Analize1 Nov 2021

Prokurori i arrestuar për korrupsion nuk justifikon pasurinë

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se prokurori i Sarandës, Sali Hasa ka kryer deklarime të pasakta dhe kontradiktore për pasurinë, ka mungesë të burimeve, si dhe është përpjekur t’i fshehë ato. Pranimi i një sipërfaqe toke në bregdet dhe i favoreve të tjera është konsideruar në cënim të besimit të publikut tek drejtësia nga KPK.  

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Trupa e KPK-së gjatë shpalljes së vendimit për prokurorin Sali Hasa. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 3 shtator 2021 të shkarkojë nga detyra prokurorin e Sarandës, Sali Hasa, i cili atëherë gjendej në qeli prej dy muajsh e gjysmë, pasi u  arrestua për korrupsion më 19 qershor, pas hetimeve ndaj një grupi të trafikut të drogës nga ana e SPAK.

Hetimi administrativ për prokurorin Hasa u mbyll vetëm për kriterin e pasurisë, pasi gjetjet u konsideruan të mjaftueshme për marrjen e vendimit përfundimtar vetëm për këtë kriter. Në vendimin e arsyetuar të KPK-së thuhet se Hasa nuk justifikon me burime të ligjshme krijimin e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve përgjatë gjithë periudhës që ka ushtruar funksionin si prokuror.

Veç mungesës së burimeve për krijimin e pasurive, trupi gjykues konstaton se Hasa ka kryer deklarim të pasaktë në këtë kriter, si dhe është përpjekur të fshehë dhe të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi dhe përdorim. Gjithashtu, është vërejtur se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarime kontradiktore gjatë procesit administrativ dhe nuk iu është përgjigjur saktë pyetjeve të Komisionit lidhur me pasuritë. Nga analiza financiare përfundimtare për periudhën 1997-2016 është konkluduar balncë negative në vlerën totale 15 milionë lekë.

Komisioni ka konstatuar pamundësi financiare në shumën 9 milionë lekë për krijimin e pasurive para deklaratës fillestare të vitit 2003. Në këtë analizë janë përfshirë edhe shpenzimet për blerjen e një trualli me sipërfaqe 500 m2 dhe një banesë me sipërfaqe 130 m2 në Kavajë me vlerë 2 milionë lekë, për të cilat Hasa ka deklaruar si burim krijimi gjendje cash dhe të ardhurat nga paga e bashkëshortes, prej aktivitetit familjar për periudhën 1996-2001.

Sipas KPK, subjekti nuk ka paraqtiru dokumentacion ligjor për ndërtimin e objektit, si dhe për shpenzimet e kryera. Nisur nga ky fakt, Komisioni ka përfshirë si shpenzim në analizën financiare vlerën 3.6 milionë lekë të përllogaritur sipas një udhëzimi të vitit 1999, për kostot e ndërtimit.

Ndërkohë, nuk është arritur të konfirmohet punësimi i bashkëshortes së subjektit në aktivitetin tregtar, për të cilin është deklaruar burimi i të ardhurave për ndërtimin e kësaj pasurie dhe është konkluduar pamundësi financiare.

“Edhe nëse Komisioni do të merrte në konsideratë koston e ndërtimit në vlerën 2.000.000 lekë sipas deklarimit të subjektit dhe vlerën e truallit prej 500.000 lekësh, përsëri subjekti do të rezultonte në pamundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie me burime të ligjshme”, citohet në vendim.

Po ashtu, subjekti nuk ka lidhur kontratë para noterit lidhur me shitjen e pretenduar të ndërtesës në vitin 2004, si dhe nuk është paguar tatimi mbi të ardhurat në shumën e pretenduar prej 2.5 milionë lekë.

Si pasojë e moskonsiderimit të kësaj shume si burim i ligjshëm, Hasa është gjendur në pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 163 m2 në Durrës. Megjithëse subjekti ka deklaruar si burim shumën 2.5 milionë lekë të përfituar nga shitja e objektit në Kavajë në vitin 2004, rezulton se kontrata e porosisë për apartamentin në Durrës është nënshkruar në 2001-in.

Pasi nuk është arritur të përcaktohet dhe provohet se sa është vlera e apartamentit, si dhe sa janë vlerat e paguara ndër vite, Komisioni konstaton se Hasa është përpjekur të fshehë dhe të paraqesë në mënyrë të pasaktë faktet dhe vlerat financiare për këtë pasuri në pronësi të tij.

