Situata në veriun e Kosovës mbetet e tensionuar ndërkohë që serbët po i mbajnë të bllokuara rrugët që çojnë drejt kufirit, duke protestuar lidhur me rregullat e reja të vendosura për automjetet e Serbisë, ndërsa njësitë e forcave speciale të Kosovës mbajnë një prani të armatosur aty pranë.
Është ora 11:30 e mëngjesit të së martës afër pikës së kalimit kufitar të Jarinjes në veriun e Kosovës dhe pjesëtarët e njësive të forcave speciale të Kosovës po bëhen gati të fillojnë turnin e tyre 12 orësh.
Zyrtarët e forcave speciale të cilët sapo e mbaruan turnin e tyre kaluan një natë të qetë edhe pse të ftohtë në atë luginë që kur kishin marrë turnin një natë më parë. Mirëpo, shiu i madh e bëri edhe më të vështirë patrullimin e tyre tri kilometërsh, ndërsa kalojnë përgjatë një serie pengesash të vendosura nga protestuesit serbë të Kosovës. Teksa u ofrohen bllokadave, protestuesit në qetësi u lirojnë rrugën që të kalojnë.
Zyrtarët policorë e kaluan natën në automjete të blinduara ose edhe në kontejnerë të vendosur jo më larg se një kilometër nga pika e kalimit kufitar.
“Paç një ditë të mire”, i thotë zyrtari policor kolegut të tij teksa e bëjnë ndërrimin e turnit.
Jarinje dhe një pika tjetër e kalimit kufitar midis Kosovës dhe Serbisë, Bernjaku, kanë qenë të bllokuara tashmë prej dhjetë ditësh nga protestuesit serbë të Kosovës, të cilët janë kundër rregullave të reja që i detyrojnë ata që të ndërrojnë targat e makinave të tyre të lëshuara nga autoritetet e Serbisë me targa të përkohshme të Kosovës me të hyrë në territorin e Kosovës, ndërsa drejtuesit kosovarë të makinave kanë bërë të njëjtën gjë për shumë vjet sa herë janë futur në territorin e Serbisë.
Ditën kur u vendos ky rregull, me 20 shtator, serbët lokalë bllokuan rrugën me dhjetëra kamionë. Rreth 70 kamionë janë parkuar në mes të rrugës në gjashtë lokacione të ndryshme afër Jarinjes, rreth 90 kilometra larg prej kryeqytetit, Prishtinës.
Shumica e kamionëve i përkasin ndërmarrjeve publike në komunat veriore të dominuara nga serbët e Kosovës. Disa prej tyre nuk kanë fare lidhje me protestën dhe thjesht ishin ta pafat që qëlluan atje në momentin kur u vunë bllokadat në rrugë. Tani drejtuesit e tyre po presin me dëshpërim që të përfundojë gjithçka, në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë rrugën e tyre.
Autoritetet kosovare thonë se njësitë speciale të policisë po kujdesen për pikën e kalimit kufitar dhe njëkohësisht po e mbajnë atë në funksion të këmbësorëve dhe automjeteve, shoferët e të cilëve janë të gatshëm të përdorin targat e përkohshme të Kosovës.
Mirëpo qeveria e Serbisë i sheh njësitë e armatosura si një provokim ndaj banorëve të zakonshëm që jetojnë në këtë zonë të dominuar nga serbët, e cila shpesh ka qenë një pikë e nxehtë incidentesh gjatë dy dekadave të fundit.
Pak metra dhe dhjetëra kamionë e ndajnë policinë e armatosur nga protestuesit serbë që qëndrojnë aty po ashtu në turne. Rreth orës 10 të mëngjesit, banorët mbërrijnë aty për të ndërrua ata që e kanë kaluar natën në tri tenda të ngritura nga protestuesit matanë rrugës. Por edhe të tjerë ikin e vijnë gjatë ditës.
Protestuesit janë furnizuar me dru për ngrohje dhe ushqim ndërsa vëzhgojnë situatën. Tymi i bardhë ngrihet lart nga një sobë në një nga çadrat e tyre, teksa ata që qëndrojnë aty përpiqen të mposhtin të ftohtin që mbretëron aty.
Ata e kalojnë ditën duke biseduar me njëri-tjetrin, por papritur heshtin kur aty kalon ndonjë i huaj ose ndonjë gazetar. Asnjë nga protestuesit nuk pranoi të fliste me BIRN për këtë artikull.
Bllokimi i pikës kufitare nënkupton që udhëtarët me autobusë duhet të zbresin prej tyre në kufi dhe të ecin për disa kilometra derisa të arrijnë në barrikadën e fundit.
Në një ditë të qetë, vetëm zhurma e rrotave të valixheve të udhëtarëve që rrokullisen përgjatë asfaltit, thyen heshtjen.
