Reportazh3 Apr 2019

Prona e humbur: Të dhënat e zhdukura të Kosovës zgjasin betejat ligjore të pas luftës

Dialogu Beograd-Prishtinë i ndërmjetësuar nga BE-ja ka sjellë një marrëveshje për krijimin e një regjistri të besueshëm të pronave në Kosovë, por në praktikë, njerëzit mbeten të paaftë të kthehen në shtëpitë që ata humbën gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999.

Autor: Serbeze Haxhiaj, Filip Rudic BIRN Prishtinë, Beograd
Printo

Fshat i shkatërruar në Kosovë gjatë luftës në vitin 1999. Foto: Wikipedia.

Trajko Semiç nuk ka qenë në gjendje të jetojë në pronën e tij në qytetin jugor të Prizrenit në Kosovë që nga dita kur ai u largua në gusht të vitit 1999 me fëmijët dhe gruan e tij shtatzënë.

Në vitin 2002, ai u kthye dhe pa se dikush tjetër kishte zënë të dy shtëpitë e tij. Ato më pas u dogjën në trazirat e marsit 2004, kur qindra protestues shqiptarë u përleshën me serbët dhe sulmuan shtëpitë e tyre.

Semiç tha se shtëpitë e tij u shkatërruan së bashku me katër të tjera dhe zona tani “është kthyer në një rrugë të ndotur”.

Që atëherë, ai është në një betejë gjyqësore në qytetin e Prizrenit të Kosovës për t’u njohur si pronari ligjor i tokës në të cilën dikur ndodheshin shtëpitë të cilat tashmë janë të shkatërruara.

“M’u desh t’i drejtohesha gjykatës për të vërtetuar se shtëpitë e mia ishin atje,” tha Semiç për BIRN.

Por gjykata nuk mundi të gjente dokumentet e duhura për shtëpitë e tij në regjistrin kadastral të Kosovës, sepse kopjet origjinale janë diku në Serbi, duke shtuar vonesat që kanë që beteja e tij në gjykatë të vazhdojë deri më sot.

Semiç e fitoi çështjen e tij në prill 2017, por kjo më pas u apelua. “Apeli u paraqit në Gjykatën e Apelit në Prishtinë dhe ka ngelur aty që nga viti 2017, duke mos shkuar askund,” tha ai.

Florije Kika e Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës. Foto: BIRN.

Dokumentet u hoqën kur u tërhoqën forcat serbe

Dy dekada pas luftës në Kosovë, mijëra mosmarrëveshje të pazgjidhura në lidhje me pronat, njësoj si rasti i Semiçit, vazhdojnë të jenë një problem për gjyqësorin e Kosovës.

Dokumentet kadastrale të regjistruara në periudhën 1983-1999 u morën nga autoritetet serbe, së bashku me shumë dokumente të tjera zyrtare, kur forcat e Beogradit u larguan nga Kosova në fund të luftës në korrik 1999. Si rezultat, Kosovës i mungon një sasi të konsiderueshme informacionesh kadastrale.

Agjencia Kosovare e Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës, e cila u krijua si rezultat i Marrëveshjes për Kthimin e Regjistrave Kadastralë, një marrëveshje e arritur mes Kosovës dhe Serbisë gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja në Bruksel në 2011, tani po pret që dokumentet kadastrale të skanuara të kthehen nga Serbia nëpërmjet zyrës së BE-së në Kosovë.

Marrëveshja parashikon kthimin e më shumë se 4.6 milionë kopjeve të dokumenteve kadastrale të marra në Kosovë nga Serbia në vitin 1999, të cilat mund të zgjidhin mospërputhjet midis dokumenteve origjinale nga periudha jugosllave dhe atyre që aktualisht mbahen në Kosovë.

Por çështja e të drejtave pronësore është ndërlikuar akoma më tej nga fakti se shumë prona nuk ishin regjistruar siç duhet nga pronarët e tyre për shkak të situatës politike shtypëse në Kosovë para luftës.

Pasi Beogradi hoqi autonominë e Kosovës në vitin 1989, transaksionet pronësore  midis dhe me shqiptarët e Kosovës u bënë të paligjshme deri në vitin 1999, pasi përfundoi sundimi serb.

Si rezultat, këto kontrata u bënë gojarisht dhe nuk janë regjistruar, duke e lënë Kosovën me mijëra të dhëna kadastrale të paplota dhe të pasakta.

Sipas një analize të kohëve të fundit nga USAID, rreth 60 për qind e pronave në Kosovë nuk janë regjistruar zyrtarisht nga pronarët e tyre legjitimë.

Florije Kika, zv/drejtoreshë e Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronave, tha se mijëra kontestime pronësore janë ngadalësuar në gjykata, duke pritur të zgjidhen, për shkak të mungesës së të dhënave kadastrale origjinale.

“Ne kemi krijuar një plan pune me një fokus të veçantë në hendeqet që janë identifikuar në dokumente. Por tani ne po presim dhe nuk kemi sinjale se do të ketë ndonjë lëvizje në lidhje me këtë çështje,” tha Kika.

