Lajm12 Sep 2018

Prokuroria rrëzon policinë dhe liron nga akuzat protestuesit kundër inceneratorit

Prokuroria e Fierit kërkoi në gjykatë pushim të ndjekjes penale për “Organizim tubimi të paligjshëm” të pesë protestuesve kundër impiantit të djegies së mbetjeve në Vërri të Fierit. Në kërkesë prokurorja Suela Beluli argumentoi se e drejta e protestës garantohet në Kushtetutë dhe leje pranë policisë kërkohet vetëm në raste të posaçme.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Fier
Printo

Gjykata e Fierit | Foto nga : Edmond Hoxhaj

Prokuroria e Fierit do i kërkojë gjykatës pushimin e ndjekjes penale për 4 banorë nga fshati Vërri në Fier të arrestuar dhe akuzuar nga policia në janar të këtij viti për “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullim të paligjshëm” dhe “kundërshtim të policisë”, pasi protestuan kundër ngritjes së një inceneratori për mbetjet pranë fshatit të tyre.

Ndërkohë për një nga të akuzuarit, është pushuar akuza për “Organizim e pjesëmarrje në tubim të paligjshëm”, por kërkohet gjykim vetëm për akuzën e “kundërshtimit të forcave të policisë”, pasi është filmuar se në vrap e sipër ka goditur një oficer me shqelm.

Sipas prokurorisë Zylyftar Delibashi, Eridjon Janji, Bledjon Bita dhe Aleksandër Bita, nuk kanë kryer vepër penale. Ndërkohë Vladimir Bita do të gjykohet vetëm për kundërshtim të policisë, pasi është filmuar që në vrapim e sipër për t’i shpëtuar policisë, ka qëlluar me shqelm një punonjës të saj.

Në argumentet e paraqitura të mërkurrën në seancë paraprake, për pushimin e çështjes prokurorja Suela Beluli ka rrëzuar pretendimet e policisë, e cila arrestoi në flagrancë më 22 janar 5 banorë të fshatit Vërri dhe i akuzoi ata për “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Beluli argumenton se e drejta e protestës “është themelore dhe e pacënueshme”, ndërsa vë në dukje se edhe në raste “të dhunës së rastësishme”, tubimi nuk e humbet këtë mbrojtje që i garantohet nga Kushtetuta. Prokuroria po ashtu thotë se përplasja ndodhi pasi policia tentoi të shpërndante tubimin dhe se ndalimi i personave ishte bërë me këtë qëllim.

Qëndrimi i prokurorisë në këtë rast tregon një përpjekje të policisë për të inkriminuar protestuesit. BIRN ka gjetur edhe raste të tjera kur banorë, të zonave të ndryshme të vendit të përfshirë në protesta kundër koncesioneve, janë ankuar se policia merrte krahun e  bizneseve koncesionare dhe shpesh ushtronte presion ndaj tyre.

Koncesioni për incinerator në Fierit me vlerë investimi 28 milionë euro dhe me kapacitet përpunimi deri në 200 ton mbetje në ditë u shpall në shtator 2016 nga Ministria e Mjedisit. Banorët që u gjetën para faktit të kryer kur panë makineritë e tonazhit të rëndë, kanë organizuar disa protesta kundër koncesionit.

Historia e djegies së mbetjeve me qëllim prodhimin e energjisë nisi në dhjetor të vitit 2014. Politika e re e menaxhimit të mbetjeve, që bie në kundërshtime me strategjinë kombëtare të miratuar më herët,  është kritikuar në progres-raportin e fundit të Bashkimit Europian. Por tashmë qeveria ka firmosur tre kontrata koncesionare për ndërtim inceneratorësh në Elbasan, Fier dhe në Tiranë me një vlerë investimi prej 178 milionë eurosh në total.

Lexo më shumë:

Protesta që solli arrestimin e pesë personave në Vërri të Fierit u zhvillua mëngjesin e 22 janarit të këtij viti. Banorët siç del edhe nga kërkesa e prokurorisë për pushim të akuzave kishin dalë kundër ndërtimit të impiantit të përpunimit me djegie të mbetjeve urbane.

Kompania që ka marrë koncesionin dhe po punontë në atë kohë për hapjen e rrugës kishte kërkuar prani të policisë, sipas saj për të shmangur konfliktet. Por protesta më pas është kthyer në një përplasje mes policisë dhe banorëve.