Ngërçi vazhdon
Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian që kanë si synim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve janë zvarritur për vite me pak progres të vërtetë në terren, pasi mosmarrëveshja e targave është shfaqur përsëri.
Targat e automjeteve kanë qenë mollë sherri që nga lufta e 1998-1999 në Kosovë, e cila përfundoi me një fushatë bombardimesh nga ana e NATO-s e cila synonte të detyronte ushtrinë dhe forcat policore të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç të tërhiqeshin nga Kosova, duke e lënë Kosovën me shumicë shqiptare një zonë nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara deri në vitin 2008.
Mirëpo, edhe pse Serbia nuk e kishte më kontrollin në të gjithë territorin e Kosovës, ajo vazhdoi të funksiononte me një sistem paralel administrativ për serbët e Kosovës, përfshirë mijëra serbë në veri të Kosovës të cilët kanë vazhduar të përdorin targat automjetesh të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, të cilat fillojnë me akronimet e qyteteve të Kosovës, në vend të targave të lëshuara nga autoritetet në Prishtinë.
Në vitin 2011, tri vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje sipas së cilës autoritetet e Kosovës do të lëshonin targa me mbishkrimin “RKS” dhe”KS”, që nënkupton thjesht “Kosova”.
Targat me mbishkrimin KS “neutrale ndaj statusit” u lëshuan fillimisht nga UNMIK. Ky vendim kishte për qëllim inkurajimin e serbëve në pjesën veriore që të fillonin të përdornin targat e lëshuara nga Kosova, por shumë prej tyre e shpërfillën këtë vendim dhe vazhduan të përdorin targat e lëshuara nga Serbia në vend të tyre.
Në vitin 2016, Kosova e shtyu vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet të tjera. Kur kjo masë skadoi më 15 shtator të këtij viti, qeveria e kryeministrit Albin Kurti vendosi kundër shtyrjes së saj dhe njoftoi se do të kërkonte gjithashtu heqjen e targave të lëshuara nga Serbia në kufi dhe zëvendësimin e tyre me targa të përkohshme të Kosovës.
Serbia, nga ana e saj, nuk i njeh targat me mbishkrimin “RKS” dhe kërkon që drejtuesit e mjeteve t'i heqin ato në kufi dhe të paguajnë për targat e përkohshme të lëshuara nga Serbia.
Ndërkohë që bllokimi i pikës kufitare po vazhdon edhe gjatë kësaj jave, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ndërhyri për të ofruar një zgjidhje, por kjo thuhet se u refuzua nga kryetarët e katër komunave veriore me shumicë serbe.
Mediat në Kosovë raportuan se një propozim i bërë nga komandanti i KFOR-it, gjeneral Franco Federici, nënkuptonte që protestuesit di të lironin rrugët dhe njësitë speciale të policisë do të tërhiqeshin nga veriu, ndërsa ushtarët e KFOR-it do të merrnin përsipër kontrollin në pikat kufitare.
Mirëpo kryetarët e komave të Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut këmbëngulën që është qeveria e Kosovës ajo e cilat duhet të tërheqë vendimin e saj për targat e automjeteve.
Në një deklaratë të përbashkët të martën, katër kryetarët serbë këmbëngulën se vendimi “rrezikon lirinë e lëvizjes”.
“Duke u konsultuar dhe me qytetarët tanë, ne njëzëri e hodhëm poshtë propozimin e KFOR-it. Njerëzit tanë dhe ne si përfaqësuesit e tyre nuk jemi gati të pajtohemi me synimin e Prishtinës për të na futur në një geto”, deklaruan ata.
Ministri i brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se autoritetet e Prishtinës e kishin pranuar ofertën.
“Duke marrë parasysh faktin që KFOR-i ka ofruar angazhime shtesë dhe është ofruar për të mbrojtur policinë tonë kufitare me forca shtesë në pikat e kalimit kufitar, ne kemi deklaruar se prania e njësive speciale do të ishte e panevojshme me heqjen e barrikadave”, tha Sveçla të martën.
KFOR-i ka shfaqur një prani të dukshme në zonë në përpjekje për të ruajtur qetësinë. Të martën, katër ushtarë polakë të KFOR-it patrulluan dy herë përmes bllokadave dhe pikat e kontrollit të policisë së Kosovës.
Mosmarrëveshja mbi targat e automjeteve u bë pjesë e bisedimeve të mërkurën në mëngjes në një takim midis delegacioneve nga Kosova dhe Serbia në Bruksel si pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Sot në mëngjes pata dy takime të ndara me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar mënyrat për të zgjidhur krizën aktuale”, shkroi i dërguari i BE-së Miroslav Lajçak në llogarinë e tij Twitter. “Ne do të vazhdojmë diskutimet tona gjatë gjithë ditës.”