Prokuroria Speciale e Kosovës po heton pretendimet se një fotografi që dyshohet se tregonte ushtarë serbë teksa përdhunonin një grua shqiptare etnike gjatë luftës, e cila u tregua për mediat nga deputetja Flora Brovina, mund të jetë e rreme.
Prokurorët kanë nisur një hetim mbi autenticitetin e një fotografie të bërë publike për mediat nga deputetja e Kosovës Flora Brovina të enjten, në të cilën ajo tha se tregoheshin tre ushtarë serbë që përdhunonin një grua shqiptare gjatë luftës.
Hetimi i Prokurorisë Speciale u nis pasi kërkimet në internet shfaqën të njëjtin imazh në faqe interneti që sugjerojnë se ajo në fakt është marrë nga lufta në Irak. Imazhi gjithashtu shfaqet në një faqe pornografike.
Brovina, një deputete nga Partia Demokratike e Kosovës në pushtet, tregoi fotografinë e pa censuruar për mediat në Asamblenë e Kosovës gjatë një debati mbi një rezolutë parlamentare të propozuar që akuzon Serbinë për kryerjen e gjenocidit gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Shpend Ahmeti, kryetari i komunës së Prishtinës dhe kreu i Partisë Social Demokrate thanë se nëse fotografia është e rreme, kjo do të shkaktojë dëme të mëdha për të gjitha viktimat e luftës.
“Kush qëndron pas këtij akti të turpshëm? Kush do të shkojë te viktimat dhe familjet e viktimave për t’u treguar atyre se ata treguan një fotografi të rreme kur ka mjaftueshëm dëshmi rreth e rrotull? Kjo është e pafalshme,” shkroi Ahmeti në Facebook.
Vasfije Krasniqi Goodman, një nga gratë e para që foli publikisht për eksperiencën e saj të përdhunimit gjatë luftës në Kosovë, e dënoi incidentin.
“Mos e përdorni dhimbjen dhe vuajtjet tona për përfitimin tuaj,” shkroi Krasniqi Goodman në Twitter.
Disa politikane kosovare gjithashtu reaguan me zemërim pasi Brovina shfaqi të enjten fotografinë, duke i quajtur veprimet e saj jo etike.
Deputetja Saranda Bogujevci nga Vetëvendosja u shpreh se fotografia nuk duhet të ishte bërë publike.
“Zonja Brovina më vjen shumë keq po është komplet e pa drejtë që u bo ajo, shihet viktima po thu që është gjallë imagjinoni si ndihet ajo, kjo i bjen të mos trajtohet me dinjitet ai person,” tha Bogujevci, e cila është edhe vetë një viktimë e luftës.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila mbështeti të drejtat e viktimave të përdhunimit gjatë kohës kur ishte në detyrë, gjithashtu kritikoi publikimin e fotos, duke thënë se kjo mund të çonte në zbulimin e identitetit të viktimës.
“Publikimi i imazheve të tilla që tregojnë përdhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës është një goditje e rëndë për mijëra të mbijetuar të abuzimit seksual gjatë luftës në Kosovë,” tha Jahjaga.
“Është e pështirë, e neveritshme dhe e turpshme që një deputete e Kosovës që ka ngritur zërin për të drejtat e grave dhe burrave të përdhunuar gjatë luftës në Kosovë sot përdor ndërtesën e Kuvendit për të bërë publike një fotografi të tillë,” shtoi ajo.
Ndërkohë Kadri Veseli, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se ai nuk mund të gjykojë autenticitetin e fotografisë, por u kërkoi ligjvënësve të qëndrojnë të përqendruar në propozimin e tij për një gjykatë ndërkombëtare për të gjykuar krimet e kryera nga serbët.
“Serbia ka kryer gjenocid. Serbia ka bërë përdhunime. Serbia ka kryer vrasje,” tha Veseli në Kuvendin e Kosovës të enjten në mbrëmje.