Lajm17 Sep 2018

Prokuroria kërkon dënim minimal për ish-gjyqtarin Shkëlqim Miri

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi në total 2 vjet e 8 muaj burg për ish-Gjyqtarin e Apelit i cili u arrestua me akuzën se mori 30 mijë euro për të lehtësuar një të dënuar për vrasje. Prokuroria kërkoi dënim edhe për të afërmin e tij Kujtim Miri dhe konfiskimin e 30 mijë eurove.

Autor: Elton Qyno BIRN Tiranë
Printo

Në këtë foto arkivë, gjyqtari Shkëlqim Miri po flet për gazetarët pasi fitoi postin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë më 7 dhjetor 2007. Foto: Gent Shkullaku, LSA

Kodi Penal parashikon dënime deri në 10 vjet burg, për personat e akuzuar sipas nenin “319 Ç” të Kodit Penal për “Korrupsion  pasiv  i  gjyqtarëve”, por prokuroria gjatë leximit të pretencës ndaj ish-gjykatësit të Apelit Shkëlqim Miri i qëndroi afër minimumit prej 3 vjetësh, ndërsa kërkoi katër vjet burg, të cilat bazuar në gjykim e shkurtuar reduktohen në 2 vjet e 8 muaj.

Prokuroria e Krimeve të Rënda, gjatë seancës së të hënës, kërkoi edhe konfiskimin e 30 mijë eurove që dyshohet se u paguan si rryshfet, ndërsa fati i një sasie tjetër prej rreth 220 mijë euro që iu kapën gjykatësit do shqyrtohet në një proces të dytë bazuar në ligjin antimafia. Prokuroria kërkoi po ashtu dënimin me 2 vjet e 6 muaj, minus një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar, edhe për të afërmin e ish-gjykatësit, Kujtim Mirin i cili akuzohet për “korrupsion aktiv”.

Mbrojtja e të akuzuarve, të cilët nuk i kanë pranuar akuzat, kërkoi kohë për të përgatitur konkluzionet e saj.

Lexo më shumë:

Paratë dhe përgjimet rëndojnë akuzën për korrupsion ndaj ish gjyqtarit të Apelit

Ish-gjyqtari i Apelit Shkëlqim Miri së bashku me kushëririn e tij Kujtim Miri dhe Alban Bucin u arrestuan nga prokuroria për akuzën e korrupsionit pasiv dhe aktiv, pasi sipas prokurorisë kundrejt 30 mijë euro, ndërhynë për të lënë në fuqi në Gjykatën e Apelit Tiranë dënimin me 8 vite burg për Gentian Dodën, dënim i cili i dha lirinë të akuzuarit për vrasje në Burrel.

Hetimi i prokurorisë nisi pas informacioneve të marra se funksionarë të drejtësisë kanë  favorizuar të pandehurin Gentian Doda i cili ishte dënuar në vitin 2012 me 20 vjet heqje lirie. Doda kishte marrë një ulje dënimi nga Gjykata e Matit dhe më pas trupa gjykuese e Apelit të Tiranës, pjesë e të cilës ishte edhe gjykatësi Miri, la në fuqi dënimin e ri me 8 vjet burg ndaj tij.

Prokurori Klodian Braho lexoi të hënën pretencën dhe kërkuar shpalljen fajtor të ish-gjykatësit të Apelit Shkëlqim Miri, ndërsa cilësoi të provuar akuzën se ai kishte marrë 30 mijë euro rryshfet, për të lehtësuar një të dënuar për vrasje. “Nga ana e tij i pandehuri Shkëlqim Miri ka pranuar dhe ka marrë shumën e mësipërme me qëllim kryerjen e veprimeve që lidhen me detyrën e tij, duke iu bërë të ditur personave të mësipërm mënyrën e përfundimit të gjykimit të çështjes penale ndaj shtetasit Gentian Doda”, thuhet në pretencë.

Si pjesë të dënimit, prokurori kërkoi përjashtimi për tre vjet nga e drejta për të ushtruar funksione publike për ish-gjykatësin dhe konfiskimin e 30 mijë euro nga shumat 174 mijë euro, 1 mijë dollarë dhe  9.6 milion lekë që iu kapën gjykatësit.  Sipas prokurorisë për pjesën mbetur të parave, 144 mijë euro, 1 mijë dolarë dhe 9.6 milion lekë është në vijim një proces i dytë hetimorë bazuar në ligjin antimafia, përmes të cilit po kërkohet konfiskimi i tyre.

Prokurori thotë në pretencë se për të kërkuar masën e dënimit, ka pasur parasysh një sërë rrethanash, ndërsa citon gjendjen shëndetësore të Mirit, rrezikshmërinë shoqërore të tij dhe veprës penale dhe faktin që ishte i padënuar më parë .

Akuza ndaj Mirit u mbështetën në një sërë përgjimesh dhe më pas në sekuestrimin e sasisë prej rreth 250 mijë eurosh që u gjetën Kesh në shtëpinë e tij. Nga pretenca rezulton se Miri nuk ka mundur të vërtetojë ligjshmërinë e parave që iu kapën. Ai pretendoi se një pjesë e parave, sasia në lekë, i përkisnin babait. Por prokuroria tha se pretendimi nuk qëndronte. Po ashtu sipas prokurorisë as pretendimi se sasia prej 174 mijë eurosh i ishte lënë për investim nga të afërm të bashkëshortes nuk qëndronte.

Shkëlqim Miri, 46 vjeç ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, e cila starton në vitin 1999. Ai më parë ka qenë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.