Prokuroria e Durrësit njoftoi sot se ka urdhëruar sekuestrimin e ndërtesës simbolike të qytetit të Durrësit pas dyshimeve se Emiljano Shullazi e ka përfituar pronësinë mbi të, përmes shantazhit. Dyshime edhe për veprime të paligjshme nga hipoteka, noteria dhe gjykata.
Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë njoftoi sot (19 prill) se qe tepër e ngarkuar me punë dhe për rrjedhojë, nuk mund të shqyrtonte kërkesën e Prokurorisë për masë sigurie për të dyshuarit Emiliano Shullazi, Blerim Shullazi dhe Gilmando Dani, të akuzuar për krijim organizate kriminale dhe përvetësim pronash përmes shantazhit. Gjykatësi Idriz Mulkurti vendosi që ta shtyjë vlerësimin e masës së arrestit të mërkurën.
Ndërkohë, po sot, Prokuroria e Durrësit ka kërkuar leje pranë gjykatës të vendosë nën sekuestro një pronë të njohur si ish – hotel Vollga, në qendër të qytetit të Durrësit.
“Prokuroria e Durrësit, me lejen e gjykatës, ka vendosur sekuestro preventive ndaj objektit ish-“Vollga” në Durrës, nën dyshimin se është përfituar me kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, “Shpërdorimit të detyrës” e “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale””, – thuhet në një njoftim për shtyp të Prokurorisë.
“Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Durrësit, të nisura në bazë të kallëzimit të shtetasit Z.H., janë krijuar dyshime të arsyeshme për paligjshmëri në veprimet e kryera mbi ndryshimet e pronësisë”, vijon më tej deklarata.
Emiliano Shullazi, Blerim Shullazi dhe Gilmando Dani u arrestuan të shtunën në darkë me kërkesë të prokurorisë. Sipas një njoftimi të policisë së shtetit, të tre dyshohet se “në kohë dhe qytete të ndryshme, kanë shtrënguar nëpërmjet kanosjes për dhënien e pasurisë në mënyrë të padrejtë biznesmenë të ndryshëm.
Ndërkohë, një avokat për të akuzuarit deklaroi se ata janë të pafajshëm.
“Vollga u përfitua me dhurim”
Një kopje e kontratës së rrjedhur në media, tregon se “Saudi Brother’s Commercial Company” e përfaqësuar nga Ylvi Beqja, ka nënshkruar një kontratë dhurimi me Emiljano Shullazin në dhjetor të vitit 2014.
“Me vullnetin e tij te lire shoqeria “Saudi Brothers Commercial Company” sh.p.k, siperfaqen e truallit 749.6 metro katror, pjese e pandare (shtateqind e dyzet e nente pike gjashte m2) do tja dhuroj pa asnje lloj kushti ne shenje mirenjohje shtetasit Emiljano Shullazi,” shkruhet në kontratë.
Por për prokurorinë, kontrata ngre dyshime të shumta, të cilat pritet të hetohen në vijimësi.