Prokuroria njoftoi se ka regjistruar procedim penal për veprat e falsifikimit dhe fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive ndaj kontratave të lobimit me vlerë 675 mijë USD të Partisë Demokratike, të cilat nuk rezultojnë në raportin financiar të dorëzuar prej saj në KQZ.
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të enjten nisjen e procedimit penal për kontratat e lobimit të Partisë Demokratike. Sipas njoftimit për shtyp, hetimi ka nisur nga Prokuroria e Tiranës për veprat penale të falsifikimit dhe mosdeklarimit-fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, të parashikuara në nenet 190 dhe 257/a të Kodit Penal.
“Prokuroria e Tiranës është vënë në dijeni nga media për disa të dhëna, të cilat u vlerësua se përbëjnë interes për nisjen e hetimit. Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria e Tiranës ka nisur kryerjen e veprimeve të nevojshme proceduriale,” thuhet në njoftim.
Më herët, kreu i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha i tha BIRN se janë në fazën e grumbullimit të dokumentacionit mbi kontratat e lobimit të Partisë Demokratike në Uashington. Kërkesat për informacion i janë dërguar si Partisë Demokratike ashtu edhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Hetimi i Prokurorisë nisi pasi një investigim i BIRN, i publikuar më 22 Nëntor gjeti se në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, Partia Demokratike e udhëhequr nga Lulzim Basha lidhi dy kontrata me lobistin e saj në Uashington, ‘Stonington Strategies’, në mënyrë që të siguronte takime të nivelit të lartë me administratën e Presidentit Donald Trump.
Kontratat u raportuan më 14 nëntor në Departamentin amerikan të Drejtësisë nga kompania “Stonington Strategies”, ku deklaron se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP”-një kompani guackë e regjistruar në Skoci në vlerën e 150 mijë USD.
Kontrata e drejtpërdrejtë e PD-së me “Stonington Strategies” është raportuar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA që në muajin mars, ndërsa kontrata me “Biniatta Trade LP’ është mbajtur e fshehur për disa muaj dhe është raportuar në mesin e muajit nëntor.
Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton në raportin financiar që Partia Demokratike ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për fushatën zgjedhore 2017, çka ngre pikëpyetje serioze për origjinën e parave.
I publikuar në faqen zyrtare të KQZ, raporti financiar i PD pasqyron vetëm pagesat për dy kontrata lobimi me kompaninë tjetër të lobimit “Barnes and Thornburg LLP” në vlerën e 12 585 000 lekëve.
Partia Demokratike ka mbajtur qëndrime kontradiktore për pagesat e saj të lobimit. Fillimisht, ajo i tha BIRN se kishte paguar gjithsej 125 mijë dollarë për lobim dhe mohoi çdo lidhje me kompaninë “Biniatta Trade LP”, aksionerët e së cilës janë anonimë dhe të regjistruar në Belizë, e cila njihet si parajsë fiskale.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha i quajti fillimisht të dhënat “shashka dhe mashtrime”, por në një deklaratë të mëvonë, PD pranon kontratat e lobimit që janë deklaruar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA.
Të enjten në Parlament, Basha deklaroi se akuzat e Partisë Socialiste për pastrim parash janë “furtunë në gotë për t’i ikur të vërtetave” për Ramën, Saimir Tahirin dhe vëllain e Fatmir Xhafës.
“PD ka çuar në KQZ sipas ligjit çdo të ardhur. Nuk ka asgjë për të fshehur PD. Njeriu që fsheh paratë je vetëm t’i Edi Rama. Ti je ai që duhet të ishte nën akuzë për pastrim parash,” tha kreu i PD-së në Parlament.
I pyetur nga BIRN nëse Partia Demokratike i kishte raportuar kontratat e saj të lobimit apo nëse kishte dorëzuar bilance shtesë, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri u përgjigj se bilancet janë publike në faqen e KQZ[Kliko për raportin e PD në KQZ].
“Janë publike prej 13 Nëntorit,” tha Zguri.
Kreu i KQZ shtoi se nuk kishte marrë ende një kërkesë zyrtare nga Prokuroria për dokumentacionin e dorëzuar nga Partia Demokratike.
Pagesat e majme për lobuesit e Uashingtonit u kthyen në temën kryesore të debatit në seancën parlamentare. Pas deklaratave të përditshme nga selia rozë, kreu parlamentar i PS-së, Taulant Balla paralajmëroi se do të bënte të hënën një kallëzim ndaj PD-së.
Ndërsa kreu i PD-së, Basha e sfidoi që t’i çonte që sot dokumentet në Prokurori.
Rama në një replikë foli publikisht për akuzat e mëhershme ndaj tij mbi të njëjtën bazë. Duke iu referuar pagesës 80 mijë dollarëshe për një takim me ish-presidentin e SHBA-së, Barack Obama, Rama ironizoi duke thënë se Bilali ishte dënuar dhe se tani vazhdonte jetën e tij, ndërsa i tha Bashës se ai do të kishte të njëjtin fat si Bilali duke aluduar se çështja do hetohet në SHBA.
“Edhe sikur prokuoria shqiptare të mos lëvizë as gishtin, të siguroj që kjo çështje do të hetohet atje ku deveja nuk kalon në vrimë të gjilpërës”, tha Rama.
Partia Demokratike nuk është e vetmja që rezulton të ketë paguar fatura të shtrenjta për të ndikuar në politikat e Uashingtonit. BIRN gjeti në prill të këtij viti se LSI kishte dështuar të raportonte në KQZ një pjesë të mirë të 300 mijë dollarëve që kishte shpenzuar për lobim në SHBA, ndërsa Partia Socialiste lidhi një kontratë me vlerë 240 mijë USD me kompaninë e lobimit “Ballard Partners” para zgjedhjeve parlamentare.
*Shkrimi i mësipërm u amendua pasi Prokuroria e Përgjithshme publikoi njoftimin për shtyp për nisjen e hetimeve.