiditete bankare. Nga hetimi administrative, Komisioni ka konstatuar se pagesa është kryer në dy këste, i pari në vlerën 20 mijë euro në vitin 2009 kur është kryer porosia dhe kësti i dytë në në shumën 8 mijë euro në vitin 2011. Sipas relatorit Ilia, kjo pronë nuk rezulton të jetë e regjistruar në ZRPP. Gjithashtu, Komisioni ka gjetur se nuk është kryer deklarimi i gjendjes cash.

Relatori Roland Ilia pohoi se për apartamentin me sipërfaqe 75.7 m2 në Kashar të porositur në vitin 2015 në shumën 41 mijë euro, prokurori Altin Dumani ka deklaruar si burim krijimi kursimet ndër vite. Komisioni i ka gjetur të ligjshme burimet e krijimit të kësaj pasurie.

Komisioni ka konstatuar burime të ligjshme edhe të ardhurat e përdorura për blerjen e një automjeti tip “Reno” të vitit 2000 të blerë në vitin 2010 në vlerën 550 mijë lekë që rezulton të jetë shitur në vitin 2017 kundrejt shumës 200 mijë lekë. Ilia tha se si burim krijimi i kësaj pasurie janë deklaruar kursimet nga viti 2009. Po ashtu nuk janë gjetur probleme edhe në blerjen e një automjet tjetër tip Reno në vitin 2013, nga bashkëshortja e prokurorit Dumani në vlerën 2600 euro.

Realtori Ilia pohoi se Komisioni nuk ka gjetur parregullsi edhe në deklarimin e likuiditeteve bankare dhe se subjekti ka pasur të ardhura të mjaftueshme për krijimin e tyre.

Ndërkohë, Komisioni ka evidentuar mospagimin e tatimit të të ardhurave të përfituara nga dhënia me qira e pronave, apartamenteve dhe zyrës. Por, këto gjetje u kundërshtuan nga prokurori Altin Dumani gjatë fjalës së tij në seancën dëgjimore, i cili tha se kishte dorëzuar prova të mjaftueshme që vërtetonin se i kishte shlyer gjithë detyrimet.

Sipas realtorit Ilia, nga dhënia me qira e pronave të paluajtshme nga nga viti 2009 deri në vitin 2016 familja Dumani ka siguruar rreth 36 mijë euro. Ilia shpjegoi se gjatë shpjegimeve të tij, prokurori Dumani ka deklaruar familja e tij jeton tek banesa e prindërve të bashkëshortes, pa qira. Sipas relatorit të çështjes, Dumani nuk e ka deklaruar apartamentin ku banon.

Ndërkohë, lidhur me konstatimin e mospagesës së tatimeve për përfitimet financiare nga qiratë, Ilia tha se prokurori Dumani ka dhënë shpjegime e depozituar prova të cilat do të vlerësohen në gjatë vendimmarrjes. Gjithashtu, relatori Ilia theksoi se analiza financiare përfundimtare do të kryhet pas vlerësimit të provave dhe shpjegimeve të kryera nga subjekti.

Në fjalën e tij, prokurori Dumani u ndal tek gjetjet e Komisionit për mospagesën e tatimeve nga përfitimi i qirasë duke theksuar se i kishte dhënë provat se nuk kishte asnjë detyrim të pashlyer.

“Lidhur me pagesën e tatimeve mendoj se kam sjellë dokumente shteruese. Kam qenë i kujdesshëm për çdo kontratë që tatimet të paguheshin. Kur qiramarrësi ka qenë në cilësinë e personit fizik, i kam paguar unë tatimet. Kur ka qenë në cilësinë e personit juridik, ligji përcakton se tatimin në burim e paguan qiramarrësi. Këtë detyrim e kam vendosur në kontratë, kam qenë i kujdesshëm, edhe për shkak të punës”, pohoi Dumani.

Ai shpjegoi detaje të tjera duke theksuar se provat që kishte dorëzuar vërtetonin pagesën e tatimit në burim për të ardhurat e përfituara nga qiratë. “Ashtu si edhe kam shpjeguar, në bankë është futur vetëm pagesa neto, që do të thotë se është mbajtur tatimi. Shoqëria kroate që ka qenë një prej qiramarrësve ka paguar detyrimet dhe dokumentacioni figuron pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, ndërkohë që Komisioni ka marrë dokumentacione nga Drejtoria e Përgjithshme. Fatmirësisht i kam gjetur dhe dorëzuar dokumentet që vërtetojnë se tatimi është paguar”, pohoi prokurori Dumani. i cili shtoi se e njëjta situatë është edhe për pagesën e qirasë nga një shoqëri tjetër. “Kështu që bie poshtë çdo hije dyshimi”, theksoi ai.

Dumani sqaroi më tej se edhe për balancën negative -31 mijë lekë për vitin 2007, ka dorëzuar shpjegime për një shpërblim të përfituar nga bashkëshortja nga përkthimet e kryera gjatë atij viti.

Vlerësim pozitiv për profesionalizmin dhe figurën

Prokurori Altin Dumani është vlerësuar pozitivisht për profesionalizimin dhe pastërtinë e figurës. Sipas relatorit Ilia, për aspektin profesional, Këshilli i lartë i prokurorisë, KLP, ka informuar Komisionin se ndaj prokurorit Dumani nuk rezulton të ketë masa disiplinore apo të dhëna për përfshirjen e tij të mundshme në veprimtari të dyshimta. Për periudhën 2014-2016 ai është vlerësuar shumë mirë për punën e kryer. Ilia nuk identifikoi problematika edhe për 4 denoncime të kryera pranë KPK ndaj prokuorit Dumani.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, ka konkluduar se prokurori Altin Dumani nuk ka kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar dhe se është i përshtatshëm për vazhdimin  detyrës. Edhe Komisioni nuk ka gjetur probleme për këtë kriter.

Pasi Ilia përfundoi relatimin, prokurori Altin Dumani e cilësoi objektiv hetimin administrativ të kryer nga Komisioni. Ai tha se i është dhënë kohë e mjaftueshme për të dhënë shpjegime e prova dhe se ishte dakord me rezultatet e hetimit. Dumani kërkoi që rezultatet e hetimit dhe shpjegimet e provat që kishte dorëzuar pranë Komisionit të vlerësohen objektivisht.

Asnjë prej anëtarëve të Komisionit nuk pati pyetje për prokurorin Dumani. Po ashtu, edhe vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs tha se në 25 seancat që kishte ndjekur, ishte hera e parë që nuk kishte pyetje.

“Kjo duhet të jetë dita juaj me fat”, i tha Jacobs prokurorit.

Në fund të seancës dëgjimore, prokurori Altin Dumani kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. Komisioni do të shpallë vendimin më datë 31 korrik, ora 11:30.