Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se ka kërkuar në Kuvendin e Shqipërisë heqjen e imunitetit dhe autorizim për arrestim dhe kontroll banese të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë të enjten leje për arrestimin e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në lidhje me hetimin për trafikun ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria në Itali nga organizata kriminale e njohur si Vëllezërit Habilaj.
” Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë autorizimin për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, në vijim të një hetimi të nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”, parashikuara nga nenet 283/a/2 dhe 260 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin zyrtar për shtyp të prokurorisë.
Nuk dihet se cilat janë provat me të cilat Prokuroria do të dërgojë për masë arresti Tahirin në gjykatë, por emri i Tahirit rezulton si përfitues i mundshëm i parave të drogës së trafikuar nga banda e Habilajve.
Tahiri, 38 vjeç, është një nga zyrtarët më të lartë që përfundojnë në pranga përgjatë dy dekadave të fundit. Tjetri është ish-ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale Spiro Ksera, i cili u dënua për shpërdorim detyre disa vjet më parë dhe kaloi pak muaj në burg.