Prokuroria Speciale e Maqedonisë tha se dyshon se ish-kryeministri dhe lideri i VMRO DPMNE, Nikola Gruevski ka financuar ilegalisht partinë e tij përmes pastrimit të parave dhe se është përfshirë në raste të shpërdorimit të detyrës në lidhje me një tender autostrade.
Prokuroria Speciale në Maqedoni lajmëroi të hënën se ka nisur tre hetime të reja, dy prej të cilave kanë liderin e partisë VMRO DPMNE, Nikola Gruevski, si të dyshuari kryesor. Hetimet janë koduar me emrin “Talir” (monedha e vjetër argjendi), “Traektorija” [trajektore] dhe “Trevnik” [lëndinë].
Si rezultat i kësaj, SJO të hënën tha se do të kërkojë ngrirje të pasurive në pronësi të ish-partisë në pushtet, përfshirë edhe selinë e saj të re në qendër të Shkupit, që SJO dyshon se është financuar dhe marrë në pronësi ilegalisht.
Çështja “Talir”
Në çështjen e parë dhe komplekse, koduar me emrin “Talir”, SJO dyshon te 11 persona nga partia VMRO DPMNE për pastrim parash dhe shpërdorim të detyrës.
Nëntë prej tyre, përfshirë edhe Gruevskin, po hetohen si autorë dhe dy të tjerë si ndihmës. Përveç liderit të partisë, SJO tha se të dyshuarit përfshijnë gjeneralët e sekretarit të partisë, personat përgjegjës për nënshkrimin e llogarisë së partisë si dhe kreun e qendrës së komunikimit të partisë.
SJO tha se konsideron si të dyshuarin kryesor Gruevskin, duke pretenduar se si kreu i VMRO DPMNE, ai pranoi 4.9 milion euro donacione të paligjshme për partinë e tij nga viti 2009 deri në 2015, kur ai ishte kryeministër.
Hetimi ka treguar se në vend që t’i kthente paratë në buxhetin e shtetit, siç veprohet me donacionet e paligjshme, ai i përdori paratë për të financuar ilegalisht partinë e tij.
SJO tha se dyshonte se paratë u transferuan te 11 persona dhe pastaj u përdorën për të blerë pasuri të paluajtshme, për të paguar shpenzimet e partisë, për akomodimin në hotele, sondazhe popullore dhe gjëra të tjera.
Paratë u përdorën gjithashtu në 78 kontrata për blerje pasurie të patundshme, zbuloi SJO, duke shtuar se disa prej këtyre pronave nuk janë përdorur për qëllime partiake. SJO tha se kishte dërguar 12 kërkesa në gjykata për të ngrirë këto asete.
“Po flasim për 12 kërkesa, [për ngrirje të aseteve] ku secila përmban të paktën tre prona”, tha zv. prokurorja speciale Lence Ristoska.
SJO dyshon se paratë e paligjshme janë injektuar në llogarinë e partisë duke përdorur forma të ndryshme të pastrimit të parave. Disa nga të dyshuarit dyshohet se kanë kryer pagesa në llogarinë e partisë, duke i paraqitur paratë si dhurata personale ose si tarifa për anëtarësim.
SJO tha se kishte dëshmi se disa nga fletëpagesat ishin shkruar në të njëjtën shkrim dore dhe janë regjistruar në banka në intervale prej 20-30 sekonda.
Sipas vlerësimeve të SJO-së, për secilin vit, në periudha të caktuara, ish-partia në pushtet merrte 12.000 deri 30.000 euro në ditë në këtë mënyrë.
SJO tha se kishte pyetur mbi 160 dëshmitarë për këtë çështje, kishte dërguar 230 kërkesa në institucione të ndryshme dhe kishte analizuar 11,886 fletëpagesa të personave në parti.
Çështja “Traektorija”:
Në çështjen e dytë, SJO dyshon se katër persona kanë shpërdëruar detyrën gjatë gjysmës së dytë të vitit 2012 dhe 2013.
SJO tha se kishte arsye për të besuar se të dyshuarit thyen Ligjin e Prokurimit Publik dhe dhanë një kontratë 155 milionë euro për të ndërtuar dy segmente autostradash te një kompani ndërtimi kineze, pavarësisht faktit se një kompani tjetër kineze paraqiti një ofertë më të ulët.
Gruevski, atëherë kryeministër, përsëri është i dyshuari kryesor në këtë hetim.
Çështja “Trevnik”:
Hetimi i tretë lidhet me ndërtimin të dyshuar si të paligjshëm të tri shtëpive të pushimeve në fshatin Zelenikovë, pranë Shkupit. Hetimi paraprak tregoi se ndërkohë që ndërtimi i këtyre shtëpive filloi në vitin 2011, treshja e të dyshuarve mori lejet e ndërtimit dy vjet më vonë, kur objektet po përfundoheshin.
VMRO DPMNE i sfidoi këto tre hetime në reagimin e saj.
Sekretari i përgjithshëm Emil Dimitriev i hodhi poshtë hetimet si “pamflete politike” që kishin për qëllim akuzimin në mënyrë të rreme të partisë dhe udhëheqësit të saj për përfshirje në “disa aktivitete të paligjshme”.
Dimitriev, i cili është ende kryeministër i përkohshëm, tha në një konferencë për shtyp se pretendimet “janë krejtësisht të rreme” dhe se “e gjithë prona e partisë është marrë ligjërisht”.
SJO u formua në vitin 2015 si pjesë e një marrëveshjeje krize të ndërmjetësuar nga BE-ja midis partive politike kryesore dhe u ngarkua me hetimin e akuzave për korrupsion të nivelit të lartë.
Megjithëse VMRO DPMNE ra dakord të formojë SJO, partia që atëherë e ka akuzuar atë se punon për Partinë Social Demokratike – e cila është në bisedime për të formuar qeverinë e re.