Lajm6 Oct 2017

Prokuroria e Vlorës sekuestron tre apartamente, në kërkim një grua për pastrim parash

Prokuroria e Vlorës thotë se një grua e identifikuar si E.R është shpallur në kërkim ndërsa gjykata e Vlorës pranoi një kërkesë të prokurorisë për të sekuestruar tre apartamente me vlerë 200 mijë euro. Prokuroria akuzon të dyshuarën për pastrim parash.

Autor: Jerola Ziaj BIRN Vlorë
Printo

Pamje arkive nga Vlora | Foto nga : Leif Hinrichsen/Flickr

Tre apartamente me vlerë 200 mijë euor janë sekuestruar nga prokuroria në Vlorë, pasi pronarja e tyre një grua e identifikuar në njoftimin për shtyp si E.R nga Vlora, akuzohet për pastrim parash. E.R është shpallur në kërkim nga policia, ndërsa mësohet se hetimet kanë filluar një vit më parë kur e dyshuara ka rregjistruar pasuritë në hipotekën e qytetit.

Prokuroria njoftoi se E.R ëhstë “e  dyshuar për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287  i Kodit Penal”, ndërsa bëri me dije se ajo po hetohej që nga viti 2016.

“Prokurorisë së Vlorës janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasja E.R. nuk justifikon me burime të ligjshme financiare blerjen e pasurive të patundshme, e konkretisht; një apartament në zonën e Ujit të Ftohtë dhe dy apartamente në lagjen “Pavarësia””, thuhet në njoftimin për mediat.

Ndërkohë prej dy javësh Policia e Shtetit është përfshirë në një operacion që e ka pagëzuar “Vjeshtë 2017”, gjatë të cilit ka njoftuar sekuestrimin e disa makinave luksoze dhe prona personash të akuzuar për trafik narkotikësh. Në njoftimin përmbledhës të nisur disa ditë më parë, polia thotë se ka sekuestruar pasuri me vlerë disa milion euro.

Operacioni po zhvillohet ndërkohë që në  vend ka një debat të ashpër mbi krimin e organizuar dhe lidhjet e tij me politikën, në të cilin u përfshi edhe ambasadori i SHBA pas një fjalimi në shkollën e Magjistraturës dhe ai i Italisë.

Por prokuoria e Vlorës në njoftimin për shtyp lë të kuptohet se sekuestrimi i fundit është nisur pas një hetimi disa mujorë.  Prokuria njoftoi se hetimi kishte nisur në Maj te 2016-es nga seksioni i hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Qarkut të Vlorës. Sipas prokurorisë dyshimet e para rreth pasurisë së të kërkuarës kanë lindur kur  ajo “ka kryer procedurat e kalimit të pronësisë në Zyrën Vendore të Rregjistrimit të Pasurive”.

Prokuroria tha se gjatë hetimit u ka rezultuar se e kërkuara “ka ushtruar aktivitet kriminal në fushën e prostitucionit në Mbretërinë e Belgjikës”.  Po ashtu në bazë të hetimeve të deritanishme, Prokuroria e Vlorës ka kërkuar caktimin e sekuestros për pasuritë e  paluajtshme dhe kërkesë e cila është pranuar nga ana e Gjykatës së Vlorës.

Prokuroria njoftoi edhe se po verifikon llogaritë bankare të E.R dhe familjarëve të saj. Ajo dyshohet si pjesë e një rrjeti të mirëorganizuar kriminal i cili vepron jashtë Shqipërisë.