Lajm3 Mar 2020

Prokurori Kosova kërkon konfirmim në detyrë në KPA

Në pretendimet përfundimtare të procesit të rivlerësimit të Adnan Kosovës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Komisioneri Publik Dariel Sina i qëndroi kërkesës fillestare për shkarkimin e tij për kriterin e pasurisë ndërsa Kosova argumentoi kundër duke përmendur luftën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kundër bandave në vitet 2004-2008.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Adnan kosova dhe avokati Sokol Hazizaj gjatë seancës në KPA. Foto:BIRN

Komisioneri Publik Dariel Sina kërkoi shkarkimin e prokurorit Adnan Kosova nga prokuroria e përgjithshme në lidhje me mungesën e burimeve financiare për blerjen e një apartamenti në Tiranë në vitin 1998 duke i qëndruar kërkesës së tij fillestare në prezantimin e konkluzioneve përfundimtare në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të Martën më 3 Mars. Sina tha se subjekti i rivlerësimit kishte dështuar të provonte të kundërtën e dyshimit të ngritur mbi mungesën e burimeve financiare për apartamentin me sipërfaqe 98 metra katrorë, i cili gjendet në një pallat të ndërtuar nga shteti për punonjësit e drejtësisë dhe që u ble nga Kosova në vlerën 19.600 USD. Kosova thotë se apartamenti u pagua pjesërisht me një paradhënie të marrë nga blerësi i apartamentit të tij të privatizuar në Korçë. Kosova ka paraqitur një deklaratë noteriale të kohëve të fundit nga blerësi për të vërtetuar versionin e tij të origjinës së kësaj pasurie ndërsa komisioneri publik, nën rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit kërkon që ky argument të mos konsiderohet si justifikues.

Në pretendimet përfundimtare, Sina dorëzoi një dokument dyfaqësh ndërsa subjekti Adnan Kosova iu përgjigj me një dokument 16 faqësh.

Kosova e cilësoi apelimin e vendimit të konfirmimit në detyrë në KPK si ligjërisht dhe moralisht të pambështetur ndërsa e cilësoi si fyes për punën e tij tridhjetëvjeçare në sistemin e drejtësisë. Kosova tha se gjatë kohës kur ai kishte shërbyer në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitet 2004-2008, kjo prokurori luftoi me sukses një numër të madh bandash të rrezikshme, përfshirë bandën e Durrësit, atë të Lushnjës, të Vlorës dhe bandën e njohur si Hakmarrja për Drejtësi.

Gjatë kësaj kohe, tha Kosova, mbi 40 persona u dënuan me burgim të përjetshëm dhe qindra të tjerë me dënime të gjata. Ai tha më tutje se familja e tij kishte jetuar për disa vite me rradhë nën mbrojtje të vazhdueshme të policisë ndërsa sugjeroi që trupi gjykues të marrë parasysh jetën e tij modeste për të vlerësuar kriterin e pasurisë.

Sipas Kosovës, të ardhurat e familjes së tij ndër vite janë rreth 140 milionë lekë ndërsa pasuria e tij e përbërë nga një apartament dhe një makinë është sa afërsisht një e treta e këtyre të ardhurave.

Trupi gjykues i KPA përbëhet nga Sokol Çomo, kryesues, Ina Rama relatore dhe  Ardian Hajdari, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, anëtarë. Përfaqësuesi i IOM në këtë çështje është Theo Jackobs.

Vendimi për Kosovën u caktua të jepet më 13 Mars, ora 15.30.

Lexo më shumë:

ONM rekomandon shkarkimin e prokurorit Adnan Kosova

KPK konfirmon prokurorin Adnan Kosova

Një shtëpi dhe një makinë vënë në vështirësi prokurorin Adnan Kosova

Skeda e pasurisë së deklaruar-Adnand Kosova-Prokuroria e Përgjithshme