Edhe dita e martë duket se do të kalojë e gjitha në pritje për banoret protestues të Zharrëzit. Të vendosur, që nga e shtuna, në qiell të hapur, pranë godinës së Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës, ata janë të vendosur të mos dorëzohen deri sa të marrin një angazhim konkret dhe me afate të qarta për zbatim nga ana e qeverisë.
Banorët e Zharrëzës kanë javë që protestojnë për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar shtëpitë e tyre nga tërmetet e vazhdueshme të vitit të kaluar, tërmete për të cilat banorët konsiderojnë përgjegjëse kompaninë e nxjerrjes së naftës Bankers Petroleum.
Por javën e kaluar, pasi panë se protesta e tyre në Zharrëz nuk u dëgjua, ata nisën një marshim epik 120 kilometra të gjatë drejt Tiranës për të kërkuar të drejtat e tyre.
Por edhe pas tri ditësh negociata me qeverinë, duket se mungesa e qartësisë në premtimin e qeverisë për zgjidhjen e kërkesave të tyre, i mban protestuesit të vendosur të vijojnë protestat deri në fund.
Sipas avokatit të grevistëve, Adriatik Lapaj, ata janë në pritje të një vendimi qeverie, në të cilin duhet të përcaktohen qartë dhe pa ekuivoke të gjitha afatet e zbatimit të kërkesave të tyre duke filluar nga sistemimi i përkohshëm deri te dëmshpërblimet dhe zgjidhja e problemit në një këndvështrim më afatgjatë.
E ndërsa qeveria nuk e ka marrë ende një vendim, protestuesit e Zharrëzës vijojnë të qëndrojnë në trotuar pranë Ministrisë së Energjisë në kushte të improvizuara, pavarësisht motit të lagësht. Policia i ndaloi ata me dhunë të shtunën të ngrinin një çadër proteste në trotuar dhe vijon t’i mbajë nën vrojtim të vazhdueshëm protestuesit. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri refuzoi edhe një herë natën e të dielës kërkesën për të lejuar vendosjen e çadrës.
Ndërkohë, protestuesit e Zharrëzës kanë marrë mbështetjen dhe ndihmat e shumë banorëve të Tiranës, gjë për të cilën, protestuesit falënderojnë.