Pesë të akuzuarit u arrestuan menjëherë pas protestës dhe gjykata vendosi që arrestimi ishte i ligjshëm, ndërsa mori ndaj tyre masë sigurie “detyrim paraqitje” më 26 janar. Por pas hetimeve dhe marrjes së dëshmive e analizimit të provave të servirura nga policia, prokurorja e çështjes, Suela Beluli ka konkluduar se pesë të proceduarit, Zylyftar Delibashi, Eridjon Janji, Bledjon Bita, Aleksandër Bita dhe Vladimir Bita, nuk  kanë kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Ndërkohë, prokuroria ka gjetur se, katër prej pesë të procedurarve, Zylyftar Delibashi , Eridjon Janji, Bledjon Bita, Aleksandër Bita, nuk e kanë konsumuar as veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, ndërsa ka gjetur përgjegjës Vladimir Bitën, bazuar në pamjet flimike të siguruara nga policia.

Prokuroria thotë se ndërhyrja e policisë dhe shoqërimi i banorëve ishte bërë me qëllim për të shpërndarë protestën. “Me qëllim shpërndarjen e banorëve të zonës janë shoqëruar në ambjentet e Komisariatit të Policisë Fier, shtetasit , Zylyftar Delibashi, Eridjon Janji, Bledjon Bita, Aleksandër Bita dhe Vladimir Bita, ku është proceduar me arrestimin e tyre në flagrancë”, citohet në kërkesën për gjykim një kopje së të cilës BIRN e disponon.

Në kërkesë shpjegohet se në një CD me pamje filmike të regjistruara nga punonjësi i policisë gjatë zhvillimit të ngjarjes dhe të administruar nga policia gjyqësore janë identifkuar edhe personat nën hetim, por nuk rezulton që ata të kenë ushtruar dhunë dhe po ashtu rezulton se ka grumbullim të shumtë të njerëzve në shesh.

Pamjet tregojnë se janë punonjësit e policisë,  të cilët kanë ndërhyrë dhe janë përpjekur të shpërndajnë banorët e grumbulluar, duke i shtyrë e tërhequr me qëllim largimin e tyre. Vetëm në një nga sekuesncat filmike është evidentuar se “shtetasi Vladimir Bita, i cili në përpjekje për tu larguar nga punonjësit e policisë, ka goditur me shkelm një punonjës policie. Për pasojë ky i fundit është dëmtuar në këmbën e djathtë”, shkruhet në kërkesën për gjykim.

Prokuroria po ashtu sqaron se, “në lidhje me faktin se grumbullimi i banorëve është kryer pa lejen e organeve kompetente, vlen të theksohet se në rastin objekt hetimi nuk kemi të bëjmë me ndonjë grumbullim apo manifestim të atij karakteri, për të cilin kërkohet leje e posaçme”. Prokurorja sqaron se e drejate shprehjes edhe përmes tubimit garantohet në gushtetutë dhe është e pa tjetërsueshme.

Aty po ashtu përshkruhet edhe situata që ka detyruar banorët të mbildhen e të protestojnë. “Persona nën hetim dhe banorë të fshatrave përreth, të organizuar aty për aty, kanë dashur që së bashku të protestojnë dhe të manifestojnë me anë të fjalës ‘pakënaqësinë e tyre’ përkundrejjt ndërtimit të impiantit. Ata janë gjendur përballë faktit të ndërtimit të impantit të përpunimit të mbeturinave, i vendosur për t’u ndërtuar në afërsi të banesave dhe tokave bujqësore, në kushtet kur kanë qenë plotësisht të painformuar në lidhje me mëryrën e funksionimit të këtij impianti dhe të frikësuar nga ndotja që u kanoset”, shkruhet në vendim.

Gjatë seancës paraprake të zhvilluar të mërkurrën në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier avokatja mbrojtëse e pesë protestuesve, Flutura Kona, ka kërkuar kohë që të njihet me aktet e dosjes si edhe pamjet flimike të depozituara nga policia, nëpërmjet të cilave pretendohet se Vladimir Bita teksa ka qenë duke vrapuar për të shpëtuar nga punonjësit e policisë, ka goditur me këmbë një efektiv. Gjyqtari Piro Sota, pasi është njohur me kërkesën e avokates ka vendosur që të vihen në dispozicion të saj aktet dhe pamjet filmike dhe të shtyjë seancën për në datën 26 Shtator.