“Ne kemi kërkuar kthimin e menjëhershëm të të gjitha kopjeve. Kjo do të na ndihmonte të trajtonim rastet sipas prioritetit, sidomos ato që po kontestohen nëpër gjykata,” shtoi ajo.

Zbatimi i marrëveshjes së Brukselit është vonuar shumë për shkak se Kosova zvarriti miratimin e legjislacionit për të themeluar Agjencinë e Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës, e cila më në fund u krijua në fund të vitit 2016.

Kika tha se Agjencia ka kërkuar kthimin e kopjeve të indeksuara të dokumenteve të regjistrimit të pasurisë, jo vetëm ato të skanuarat.

“Indeksimi do të na ndihmonte që të kemi informacione mbi origjinën dhe historinë e secilës pronë,” tha ajo.

“Të dhënat kadastrale mund të kenë qenë gjithashtu subjekt i ndryshimeve në Serbi. Ne kemi pasur raste pronarësh serbë në regjistrat e Serbisë, në të cilat një pronë është regjistruar si në pronësinë e një personi të vetëm, ndërsa në regjistrin tonë, e njëjta pronë është regjistruar si në pronësinë e përbashkët të tre vëllezërve,” shtoi ajo.

Avni Arifi, një anëtar i delegacionit të Kosovës në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë, thotë se çështja e kopjeve kadastrale nuk është trajtuar në asnjë nga takimet që janë mbajtur në dy vitet e fundit.

Qeveria serbe nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN në lidhje me këtë çështje.

Delegacioni i BE-së në Kosovë, i cili sipas marrëveshjes së Brukselit duhet të lehtësojë procesin, konfirmoi se procesi i skanimit të të dhënave është përfunduar.

“Skanimi dhe indeksimi i të dhënave kadastrale, i financuar nga BE-ja, ka përfunduar i gjithë. BE-ja, si lehtësuese e procesit të dialogut, po punon me të dyja palët për të avancuar sa më shpejt në zbatimin e marrëveshjes mbi të dhënat kadastrale,” tha për BIRN zyra e BE-së në Prishtinë.

Sipas Agjencisë Kadastrale të Kosovës, në Kosovë në vitin 1999 ka pasur rreth 300,000 parcela tokë në pronësi publike dhe private. Të gjitha këto të dhëna duhet të shqyrtohen për shkak të gabimeve dhe abuzimeve nga e kaluara – një detyrë e madhe për Agjencinë Kadastrale dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

“Rreth 100,000 prej tyre janë në pronësi publike kështu që ne do të duhet të shqyrtojmë rreth 200,000 kopje sepse pronat publike do të shqyrtohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit,” shpjegoi Kika.

Jovana Filipovië, një avokate në Graçanicë. Foto: BIRN.

“Njerëzit po vdesin pa marrë dot pronat e tyre”

Bashkim Ibishi, drejtor i një OJQ-je me qendër në Prishtinë të quajtur “Avancojmë së bashku”, e cila ndihmon njerëzit që çojnë çështje në gjykatë, tha se shumica e betejave ligjore mbi pronat në gjykatat e Kosovës janë ndëretnike. Shumica janë midis shqiptarëve dhe serbëve, edhe pse ndonjëherë ka edhe paditës romë.

Në fund të luftës në Kosovë në vitin 1999, misioni i OKB-së që administronte Kosovën në atë kohë regjistroi 42,749 prona të konfiskuara, 95 për qind e tyre u përkisnin serbëve.

Por Ibishi tha se shumica e çështjeve të pronave nëpër gjykata po trajtohen ende duke përdorur legjislacionin e vjetër që daton para luftës, e cila ai tha se ishte “joadekuate për zbatimin e të drejtave pronësore të personave të zhvendosur jo-shumicë”.

Jovana Filipoviç, një avokate në Graçanicë, tha se vonesat e gjata kanë nënkuptuar tashmë që disa njerëz nuk arritën kurrë të rimerrnin përsëri pronësinë e shtëpive të tyre.

“Kthimi i të dhënave kadastrale do t’i ndihmojë njerëzit që të zgjidhin problemet e tyre. Por kjo ngjan si një udhëtim i pafund. Unë shoh se si njerëzit po vdesin pa marrë përsëri të drejtën e pronave të tyre,” tha Filipoviç për BIRN.

“Para dhe pas luftës ka pasur shumë abuzime  që përfshinin prona dhe kopjet kadastrale origjinale do të zbulonin shumë mospërputhje. Por për shumë njerëz që po vdesin pa u kthyer në shtëpitë e tyre, do të jetë tepër vonë,” tha ajo.

Ndërkohë Trajko Semiç dhe familja e tij, të cilët u vendosën në rrethinat e Lazarevcit në Beograd pasi u arratisën në Serbi gati dy dekada më parë, banojnë ende me qira ndërsa ai pret një vendim përfundimtar të gjykatës në Kosovë.

“Kam 20 vjet që paguaj qira,” tha ai.