Mijëra mbështetës të opozitës protestuan në Tiranë të shtunën ndërsa disa disa prej tyre u përleshën me policinë në zonën pranë Kuvendit të Shqipërisë.
Disa dhjetëra protestues hodhën gurë dhe fishekzjarre kundër policisë pranë parlamentit në Tiranë ndërsa policia iu përgjigj me gaz lotsjellës gjatë një proteste të organizuar nga partitë e opozitës të shtunën më 16 mars.
Protestuesit u mblodhën në mëngjes nga i gjithë vendi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” por kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i udhëhoqi ata në një marshim përreth bllokut të ndërtesave pranë ndërtesës së kryeministrisë, ku policia ka vendosur që më herët një gardh metalik.
Rreth mesditës, protestuesit marshuan drejt ndërtesës së parlamentit disa qindra metra më tutje dhe sulmuan policinë me gurë dhe mjete rrethanore. Protestuesit u shpërndanë disa herë nga gazi lotsjellës dhe uji me presion i hedhur nga policia, e cila i bëri thirrje në autoparlant sekretarit të PD-së Gazmend Bardhi që të përmbante demonstruesit nga veprimet e dhunshme.
Pas disa orësh Basha mblodhi mbështetësit e tij në selinë e Partisë Demokratike ku deklaroi se do të vijonte protestat për rrëzimin e qeverisë.
“Çdo ditë dhe çdo natë do të ketë aksion qytetar,” tha Basha para mbështetësve të tij. “Nuk duhet t’i ktheni faqen tjetër”, shtoi ai.
Protesta u mbyll pasdreke vonë. Së paku një protestues dhe një polic u panë të kërkonin ndihmë.