Lajm11 Feb 2019

Prokuroria ka afat deri më 10 mars për çështjen “Tahiri”

Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e ish-Ministrit të Brendshëm duke i dhënë afat prokurorisë për të vendosur mbi hetimin deri në 10 mars 2019.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri duke folur para gazetarëve në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë më 11 shkurt 2019. Foto: Edmond Hoxhaj/BIRN

Gjyqtarja Liljana Baku ka vendosur të hënën t’u kufizojë kohën prokurorëve të Krimeve të Rënda që po hetojnë ish-Ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri, duke u kërkuar atyre që të konkludojnë në një vendim përfundimtar. Me vendimin e saj, gjyqtarja Baku u ka lënë afat deri më datë 10 mars që të vendosin lidhur me ecurinë e hetimeve për përfshirjen e Tahirit në trafikun e drogës me kushërinjtë e tij, vëllezërit Habliaj. Në këto kushte prokurorëve do t’u duhet që; ose të dërgojnë çështjen për gjykim ndaj Tahirit, ose të pushojnë hetimet ndaj tij.

Pas dhënies së këtij vendimi nga gjykata ish-ministri Tahiri deklaroi për mediet se kjo çështje nuk mund të zgjaste pa fund.

“Kjo histori nuk mund të zgjasë pa fund. Deri më 10 mars koha numërohet mbrapsht, ka kohë deri atëherë. Nuk e shoh si lojë golash, e shoh si mundësinë time për të marrë drejtësinë që më takon. Kam pritur një vit e ca pa folur që drejtësia të flasë, me të gjitha akuzat politike me të cilat nuk po merrem. Ashtu si e thashë edhe herën e kaluar, merre me mend se çfarë ndodh me qytetarët e thjeshtë, kur kjo ndodh me mua që kam mundësinë të flas edhe me median”, ritheksoi ai.

Ndërkohë, burime nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda pohuan për BIRN se prokurorët janë duke vlerësuar nëse do të kryejnë ose jo apelim të vendimit të sotëm të gjykatës.

Por, edhe nëse prokuroria do të ankimojë këtë vendim, në nenin 325 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, pika 4 parashikohet se edhe pse në një rast të tillë mund të kryhet ankim kundër vendimit të gjykatës, nuk pezullohet zbatimi i tij.

Po të hënën është zhvilluar seanca e radhës edhe lidhur me ankesën e kryer nga ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, për të cilin gjykata vendosi shtyrjen e seancës për më datë 14 shkurt për t’i dhënë kohë avokatit të të shpallurit të kërkim që të njihej me aktet e dosjes në ngarkim të klientit të tij.

Më datë 17 janar 2019, Prokuroria për Krime të Rënda vendosi shtyrjen e afateve të hetimit me tre muaj për Tahirin, në pritje të përgjigjeve të letër-porosive të dërguara në autoritetet e drejtësisë italiane dhe atyre të Malit të Zi. Po ashtu u vendos shtyrja e hetimit edhe për Çelën, por të dy ata vendosën të kundërshtojnë me ankim në gjykatë.

Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-numri një i bluve të Vlorës, Jaeld Çela akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për implikim në trafikun e narkotikëve, e kryer nga një organizatë e krimit të organizuar e drejtuar nga vëllezërit Habilaj.

Tahiri i ka mohuar akuzat, ndërkohë që ish-kreu i Policisë së Vlorës ndodhet prej një viti e gjysmë në arrati së bashku me dy drejtues të tjerë të policisë lokale. Anëtarët e kësaj organizate u ndaluan në tetor të vitit 2017 nga autoritetet italiane, teksa po tentonin të trafikonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga Shqipëria drejt vendit fqinj. Po në vjeshtën e vitit 2017, në Babicë të Vlorës, në magazinën e Armando Koçerrit u gjetën dhe sekuestruan rreth 4 ton cannabis sativa, episod ky që u shoqërua me procedim penal edhe në Shqipëri.

Çështja penale ndaj ish-ministrit Tahiri filloi në tetor 2017, pas publikimit të disa përgjimeve të anëtarëve të grupit “Habilaj”, të cilët përmendnin emrin e Tahirit dhe aludonin se i kishin blerë dhurata. Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka shtyrë pesë herë afatin e hetimeve, duke pretenduar se është ende në pritje të marrjes së letër-porosive.

Tahiri ishte akuzuar edhe më herët për lidhje me vëllezërit Habilaj, me të cilët ka edhe një lidhje farefisnore dhe u kishte shitur një makinë, të cilën më pas e kishte ripërdorur, por një hetim mbi këtë u mbyll pa rezultat.

Lexo më shumë:

Brenda bandës së Moisi Habilajt: shkëlqimi dhe rënia e kushërinjve të Saimir Tahirit

Nën rrethim nga të gjitha anët, Saimir Tahiri jep dorëheqjen

Mazhoranca hedh poshtë kërkesën për arrestimin e Saimir Tahirit