Lajm1 Nov 2019

Prokurori Arjan Ndoja përfshihet në një atentat mafioz në Durrës

Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, shoferi i tij dhe një person i tretë i regjistruar në spital me emrin Pullumb Muhametaj, por i dyshuar për përfshirje në krim të organizuar u sulmuan me breshëri plumbash në autostradën Durrës-Tiranë.

Autor: Geri Emiri BIRN Durrës
Printo

Forcat e njësisë “Shqiponja” të Policisë së Shtetit ne ambientet e spitalit rajonal të Durrësit pas atentatit. Foto: Geri Emiri.

Policia e Durrësit njoftoi të premten se tre persona mbetën të plagosur gjatë një atentati me armë, i ndodhur në autostradën Durrës-Tiranë në vendin e quajtur “Mbikalimi i Shkozetit”.

Nga verifikimi i regjistrit në Spitalin Rajonal të Durrësit, BIRN mësoi se të plagosurit janë prokurori Arjan Ndoja, 44 vjeç me banim në Tiranë, shoferi i tij Andi Maloku, 30 vjeç dhe një person i tretë i regjistruar si Pullumb Muharremaj me banim në Sukth, i cili në njoftimin e policisë rezulton me inicialet A.L, 48 vjeç.

Atentati ndodhi rreth 16:30 të pasdites, ku makina me targa AA 333 ZD e drejtuar nga Maloku dhe me pasagjerë prokurorin Ndoja dhe Muharremajn u qëllua me breshëri plumbash nga persona të panjohur dhe më pas doli nga rruga. Policia njoftoi gjithashtu se Maloku u transportua për mjekim të specializuar drejt spitalit të Traumës në Tiranë, ndërsa dy të plagosurit e tjerë ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spitalin Rajonal të Durrësit.

“Dyshohet se shenjestra e atentatit ka Muharremaj. Ai ka ndryshuar disa herë identitet dhe ka precedentë penalë brenda dhe jashtë vendit,” i tha BIRN një zyrtar i Policisë së Shtetit.

Atentati është shoqëruar me rritjen e masave të sigurisë në spitalin Rajonal të Durrësit, ku mbrëmjen e së premtes kishte forca të repartit policor “Shqiponja” si dhe prani të shtuar njerëzish.

E pyetur nga BIRN, drejtoresha e spitalit, Nadire Jani tha se prokurori Ndoja nuk kishte plagë plumbash, ndërsa Muharremaj kishte marrë një plumb në nofull dhe ndodhej në operacion. “I plagosuri Andi Maloku u transportua drejt spitalit të Traumës në Tiranë për shkak të gjendjes së rënduar,” shtoi Jani.

Sipas një burimi të Policisë së Shtetit, Pullumb Muhametaj është në të vërtetë Landi Muhameti-i dyshuar për përfshirje në krim të organizuar dhe pronar tokash në Gjirin e Lalzit, i cili në shtator 2016 u shpall në kërkim nga policia për rrahjen e biznesmenit libanez, Faadi Mitri në sy të bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Prokurori Arjan Ndoja u akuzua në fillim të tetorit nga kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Erion Braçe se po i shërbente krimit të organizuar me urdhër-arrestin e lëshuar ndaj drejtorit të Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula.

“Fatkeqësisht po shohim se pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka dhe një efekt negativ, sepse shumë prokurorë e gjykatës që janë të zhytur deri në fyt, po e shfrytëzojnë pushtetin që ju jep ligji me moton ‘të kapin, çfarë të kapim’,” tha Rama, duke e bërë Ndojën shenjestër të fushatës kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, që ai vetë e quajti si KÇK.

Zv.kryeministri Braçe ishte i pranishëm në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë për Pulën dhe pas seancës e cilësoi qëndrimin e prokurorit si “presion dhe shantazh kriminal”. Sulmet e drejtuesve më të lartë të ekzekutivit u kritikuan nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si paragjykuese për çështjen hetimore në proces.

Kjo nuk ishte hera e parë që prokurori Ndoja ndodhej në qendër të akuzave. Pak më shumë se një dekadë më parë ai është hetuar për pastrim parash dhe fshehje pasurie, por akuzat ndaj tij u rrëzuan nga Prokuroria.

Ndërsa në korrik 2018, emri i Ndojës u lakua sërish pas dhunës së ushtruar ndaj avokatit Ilia Ilia pas daljes së këtij të fundit nga Gjykata e Durrësit. Avokati Ilia akuzoi prokurorin Ndoja se qëndronte pas dhunës së ushtruar ndaj tij.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në Drejtorinë e Policisë së Durrësit pas atentatit të së premtes. Foto: Geri Emiri.