“Nuk përkon asnjë nga deklarimet e subjektit me deklaratat e bëra prej tij dhe me dokumentacionin shkresor provues lidhur me këtë pasuri dhe vlerat përkatëse”, vëren KPK dhe sjell në vëmendje kundërshtitë e deklarimeve vjetore të subjektit me ato veting kur vlera e apartamentit është shënuar 1.7 milionë lekë, ashtu si dhe në kontratën e shitblerjes. Kjo, pasi në kontratën e porosisë të vitit 2001, vlera totale është parashikuar 50 mijë USD.

“Dyshohet që vlera në kontratën e shitblerjes të jetë bërë me qëllim mosdeklarimin e saktë të vlerës dhe shmangien e detyrimeve tatimore në favor të organeve kompetente”, vëren trupi gjykues.

Pretendimi i subjektit se apartamenti është marrë në dorëzim si karabina është vlerësuar i pabazuar pasi objekti ka qenë i regjistruar. “Nuk provohet me kontratë shitjeje se apartamenti ka pasur të metë apo se nuk mund të jetë objekt karabina vetëm i ndërtuar me kolona. Nuk provohet ndërtimi më pas nga subjekti i rivlerësimit dhe vlerat e shpenzuara për këtë ndërtim, pasi nuk është deklaruar asnjëherë nga subjekti në DPV-të përkatëse”, konstaton Komisioni.

Lidhur me këtë pasuri trupi gjykues arrin në përfundimin se Hasa ka bërë deklarim kontradiktor, të pasaktë dhe të rremë lidhur me vlerën dhe burimin e ligjshëm për blerjen e këtij apartamenti, si dhe ka rezultuar me balancë negative.

Deklarime kontradiktore dhe mungesë burimesh të ligjshme janë gjetur edhe për një apartament me sipërfaqe 90 m2 në Sarandë, të porositur në vitin 2010 për çmimin 3.9 milionë lekë; si dhe për katër autovetura, një Benz-i të blerë në vitin 2008 kundrejt shumës 1 milion lekë, një autoveture tip “Peugeot” për vlerën 500 euro dhe një automjeti tip “Audi A4” në vlerën 850 euro.

Po ashtu, Hasa është gjendur në pamundësi për arsimimin e fëmijëve në Rusi në vitet 2003-2005. Mëgjithëse subjekti ka pretenduar gjatë hetimit se shpenzimet e jetesës së fëmijëve janë mbuluar nga gjyshërit e fëmijëve, ky deklarim nuk është konsideruar pasi nuk është pasqyruar në deklaratat periodike dhe as në atë veting.

Cënimi i besimit të publikut

Pranimi i dhuratave nga persona me të cilët nuk ka pasur lidhje familjare, janë konsideruar prej Komisionit në cënim të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

Hasa ka deklaruar se me kontratën e dhurimit të vitit 2014, shtetasi V.R. u ka dhuruar fëmijëve të tij një sipërfaqe toke prej 1.000 m2 në Himarë. Dhuruesi V.R. ka deklarar se u dhuron pranuesve të dhurimit pa kundërshpërblim në bashkëpronësi të pandarë mes tyre me nga ½ pjesë, parcelën me sipërfaqe 1000 m2, nga pasuria e tij me sipërfaqe totale 38 mijë m2, në Himarë.

“[…]Komisioni konstatoi se subjekti nuk shpjegoi bindshëm si është përfituar ky dhurim nga një shtetas i cili nuk ndodhet në rrethin familjar të tij. Pranimi i dhurimit nga një prokuror të një sipërfaqeje të konsiderueshme toke, ndonëse nuk evidentohet ndonjë rast i drejtpërdrejtë i konfliktit të interesit me dhuruesin, cenon besimin e publikut”, çmon Komisioni.

Komisioni arrin në përfundimin se Hasa ka cënuar besimin e publikut, edhe në rastin e dhurimit të një shume nga dy shtetas, që sipas tij i ka përdorur për përballimin e shpenzimeve për një udhëtim në Moskë në vitin 2006.

I dyshimtë është konsideruar edhe përdorimi i dy apartamenteve në Sarandë, pa kundërshpërblim gjatë periudhës 2003-2005, si dhe i dy mjeteve. “[…]Pavarësisht mospasjes në dukje të konfliktit të interesit, cenojnë figurën e gjyqtarit dhe humbin besimin e publikut në sistemin e drejtësisë”, çmon trupi gjykues i KPK.

Megjithëse prokurori Hasa ka këkruar pezullimin e procedurës së rivlerësimit deri në përfundimin e procesit penal ndaj tij, Komisioni nuk e ka pranuar me argumentimin se hetimi administrativ nuk ka asnjë lidhje me çështjen penale në fjalë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *