Lajm12 Jul 2018

Protesta në mbrojtje të Teatrit Kombëtar zhvendoset para Presidencës

Artistët, qytetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile i kërkuan Presidentit të Republikës që të mos e dekretojë ligjin që i hap rrugën shembjes së Teatrit, duke i bërë thirrje që të mbrojë Kushtetutën.

Autor: Lindita Çela BIRN Tiranë
Printo

Qindra qytetarë protestojnë para parlamentit për të kundërshtuar projektligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar. 5 korrik 2018. Foto: Loreta Cuka/BIRN

Protesta e artistëve dhe e qytetarëve të Tiranës në mbrojtje të Teatrit Kombëtar është zhvendosur mbrëmjen e së enjtes përballë godinës së Presidencës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Me fjalime të improvizuara, aktivistët dhe artistët i drejtuan  thirrje Presidentit Ilir Meta që të mos e dekretojë ligjin e miratuar me votat e mazhorancës më 5 korrik 2018.

Artistët dhe aktivistët në protestë e konsideruan projektligjin që i hap rrugën prishjes së Teatrit Kombëtar jo vetëm një aferë korruptive, por një akt që ka vendosur demokracinë në rrezik dhe i kërkuan Presidentit të Republikës që të mbronte Kushtetutën si dhe të priste artistët.

“Zoti President i Republikës, duhet t’i prisni artistët. Duhet të dëgjoni me vëmendje artistët dhe nuk duhet të shembet në asnjë mënyrë Teatri. I ftoj të gjithë të bëhemi bashkë dhe t’i themi “Jo” këtij ligji,” tha regjisori Robert Budina. Ndërsa Kastriot Çipi e konsideroi projektligjin jo vetëm një çështje të trashëgimisë kulturore, por një kërcënim për Kushtetutën dhe demokracinë në vend.

Protesta e dhjetra artistëve, qytetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile u zhvillua në formën e një marshimi në bulevard me kulmim përballë Presidencës. Fakti që askush nga institucioni i kreut të shtetit nuk i takoi u ironizua nga protestuesit.

“Po të isha sot Presidenti i Republikës, do të dilja nga zyra dhe do i takoja  të gjithë  protestuesit. Por shpresoj se nuk do t’ia prishim pushimet atje ku është dhe për në  mjafton që Presidenti të mos dekretojë ligjin për teatrin,” tha aktori Julian Deda.

Një javë më parë, Parlamenti i hapi rrugë  kryetarit të Bashkisë së  Tiranës Erion Veliaj të përgatisë një kontratë me kompaninë Fusha për t’i transferuar tokën e teatrit “brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit”. Kontrata do të duhet të miratohet gjithashtu në Kuvend.

Miratimi i ligjit nga mazhoranca në Parlament, pavarësisht protestave të përditshme dhe kundërshtive ndaj prishjes së Teatrit i ka kthyer sytë nga Presidenca. Kjo e fundit, ndonëse nuk mund ta pengojë prishjen e Teatrit Kombëtar, ka në dorë ta shtyjë atë në kohë përmes kthimit të ligjit në Parlament.