Lajm8 Jul 2019

Prokurori Zeqir Hoda kalon vetingun, por referohet për procedim disiplinor

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të konfirmojë në detyrë prokurorin e Tiranës, Zeqir Hoda pavarësisht dy rasteve të identifikuara të konfliktit të interesit, të cilat u referuan për procedim disiplinor.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Zeqir Hoda pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Zeqir Hoda u konfirmua në detyrë të hënën, ndërkohë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ta referojë atë për procedim disiplinor lidhur me dy prej çështjeve të evidentuara gjatë hetimit administrativ.

Vendimi u shpall nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Genta Tafa Bungo.

Zeqir Hoda e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 si prokuror në Krujë dhe e ka drejtuar këtë prokurori deri në vitin 2009. Ai ka ushtruar funksionin e tij më pas në Prokurorinë e Tiranës dhe në vitin 2014 është emëruar drejtues i Prokurorisë së Kurbinit.

Hoda ushtron aktualisht detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Tiranës, por në kohën e shortimit ai ishte drejtues i Prokurorisë së Kurbinit.

Gjatë seancës dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti pikëpyetje mbi ligjshmërinë e burimeve për dy apartamente të zotëruara nga subjekti; ku për të parin u vu në dyshim nëse babai i ndjerë dhe dy huadhënës kishin burime të ligjshme, ndërsa për apartamentin e dytë u vu në diskutim dokumentacioni I pagesës së këstit të parë.

Por Hoda tha se kishte dorëzuar dokumentacion për të vërtetuar burimet e ligjshme, ndërsa shtoi se jeta e tij kishte qenë modeste.

Komisioni evidentoi gjithashtu dy raste të konfliktit të interesit, të cilat lidheshin me aksionet me vlerë 100 mijë lekë që Hoda dhe bashkëshortja e tij zotëronin në kompaninë Albtelekom, si dhe përdorimin prej tij të një automjeti që zotërohej nga një person i proceduar më parë.

Prokurori Hoda deklaroi në seancë se duhej të kishte qenë më i kujdesshëm lidhur me përdorimin e mjetit të një pesoni të proceduar në prokurorinë ku ai punonte, por sqaroi se hetimet ndaj tij ishin pushuar dhe se në këtë rast nuk kishte asnjë ndikim.