Prokuroria e Përgjithshme deklaroi regjistrimin e një procedimi penal në Kurbin, nisur nga denoncimi i kandidatit të Bindjes Demokratike për mbushjen e dy kutive nga komisionerët si dhe verifikimet e kallëzimeve në 4 qytete të tjera, përfshirë konfliktin Bashki-Polici në Shkodër.
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi mbrëmjen e së martës regjistrimin e një procedimi penal si dhe të disa kallëzimeve që pretendojnë për krime zgjedhore më 30 qershor, të cilat përfshijnë nga dyshimet për falsifikim të materialeve zgjedhore deri te akuzat për pengim të zgjedhësve.
Përmes një njoftimi për shtyp, Prokuroria e Përgjithshme tha se materialet kallëzuese po verifikoheshin nga prokuroritë e Shkodrës, Kurbinit, Fierit, Korçës dhe Elbasanit.
Çështja më serioze lidhet me akuzën e “falsifikimit të materialit zgjedhor”, për të cilën prokuroria e Kurbinit ka regjistruar tashmë procedimin penal me nr.228, datë 1.07.2019, i nisur nga denoncimi i kandidatit të Bindjes Demokratike për Bashkinë e Kurbinit, Z. Edmond Piroli.
Sipas prokurorisë, kandidati pretendon se anëtarët e komisionit të dy qendrave të votimit në fshatin Fushë-Kuqe kanë futur fletë votimi shtesë në kutitë e votimit dhe kanë nënshkruar në emër të zgjedhësve, pa qenë këta të fundit prezentë. Duke iu referuar kallëzuesit, Prokuroria deklaron se manipulimi pretendohet të ketë ndodhur në dy qendrat e votimit të vendosura në ambientin privat “Lokali i shtetasit Vasil Ulaj”.
“Pretendohet të kenë votuar 6 shtetas, ndërkohë që në kutitë e votimit janë futur dhe gjenden rreth 60 fletë votimi në njërën kuti dhe rreth 120 fletë votimi në kutinë tjetër,” thuhet në njoftimin e policisë.
Një kallëzim tjetër i regjistruar në Elbasan pritet të verifikojë dyshimet për votimin e një shtetasi më shumë se 1 herë, ndërkohë që në Fier prokuroria po verifikon kallëzimin e bërë ndaj dy shtetasve për “pengim të subjekteve zgjedhore”.
Konflikti publik i zhvilluar në qytetin e Shkodrës me bashkisë dhe policisë është transferuar gjithashtu në dyert e Prokurorisë, ku ka dorëzuar një kallëzim penal Bashkia e Shkodrës, e përfaqësuar nga Voltana Ademi dhe 5 kallëzime penale nga policia lokale në drejtim të Znj. Ademi.
Gjithashtu, Prokuroria deklaron se po verifikon edhe deklaratën për mediat të kryetarit të Partisë Demokratike për degën e Korçës, Andrea Mano, ku u publikua edhe një material video në lidhje me parregullsi të procesit të votimit. Prokuroria e Përgjithshme thotë se rezultatet e këtij verifikimi do të raportohen në ditët në vijim.