Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza akuzohet se nuk ka pasqyruar në formular arrestimin në flagrancë dhe dënimin në Itali për vjedhje në vitin 1999, fakte këto që u zbuluan gjatë procesit të vetingut për të.
Prokuroria e Tiranës kërkoi të premten dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, i akuzuar për veprën penale të falsifikimit të formularit të vetëdeklarimit, pasi ka fshehur një dënim për vjedhje në vitin 1999 në Itali.
Ky fakt u zbulua gjatë procesit të vetingut për Thanzën, i shkarkuar në të dyja shkallët për probleme me të tre kriteret e rivlerësimit.
Gjatë seancës së të premtes, ish-gjyqtari Thanza nuk ishte i pranishëm dhe kishte depozituar një kërkesë të dytë për shtyrjen e séances, kur prokuroria do të duhej të paraqiste konkluzionet përfundimtare. Pretendimi i Thanzës se ai ndodhej jashtë shtetit për të shoqëruar djalin e tij, nuk e ka bindur gjyqtarin Ardian Kalia, që me kërkesë të prokurorit të çështjes, Gentjan Habazaj shpalli mungesën e ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe vendosi vazhdimin e shqyrtimit të çështjes.
Sipas prokurorit Habazaj, në vendimin e shkarkimit, KPK përmend faktin e dënimit të Thanzës nga drejtësia italiane më 40 ditë heqje lirie dhe 100 mijë lireta gjobë në vitin 1999. Ai është arrestuar atje dhe më pas është hetuar në gjendje të lirë. Ndërkohë, Thanza nuk e ka pasqyruar këtë fakt në formularin e vetëdeklarimit, ccka e ka shtyrë prokurorinë të ngrejë akuzën e falsifikimit.
Në konkluzionet përfundimtare të prokurorisë sqarohet se Thanza nuk e ka pranuar akuzën e ngritur dhe se ka pretenduar se kishte dëshmi penaliteti të pastër. Prokurori sqaroi se shteti Italian lëshon dy lloj certifikatash për dëshmi penaliteti, ajo që kërkohet nga vetë personi ku për arsye privatësie nuk shënohen të dhënat dhe certifikata e lëshuar me kërkesë të autoriteteve. Sipas prokurorisë, tek kjo e fundit që ka mbërritur me letër-porosi është shënuar dënimi i Thanzës në Itali.
Prokurori Habazaj shtoi më tej se Thanza nuk ka deklaruar as faktin e arrestimit të tij në flagrancë në Itali dhe kërkoi dënimin me një vit e gjashtë muaj heqje lirie si edhe të deklarohet i falsifikuar formulari i vetëdeklarimit të Thanzës.
Përfaqësuesi ligjor i Thanzës, avokati Enver Qafmolla kërkoi kohë për të përgatitur konkluzionet përfundimtare. Gjyqtari Kalia vendosi ta shtyjë seancën për me datë 31 maj, ora 12:00.