Komisioneri Publik, Darjel Sina kërkon përmbysjen e vendimit të KPK-së për prokurorin Dritan Peka, bazuar mbi problemet e pasurisë dhe denoncimet e reja të mbërritura kundër tij për etikën profesionale dhe pastërtinë e figurës.
Shefi i Prokurorisë së Apelit të Tiranës, Dritan Peka do të përballet sërish me vetingun, pas konfirmimit të tij të diskutueshëm në detyrë më 4 mars 2019. Komisioneri Publik, Darjel Sina iu drejtua të premten me ankim Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, duke kërkuar përmbysjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit Dritan Peka.
Ankimimi i Komisionerit Publik përfshin të tre kriteret e rivlerësimit, bazuar mbi dokumentet e hetimit të përfunduar tashmë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit si dhe dy denoncime të reja të mbërritura në adresë të Pekës. Njëri prej denoncimeve, sipas Komisionerit Sina ngre dyshime për lidhje me persona të inkriminuar, ndërsa një denoncim i dytë për tërheqjen paraprake nga ankimi ndaj një vendimi penal.
Dritan Peka e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri në vitin 1997 si prokuror në Tiranë dhe mban postin e drejtuesit të Prokurorisë së Apelit të Tiranës prej vitit 2015. Procesi i vetingut për të u krye nga trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici, të cilët vendosën unanimisht konfirmimin e tij në detyrë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit referoi për procedim të mundshëm disiplinor një praktikë “të dyshimtë” punësimi në Prokurorinë e Apelit të Tiranës. BIRN ekspozoi në një investigim të mëparshëm se i punësuari ishte kunati i ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla; i rekrutuar nga Peka pa shpallje publike, pa arsim përkatës dhe i paguar edhe gjatë kohës që nuk ndodhej në Shqipëri.
Ndryshe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Komisioneri Publik argumenton në akimin e tij se Dritan Peka ka bërë deklarim kontradiktor dhe nuk arriti të shpjegojë bindshëm burimin e pasurisë së tij. Problemet kryesore të evidentuara nga Komisioneri lidhen me blerjen e një apartamenti prej 94.6 m2 në Tiranë, përfitimin e një kredie të butë në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave si dhe analizën financiare që rrëzon kursimet e deklaruara.
Sipas Komisionerit, Z.Peka ka kryer deklarime kontradiktore dhe nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e blerjes së një apartamenti me sipërfaqe 94.6 m2 në Tiranë. Ndërsa përfitimi i një kredie të butë nga bashkëshortja, ndërkohë që çifti Peka e zotëronte një apartament, konsiderohet “shkelje e etikës së prokurorit” nga Komisioneri Publik.
Bashkëshortja e prokurorit Peka-punonjëse në Kryeministri ka aplikuar për kredi me kushte lehtësuese në vitin 2007. Kontrata e kredisë është lidhur në vitin 2010 dhe sipas hetimit të kryer nga KPK, paratë i janë transferuar një kompanie ndërtimi.
Por kontrata e porosisë është revokuar nga bashkëshortët dhe kredia e butë prej 5 milionë lekësh ka shërbyer për blerjen e një apartamenti në Vlorë si dhe arredimin e tij në vlerën 700 mijë lekë. Në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, përfitimi i kredisë së butë është konsideruar e dyshimtë, pasi nuk bëhej fjalë për një familje të pastrehë.
Por ndryshe nga raste të ngjashme, trupa gjykuese argumentoi se “nuk ka prova të mjaftueshme për të konkluduar se nga ana e subjektit të rivlerësimit dhe e bashkëshortes së tij, ka pasur një përfitimin të kredisë së butë, në kundërshtim të qartë me dispozitat normative në fuqi apo ndonjë fiktivitet kontraktor i kryer prej tyre”.
Komisioneri Publik i bie shkurt në këtë pikë, duke argumentuar se kredia është përfituar në kundërshtim me kriteret e VKM; pasi në momentin e aplikimit Znj. Peka nuk mbante pozicionin e drejtorit të drejtorisë, ndërkohë që familja dispononte një apartarment banimi. Përdorja e kredisë së butë për blerjen e një apartamenti të dytë në Vlorë dhe arredimin e tij konsiderohet gjithashtu problematike nga Komisioneri Sina.
“…Kjo sjellje përbën shkelje etike të figurës së prokurorit dhe e ndërlidhur me shkelje të tjera të kryera nga subjekti i rivlerësimit, në kuptim të nenit 4 pika 2 të ligjit 84/2016, duhet të shërbejë për vlerësimin e përgjithshëm, në drejtim të cënimit të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë sipas nenit 61 pika 5 e ligjit 84/2016,” thuhet në ankim.
Komisioneri Publik e konsideron të padrejtë vendimarrjen e KPK-së për Pekën edhe sa i përket aftësive profesionale. Ai vlerëson se arsyetimi për rastin e punësimit të kunatit të Llallës nuk përputhet situatën faktike të bazuar dokumentacionin e administruar nga Komisioni. Gjithashtu, verifikimi i një denoncimi lidhur me një rekurs të shmangur nga një prokuror i Apelit e ka vendosur drejtuesin e Prokurorisë në pozitat e mosveprimit.
Peka ka pretenduar para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit se nuk mund të fillonte procedim disiplinor ndaj vartësit të tij vetëm për një çështje, por Komisioni Publik argumenton se Peka nuk ka ndërmarrë hapa për të informuar zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, detyrim ky i tij sipas dispozitave kalimtare.
Përveç kontestimit të hetimit në KPK, Komisioneri Publik i ka adresuar Kolegjit edhe dy denoncime të reja ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Apelit të Tiranës, njëra prej të cilave lidhet me heqjen dorë nga ankimi për vendimin e dhënë ndaj një personi të akuzuar për mashtrim.
“Për këtë rast, ndodhur në kushtet e mungesës së informacionit për arsyet e heqjes dorë nga ankimi si dhe procedurën e ndjekur, ky denoncim i bashkohet ankimit të Komisionerit Publik për t’u trajtuar më tej nga Kolegji,” thuhet në ankim.
Denoncimi i dytë ka mbërritur më 15 prill 2019 në postën elektronike të Komisionerit Publik dhe ngre dyshime për komunikime dhe kontakte të shpeshta me persona të përfshirë në krimin e organizuar.
Peka mori një raport pozitiv nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, por Komisioneri Publik vlerëson se të dhënat e këtij denoncimi duhen verifikuar.
“Të dhënat e këtij denoncimi duhen verifikuar nga ana e Kolegjit gjatë shqyrtimit të ankimit, në pamundësi objektive të verifikimit nga Komisioneri Publik, i cili nuk ka akses në burimet e informacionit dhe të disponojë për marrjen e provave,” thuhet në ankim.
Në fund të ankimit, Komisioneri Publik kërkon përsëritjen e hetimit të plotë të subjektit Dritan Peka, këtë herë para një trupe gjyqësore të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Në përfundim të gjykimit të çështjes, Komisioneri vlerëson se Kolegji duhet të vendosë shkarkimin nga detyra të prokurorit Dritan Peka.