Lajm21 Oct 2021

Prokuroria heton ndotësit e ajrit në zonën e ish-Metalurgjikut

Prokuroria e Elbasanit konfirmoi se ka nisur një hetim të gjerë për ndotësit e ajrit si dhe institucionet shtetërore –të cilat dyshohet se nuk e kanë kryer detyrën e tyre në mbrojtje të mjedisit.

Autor: Bardha Nergjoni BIRN Tiranë
Printo

Zona industriale e qytetit të Elbasanit, ku normat e ndotjes së ajrit llogariten disa herë më të larta sesa normat e BE-së.

Prokuroria e Elbasanit konfirmoi nisjen e një hetimi të gjerë për ndotjen e ajrit nga industria e rëndë në zonën e ish-Metalurgjikut si dhe verifikimin e të gjitha institucioneve përgjegjëse ‘për mosveprim’ në mbrojtje të mjedisit.

Sipas zv.drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit, Gentian Habazaj, procedimi penal ka filluar me inisiativë të organit të akuzës për veprat penale të ndotjes së ajrit dhe shpërdorimit të detyrës.

“Hetimi ka nisur kryesisht i ardhur edhe nga një shqetësim i madh që po shfaqej në media muajt e fundit për ndotjen e ajrit, sidomos në zonën industriale. Ne i kemi administruar si prova dhe indicie, videot dhe artikujt e realizuar gjatë kësaj periudhe si dhe çdo studim apo monitorim të shoqërisë civile,” tha Habazaj, i cili shtoi se ‘hetimi ishte në vazhdim”.

BIRN mësoi se në këtë fazë të hetimeve, Prokuroria do të ndërmarrë kryerjen e një ekspertize për të dokumentuar shqetësimet e banorëve për ndotjen e lartë të ajrit në të gjithë zonën e Elbasanit.

Ndërkohë, sa i përket rolit të institucioneve monitoruese, Prokuroria deklaron se janë në sitë të gjitha institucionet vendore dhe rajonale që kanë për detyrë që të veprojnë në mbrojtje të mjedisit dhe që dyshohet se nuk kanë zbatuar detyrat dhe nuk kanë vendosur asnjë masë penalizuese.

Zona e ish-kombinatit Metalurgjik në Elbasan u bë strehë e një duzine kompanish të industrisë së rëndë gjatë tre dekadave të tranzicionit; aktivitet i cili akuzohet për degradimin e mjedisit dhe të jetës së mijëra banorëve. Aty veprojnë 5 operatorë të mëdhenj dhe shumë firma të tjera industriale, që mendohen si shkaktarët më të mëdhenj të ndotjes së ajrit në Elbasan.

Por edhe pse ankesat kanë qenë të vazhdueshme, rastet e ndërhyrjes së institucioneve shtetërore për përmirësimin e situatës kanë qenë thuajse inekzistente.

Një tjetër hetim i nisur për ndotje të ajrit u pushua disa vite më parë, për shkak të dështimit të ekspetizës dhe pamundësisë së Prokurorisë për të provuar pasojat e ndotjes.

Organizatat mjedisore, aktvistët dhe media kanë ngritur shpesh zërin për ndotjen e lartë të ajrit në këtë zonë. Një monitorim i pavarur, i kryer nga organizata Klubi Ekologjik tregon se ndotja është 4-fish më e lartë se normat e Bashkimit Europian.

*Ky shkrim u amendua për të saktësuar mbiemrin e prokurorit nga Abazaj, në Habazaj siç duhej të ishte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *