Kallëzimi i Partisë Demokratike në Berat për një fugon që sipas tyre do ndante ushqime në këmbim të votës iu përcoll SPAK nga prokuroria lokale. Ndërkohë dy punonjësit e akuzuar pretenduan se po bënin transferim nga një magazinë në një tjetër.
Prokuroria e Beratit i përcolli të martën Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit kallëzimin e Partisë Demokratike ndaj disa zyrtarëve lokale, të cilët ajo i akuzon se po shpërndanin ushqime në këmbim të votës. Bashkia e Beratit mohoi akuzat.
Kallëzimi u bë pasi kandidati i PD-së për deputet në Berat Tomorr Alizoti bashkë me një grup simpatizantësh bllokuan në dalje të bashkisë një fugon të mbushur me kuti me ushqime mbi të cilat shkruhej “Rezerva e Shtetit”. Sipas Alizotit kutitë do të shpërndaheshin për familje të varfra në qytet në këmbim të votës.
“Beratasit nuk mund të shiten dhe nuk mund të blihen! Në kulmin e fushatës elektorale, Bashkia Berat shpërndan pako tek familjet e varfra në këmbim të dhënies së votës. Këta që pretendojnë 5 mandate në Berat, shpresat i kanë tek blerja e shpirtrave të njerëzve”, tha Alizoti në një reagim pas bllokimit të makinës. Ai kërkoi ndihmën e prokurorisë për zbardhjen e çështjes.
Mjeti furgon që është në pronësi të Drejtorisë Arsimore në Berat u bllokua pas denoncimit dhe u dërgua në mjediset e jashtme të organit të akuzës. Alizoti akuzoi kryetaren e Rajonit Nr. 2 të Bashkisë Berat, njëkohësisht anëtare e ZAZ 66, si përgjegjëse për shpërndarjen e ushqimeve. “Është kapur në kushtet e flagrancës dhe në shkelje me ligjin dhe Kodin Zgjedhor, në një furgon plot me pako, pa asnjë autorizim shoqërues”, tha Alizoti.
Prokuroria e Beratit bëri bllokimin e mjetit brenda mjediseve të saj natën e të hënës, ndërkohë që gjatë ditës së martë mori në pyetje shoferin e furgonit dhe punonjësen e bashkisë që ndodhej në mjet.
Një burim nga prokuroria i tha BIRN se bëhet fjalë për një punonjës transporti të Drejtorisë Arsimore dhe kryetaren e Rajonit me nr.2. Gjatë marrjes së pyetje nga oficeri i Policisë Gjyqësore, punonjësit e bashkisë kanë deklaruar se ushqimet po transportoheshin nga salla e konferencave të Bashkisë, ku ishin mbledhur për shkak të situatës COVID-19 drejt magazinave të Drejtorisë Arsimore.
Të njëtin arsyetim dha edhe Bashkia e Beratit. Në një postim në faqen zyrtare në Facebook bashkia bëri me dije se ndihmat ishin depozituar në sallën e saj të konferencave gjatë periudhës së pandemisë dhe për shkak se kjo sallë duhej të lirohej ato do të dërgoheshin në mjediset e Drejtorisë Arsimore.
“Si rrjedhojë e kërkesës së strukturave të Bashkisë Berat për të organizuar aktivitete me grupet e interesit duke respektuar masat anti COVID, ka lindur nevoja e transferimit të bazës materiale nga salla e konferencave në magazinat e Drejtorisë Arsimore. Strukturat e autorizuara kanë filluar zhvendosjen e këtyre materialeve në magazinat e përcaktuara”, thotë bashkia e Beratit në reagimin e saj.
Por prokuroria e Beratit tha se rasti dyshohej si “Korrupsion Pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga Neni 328 i Kodit Penal dhe se për arsye të kompetencës ishte transferuar në SPAK.